MBËSHTETJEN BASHA , AS E LEXOI, AS E VLERËSOI

Nga Xhafer Sadiku

Kur në maj 2017 Basha u takua me Ramën pati kritika të shumta e të gjitha konvergonin në një pikë: sikur i kishte tradhëtuar opozitarët dhe e kishte “blerë” Rama. Në fakt, ishte presioni i “mikut që na do të mirën” që pat deklaruar se do ti njihte zgjedhjet edhe sikur opozita të mos merrte pjesë. I njëjti fenomen u pa edhe në 30 qershor, kur “miku” i dha lakeut të tij të gjithë pushtetin vendor.

Mirëpo, kur fituesi është i paracaktuar nga padroni, e vetmja rrugë e opozitës është krijimi i një grupi parlamentar me figura dinjitoze, jo vetëm të pakorruptuara, por edhe trima. Kjo nuk ndodhi dhe dihet rezultati: ata u thyen nga terrori i banditëve të mafies që kishin mbushur parlamentin. As këtë herë, “miku” nuk ndërhyri, përkundrazi përdori marioneta dhe krijoi “opozitën e re parlamentare”, e cila u bë patericë e regjimit për të aprovuar ligjet më antidemokratike pas vitit 1991, jo më me 84 vota, por mbi 90 të tilla.

Në mitingjet ku morën pjesë dhjetëra mijëra protestues, qytetarët u ndodhën përballë dhunës së egër policore dhe presionit të Uashingtonit dhe Brukselit. Para mitingut të fundit, Basha drekoi me “guvernatoren” e Shqipërisë dhe deklaroi se ishin marrë vesh që biseda të mbetej private. Në fakt, diplomatët nuk i mbajnë private bisedat pasi i raportojnë që atë çast tek shefi i tyre. Zoti Basha kishte detyrimin tu bënte të ditur mbështetësve të opozitës, madje opinionit publik se çfarë u bisedua për protestat në fjalë. Asgjë nuk u tha, as atëherë as më vonë.

Tërë mundi, sakrificat dhe investimi i qytetarëve opozitarë shkuan dëm. Banditët që sundojnë vendin, të mbrojtur nga tutorët e tyre ndërkombëtarë, e rritën shtypjen mbi popullin.
Vetëm tani Basha u tha protestuesve dhe opinionit publik se nuk do të kishte opozitë ulëritëse dhe se u kërkonte të falur atyre që nuk mendonin kështu.

Në fakt, ishte Basha që ulurinte dhe ai duhet ti kërkojë falje vetes. Një numër i madh që vinin në protesta nuk e bënin këtë për Bashën por kundër shtypjes së regjimit të Mafies dhe nëpërkëmbjes së ambasadorëve. E bënin këtë për tu thënë të huajve se zotër të Shqipërisë janë shqiptarët, se janë të pavarur dhe sovranë, se pa sovranitet nuk ka liri.
Presioni i ambasadorëve e theu Bashën dhe mbështetjen masive që ai pati as e lexoi dhe as e vlerësoi. Mbase për këtë do të paguajë kosto të lartë.