Marrëveshje me komunistët?!

Nga Nebil Çika

Ka ditë që po përflitet se kriza politike në vend mund dhe do të zgjidhet me një marrëveshje politike PS-PD. Ka shumë gjasa që kjo të jetë e vërtetë pasi historia ka vërtetuar që pushteti në Shqipëri është ndërruar, ose më mirë të themi është mbajtur pikërisht me këto marrëveshje. Janë pikërisht këto marrëveshje që kanë garantuar deri tani sundimin 75 vjeçar të Shqipërisë nga komunistët dhe pasardhësit e tyre politikë, juridikë e gjenetikë pasi të gjitha kanë përfunduar në favor të tyre.
Me marrëveshje politike në Shqipëri janë kryer krime të rënda që kanë cënuar të drejtat themelore të njeriut, pasoja të së cilave janë sot mungesa e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe zhvillimit tonë kombëtar në të gjitha fushat.
Vendosja e pluralizmit politik në vitin 1990 sipas modelit të “Katovicës”, është marrëveshja bazë me komunistët autorë të diktaturës 45 vjeçare që jo vetëm u garantoi atyre imunitet politik e juridik por edhe vazhdimësinë e pushtetit, të gjitha ato që cilësohen sot si reforma madhore të shoqërisë e shtetit shqiptar si ligji 7501 për pronat, mos dënimi i krimeve të komunizmit, kodi zgjedhor, ligji i dekriminializimit, reforma në drejtësi, Vetingu etj., janë bërë në të njëjtën frymë.
Sot të gjithë përshi edhe opozitën bien dakord që të gjitha këto marrëveshje kanë rezultuar dështime dhe nga reforma janë kthyer në pengesat kryesore të zhvillimit tonë kombëtar. E para sepse janë ndërtuar në mënyrë të tillë që komunistët dhe pushteti e interesat e tjera të tyre të mos preken dhe e dyta se komunistët nuk i përmbahen asnjë marrëveshjeje, një tipar i tyre ky i vërtetuar botërisht.
E vetmja marrëveshje politike e drejtë e në interes të Shqipërisë e shqiptarëve në historinë tonë është ajo e “Mukjes” në vitin 1943 që përfundoi e prishur dhe e tradhëtuar nga komunistet.
Dihen tashmë jo vetëm pasojat e kësaj tradhtie por edhe fakti që komunistët nuk i përmbahen asnjë marrëveshje që nuk shkon në interes të tyre. Pas “Mukjes “ çdo marrëveshje e arritur në planin e brendshëm apo atë ndërkombëtar ka përfunduar në interes të tyre dhe në të kundërt të interesave tona kombëtare e shoqërore.
Në këto vite të pluralizmit politik komunistët kanë arritur të garantojnë vetëm marrëveshje në interes të tyre. Ka vetëm një moment ku Berisha tentoi të prishte akordin me ta dhe përgjigja e tyre ishte shkatërrimtare. Në vitin 1996 në bazë të një ligji për dënimin e krimeve dhe gjenocidit komunist në Shqipëri u arrestuan dhe dënuan me burgim krerët kryesor të ish diktaturës komuniste autorë të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocid ndërkohë që dhjetra të tjerë u shpallën në kërkim gjë që prodhoi midis të tjerash reagimin e dhunshëm e të ashpër të komunistëve të njohur si rebelimi komunist i 1997 që risolli de jure në pushtet me revolucion të armatosur komunistët e rrëzuar de jure në 1992.
Dihen pasojat e këtij rebelimi për Shqipërinë e shqiptarët. Pas kësaj gjithçka tjetër në politiken shqiptare u bë me marrëveshje, sigurisht të kushtëzuara e në interes të sundimit të komunistëve në Shqipëri. Kam mijëra prova e fakte për këtë por po përmend vetëm njërin që u vë kapak të gjitha dyshimeve: Gramoz Ruci ish ministri i fundit i brendshëm komunist, nga i kërkuar për krime kundër njëzimit dhe gjenocid në vitin 1996 sot nr 2 i shtetit shqiptar kryetar i parlamentit. Çfarë është ky atavizëm, në mos produkti i ndryshimit të pushtetit me marrëveshje në Shqipërinë post komuniste?! Por jo vetëm kaq! Çdo marrëveshje përfshi edhe të fundit atë Basha- Rama të vitit 2017 kanë përfunduar në katastrofë për Shqipërinë e shqiptarët pasi kanë prodhuar një situatë politike të brendshme në prag lufte civile dhe një situatë izolimi në politikën e jashtme.
Në këto kushte një marrëveshje e re me komunistët nuk do të zgjidhte asgjë përveç qëllimit historik, garantimin e pushtetit dhje interesave të tjera të tyre. Basha po premton ndëshkimin e disa krimeve të rënda si korrupsionin dhe grabitjen e pasurisë se vendit e të popullit nga qeveria.
Si mund të realizohen këto premtime në marrëveshje me autorët e tyre?! Është një soj si marrëveshja për pluralizmin dhe demokracinë me drejtuesit e diktaturës në vitin 1990. A do të falënderojë opozita Edi Ramën si dikur Ramiz Alinë për marrëveshjen e arritur. Basha thotë se nuk bëj marrëveshje me Ramën kryeministër. Po ja e zëmë se iku Rama, me kë do ta bejë? Me Rucin?! Ku është ndryshimi të biesh nga shiu në breshër?!
Une nuk mendoj se marrëveshja me komunistët pas kaq e kaq dështimeve është një opsion e për me tepër një zgjidhje për situatën e rëndë që po kalon vendi për faktin e thjeshtë se kjo situatë është pikërisht produkt i këtyre marrëveshjeve. Nëse Basha dhe opozita apo edhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë duan me të vërtetë daljen e vendit nga ky kolaps politik vdekjeprurës duhet të projektojnë e të synojnë një ndryshim të pushtetit pa marrëveshje me komunistët dhe kjo realizohet vetëm në se në krye të punëve vihen kauza e individë pa konfliktit interesi me pushtetin 75 vjeçar e interesat e komunistëve. Të tjerat janë lëvizje në vendnumëro që e rëndojnë edhe më shumë situatën kritike që po kalon vendi.