Mbi 13 mijë të vdekur në botë prej koronavirusit

Që prej shfaqjes së tipit të ri të koronavirusit (Kovid-19) në muajin dhjetor, numri i vdekjeve në mbarë botën ka arritur në mbi 13 mijë ndërsa numri i të prekurve është afërsisht 280 mijë.

Numri i personave që kanë humbur jetën në Kinë për shkak të Kovid-19 është 3 mijë e 261.

Kurse në Iran, për shkak të epidemisë kanë humbur jetën 1 mijë e 685 persona.

Lideri iranian, Ayetullah Ali Hamaney tha se në lidhje me luftën kundër koronavirusit, vendi i tij nuk u ka pranuar propozimin për ndihmë të administratës amerikane.

Duke e cilësuar administratën amerikane si “armikun më të madh të Iranit”, Hamaney tha se amerikanët kanë bërë propozimin: “Kërkoni nga ne, jemi të gatshëm për të ndihmuar Iranin me ilaçe dhe në çështjen e kurimit”. “Kjo është një deklaratë e çuditshme. Ju para së gjithash gjeni zgjidhje për veten tuaj. Nëse keni në dorë, përdorini për veten tuaj”, tha Hamaney.

Kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu tha se për shkak të tipit të ri të koronavirusit, në vendin e tij numri i të vdekurve mund të arrijë në mijëra.

Numri i personave të diagnostikuar me Kovid-19 arriti në 883 ndërsa në Jerusalemin Perëndimor dje u regjistruan 2 vdekje.

Në Rripin e Gazës, që është nën bllokadë, për herë të parë u evidentua rast me koronavirus.

Në Arabinë Saudite, me 48 rastet e reja pozitive me koronavirus, numri i personave të infektuar arriti në 392, ndërsa numri i personave të shëruar arriti në 16.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe numri i rasteve me koronavirus është 153, në Liban 206, dhe në Kuvajt 176.

Në Egjipt numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të Kovid-19 arriti në 10.

Në Gana, vend të Afrikës së Perëndimit u regjistrua vdekja e parë e shkaktuar nga koronavirusi.

Fayez al-Sarraj, kryetari i Këshillit Presidencial dhe kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, që njihet nga ana e Kombeve të Bashkuara deklaroi se në kuadër të masave kundër koronavirusit të tipit të ri (Kovid-19), është ndaluar qarkullimi nga ora 18.00 deri në 06.00.

Nevruzi, që në Uzbekistan u ndaluan në kuadër të masave ndaj koronavirusit, për herë të parë që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, nuk u festua me ceremoni zyrtare por u festua në shtëpi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka njoftuar se me konfirmimin e 13 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 89, përfshirë edhe dy personat që kanë ndërruar jetë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka konfirmuar viktimën e parë nga virusi COVID-19. 82 vjeçari nga Dumnica e Podujevës është pranuar në Klinikën Infektive me datën 16 mars në ditën e gjashtë të sëmundjes. Pacienti sipas IKShP-së ka pasur edhe sëmundje tjera kardiake dhe kronike mushkërore. Ndërkaq numri i rasteve në Kosovë ka arritur në 31.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka njoftuar se në vend janë regjistruar 29 raste të reja me koronavirusin e ri (Covid-19). Me këtë, numri i të prekurve me koronavirus është rritur në 114.