Mandati i kandidates së PS/ Gjykata e Durrësit: Zgjedhjet janë nul!

Kandidatja e PS për Bashkinë Durrës, Valbona Sako, pasi ka fituar përballë kandidates së partisë Bindja Demokratike, në zgjedhjet e 30 Qershorit, ka bërë kërkesë në Gjykatë për konfirmimin e mandatit 4-vjeçar.
Por kjo kërkesë nuk është pranuar nga Gjykata e shkallës së parë në Durrës.
Sipas dokumentit zyrtar, Gjykata ka dhënë argumentimin se procesi nuk është i ligjshëm, pasi Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke i bërë këto zgjedhje nul.
“Partia “Bindja Demokratike” është regjistruar në Gjykatë në datën 24/04/2019, pasi kishte përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve në KQZ, për zgjedhjet vendore.
Gjykata konstaton si akte absolutisht të pavlefshme aktet e mëposhtme:
Vendimi për regjistrimin e “Bindjes Demokratike” për zgjedhjet vendore
Për miratimin e mbajtjes së fletës së votimit
Për nxjerrjen e rezultatit të votimit
Gjykata pasi analizoi çështjen në tërësi, arriti në përfundimin se kërkesa e Valbona Sakos për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës duhet rrëzuar”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Refuzimi i kandidates socialiste në Durrës, është rasti i parë në këtë proces të konfirmimit të kryebashkiakëve socialistë që janë fitues në një proces pa garë, si ai i 30 qershorit.
Kështu, Valbona Sako nuk nuk do të jetë kryetare e Bashkisë së Durrësit, të paktën derisa Gjykata e Apelit ta thotë fjalën e fundit.