Martirët e fjalës

Në kuadër të procesit të ndërgjegjësimit dhe të edukimit qytetar, AIDSSH-ja kujtoi me nderim poetët Bërzeshtës, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, të cilët fajin e vetëm kishin përse ekzistonin, dëshironin dhe tentonin një jetë më të mirë (minimalisht normale dhe të barabartë me të tjerët në fatkeqësi kolektive). Indinjatën për këtë padrejtësi dhe njëkohësisht pamundësinë e shprehën dhe u munduan ta jetësonin, nëpërmjet fjalës së zgjedhur e të bukur dhe ndjenjave të thella, sidomos në poezi, deri në letërkëmbimin me miq e familjar.
Nëse Migjeni për lirikat dhe ndjenjat e tij, u bë “djepi dhe varri i tyre”, për këta të rinj, lirikat dhe ndjenjat e materializuara në poezi dhe mendime me zë jo dhe aq të lartë, të shprehura në fletore të thjeshta e të zhubrosura, në disa raste në letërkëmbim normal me të dashurit dhe familjarët, të kontrolluara, administruara dhe të interpretuara në mënyrën më të keqe të mundëshme, rezultuan fatale, duke u kthyer në varrin e tyre, që vetë këto shkrime dhe poezi mbetën jashtë tij. Kjo na dha ne mundësinë, nderin dhe privilegjin për t’ia bërë prezent publikut të gjerë, në mënyrë që ta shohim më qartë, një të kaluar jo të largët, që të gjithë të meditojmë, reflektojmë e reagojmë në mënyrë të tillë, që kjo të mos përsëritet më.
Me rastin e këtij përvjetori të pushkatimit të këtyre poetëve, të cilëve u janë fshehur jo vetëm vepra, por edhe varret, koha si aleati më i mirë, i së vërtetës bëri të sajën.
Me miratimin e ligjit 45/2015 dhe ngritjen e funksionimin e AIDSSH-së, në kuadër të transparencës dhe të procesit të ndërgjegjësimit dhe të edukimit qytetar, ishte detyrim përkujtimi i këtyre martirëve me mjetet dhe mundësitë tona modeste, duke i bërë të njohura për publikun e gjerë disa dokumente, dorëshkrime, poezi etj, të shkruara nga dora e këtyre martirëve të ndjenjave, për një jetë më të mirë, të shprehura nëpërmjet fjalës së lirë pa zë, nëpërmjet një “korespondence të fshehtë”, e cila nuk rezultoi e tillë dhe për më keq u vlerësua dhe anatemua si armiqësore. Për fat të keq, jo vetëm nga regjimi në fuqi…
Këtë përkujtim dhe publikime ne i shohim si detyrim minimalist për ju (publikun), ndërsa ju keni të drejtë dhe detyrim ta analizoni, interpretoni dhe vlerësoni, që këto të mos përsëriten e përjetohen më …