Masakra komuniste në Dibër, qershor 1946

Nga Av .Xhafer  Sadiku

KRIMET E PANDËSHKUARA TË REGJIMIT KOMUNIST
Masakra komuniste në Dibër, qershor 1946
Në qershor 1946 në rrethin e Dibrës Sigurimi i Shtetit bëri një masakër të vërtetë. Për të thyer rezistencën e dibranëve, regjimi bëri një mbledhje të zgjeruar me sekretarët e organizatave të partisë në fshatra. Në atë mbledhje morën pjesë edhe të dërguar nga Komiteti Qendroor i Partisë. Në fillim thirrën Dali Ndreun për ta dërguar atje, por ai refuzoi duke u thënë se ishte vendës dhe do ta akuzonin për tarafllëqe dhe gjëra të tjera.
Në fillim foli Sekretari i Parë i Partisë së rrethit të Dibrës i cili u kërkoi të dhëna “për personat që bëheshin pengësë për realizimin e detyrave dhe mbarëvajtjen e punës”.
Pastaj diskutuan sekretarët e organizatave bazë dhe mbi bazën e diskutimeve të tyre u përpilua një listë prej 96 personash e cila, mbasi u studiua me hollësi nga shokët e Sigurimit, ju duel me propozim Ministrisë së Punëve të Brendshme që këta persona të arrestoheshin.
Nga kjo listë u miratuan për pushkatim 14 persona. Për ata që do të pushkatoheshin kishte dy mendime:
1- Mbasi të arrestoheshin, të gjykoheshin para popullit e pastaj të pushkatoheshin dhe,
2- Të arrestoheshin dhe gjoja në tentativë për të ikur të vriteshin. Ky ishte edhe mendimi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit dhe kështu u veprua.
U shpërndanë personat dhe punëtorët operativë më me eksperiencë dhe karakteristikat e atyre që do të pushkatoheshin ishin shkruar në fletushka të vogla që kishin një shenjë “P” dmth te pushkatohej. Kjo bëhej me qëllim për të ruajtur sekretin në rast se për ndonjërin nga këto fletushka binte në dorë të armikut ose të vet personit emri i të cilit ishte në fletushkë.
Përpara se të pushkatoheshin këta persona do të pyeteshin.
Operacioni u krye me sukses dhe brenda një nate u arrestuan 96 veta dhe nga këta u ekzekutuan 14 veta si Osman Haraçiu, Islam Baftjari, Hashim Tafa, Murat Datja, Shemsi Aga, Hajredin Trushilla, Muharrem Gjura etj. Të tjerët, 82 persona u dërguan në Degën e Punëve të Brendëshme Peshkopi, nga të cilët 30 u internuan me gjithë familje, 36 u dërguan në gjyq dhe 16 të tjerët u tërhoqën në bashkëpunim nga Sigurimi i Shtetit e u lanë të lirë. Gjykimi atyre që shkuan në gjyq u bë i shpejtë dhe për disa prej tyre u muar vendimi i ekzekutimit si Mexhit Asllani, Tefik Balla, Shefqet Balla, Hamit Hoxha et.
Si shihet, është një krim i përmasave të mëdha… 14 të ekzekutuar pa gjyq, natën… vetëm në një natë…!
(Marrë nga Historia e Sigurimit të Shtetit të rrethit të Dibër, vëllimi i parë, f. 34 – 34)