Maqedoni -Mickoski konfirmon zyrtarisht shumicën e re parlamentare

 

Kreu i opozitës, Hristijan Mickoski bëri të ditur publikisht të shtunën (06.11.) shumicën e re parlamentare të formuar nga partia e tij VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit, Lëvizja Besa, Aleancën për Shqiptarët, Alternativa dhe Partia e Majta. “Shpresa për një të ardhme më të mirë fitoi në këto zgjedhje lokale. Këto zgjedhje ishin një referendum për këtë qeveri dhe politikat e saj. Njerëzit me të drejtë mendojnë se Zoran Zaev duhet të bjerë, sepse i tradhtoi pritjet e qytetarëve të Maqedonisë. Ai ka luajtur me dinjitetin e shtetit, derisa popullata po fundoset në varfëri. Kjo qeveri nuk ka kredibilitet pas disfatës në zgjedhjet e fundit. Pas zgjedhjeve në emër të qytetarëve, bashkë me kredibilitetin që na e dhanë qytetarët, u nisëm drejt krijimit të një shumice të re parlamentare si rrugë për rrëzimin e kësaj Qeverie. Kjo shumicë përbëhet nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Lëvijza BESA, e Majta, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Thuhej se është e pamundur, por dëshmuam se bashkë mund të bëjmë shumë gjëra”, ka deklaruar Hristijan Mickoski.

Koha për ndryshime

Sipas Mickoskit, qeveria Zaev e cila krijoi të gjitha problemet në vend po rrëzohet dhe ka ardhur koha për ndryshime.”Ta nxjerrim shtetin nga kriza dhe të bëjmë diçka për qytetarët. Kemi problemet dhe brengat e njëjta. Koha për ndryshime. Qeveria e re do të ndodhë dhe do të jetë qeveri me një kredibilitet serioz, qeveri me të gjitha institucionet që do të krijojë stabilitet. Në rast se nuk arrihet ky qëllim, dhe në rast se nuk arrihet kapaciteti i plotë për luftë kundër korrupsionit dhe luftë kundër krimit dhe kriminalitetit, atëherë ajo që na mbetet janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme parlamentare, që vetë qytetarët të vendosin për të ardhmen e vendit” është shprehur Mickoski.

 

LSDM : VMRO-DPMNE-së i intereson vetëm pushteti

Menjëherë erdhi reagim shumë i shpejtë nga LSDM. Sipas partisë që ende është në pushtet, Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së i intereson vetëm qeverisja pa ndonjë ide politike, pa vlera, pa platformë. “Populli dëgjoi nga Mickoski se qëllimi i tij ishte rrëzimi i Qeverisë me një parti politike që është pjesë e pushtetit aktual-BESA, se do ta çonte vendin përpara, por me partnerin anti-NATO dhe koalicionin antiamerikan- të majtën. Ata që penguan të gjitha proceset progresive, integrimin në NATO dhe BE, rritjen e pagave nuk mund të jenë opsion për të ardhmen”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas LSDM-së, konflikti i parimeve, i pikëpamjeve, i politikave dhe konflikti i vlerave të të gjitha këtyre subjekteve politike të përmendura nga Mickoski nuk mund të japin asgjë për interesin e qytetarëve, as për interesat kombëtare të shtetit. “Do të shohim këto ditë nëse do të zgjidhet një qeveri e re antidemokratike, anti Prespë, anti-NATO dhe anti-BE, nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi. LSDM u bënë thirrje të gjitha forcave demokratike progresiste dhe të gjithë deputetëve që janë për të ardhmen evropiane të vendit tonë, për drejtësi dhe progres ekonomik, të bashkëpunojnë dhe të qëndrojnë me përgjegjësi në krah të opcionit demokratik”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Ahmeti: Jemi në kontakt me partnerët tanë strategjikë

Reagime ka pasur edhe nga kreu i BDI, Ali Ahmeti. Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e Kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet kontaktit intensiv me të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë, NATO-n, BE, është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. “Për zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut jemi në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian. BDI nuk do të veprojë as me emocione e as në eufori” ,ka deklaruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Trajanov: Më e sigurt do të kemi zgjedhje se sa qeveri të re

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LD) Pavle Trajanov ka thënë se shumica e re parlamentare është hyrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai tha se me 61 ose 62 deputetët e shumicës së re, Kuvendi nuk do të jetë stabil dhe pritet të ketë zgjedhje të reja. “Me 61 deputetë apo 62 sa jemi tani, Kuvendi nuk do të jetë stabil, nuk do të mund të mbështesë projektet e propozuara nga Qeveria dhe supozoj se do të jenë hyrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mendoj se ky proces do të zgjasë deri dy muaj dhe mundësitë më të mëdha janë që të ketë zgjedhje të reja, se sa qeveri të re me shumicë të re”, ka thënë Pavle Trajanov.