Maqedoni e Veriut: 54.21 % maqedonas, 29.52% shqiptarë sipas regjistrimit

 

Në numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente, janë regjistruar gjithsej 2.097.319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Përsa i përket popullsisë jorezidente ose qytetarët të cilët kanë emigruar vendeve të jashtme vërehet se numri i shqiptarëve është pothuajse tri herë më i madh. Maqedonasit si popullsi jorezidente janë 24,45%, shqiptarët jo rezidentë janë regjistruar 66,36%, turq 4,79%, romë 1,02%, serbë 0,35%, boshnjakë 0,81%, dhe vllehë 0,19%.

Përssa i përket qytetit të Shkupit, si njësi më e madhe administrative në vend, maqedonas janë deklaruar 58,71% e popullsisë, ndërsa shqiptarë 22,85% e banorëve. Vijojnë turqit me 1,62%, romët me 3,5%, serbët 1,8%, boshnjakët 1,4%, vllehët 0,53%.

Simovski: Regjistrimi i popullsisë përfundoi me sukses

Drejtori i Entit shtetror të Statistikës, Apostol Simovski ka thënë se regjistrimi i popullsisë u krye me sukses.

“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojmë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vite për shpalljen e rezultateve, në këtë e bëmë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, ka deklaruar Simovski.

 

Zëvendësdrejtori i Entit statistikor, Ilmi Selami, ka vlerësuar se është bërë punë e madhe me procesin e regjistrimit, duke pasur parasysh pengesat që kanë hasur. Ai gjithashtu ka thënë se është bërë punë e shkëlqyer me regjistrimin e diasporës.

Ahmeti: Pas 20 viteve kemi pasqyrë të qartë për numrin e popullsisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke komentuar rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në Maqedoni ka thënë se Maqedonia e Veriut pas 20 viteve ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullësisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend.

“Shqiptarët janë 29.5% në popullësinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullësinë rezidente. Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan procesin e regjistrimit në vend dhe diaspor, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka deklaruar Ali Ahmeti.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që u arrit pas luftës së vitit 2001. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendi, shumica e të cilëve janë shqiptarë.