Luga e drurit !

Nga Nebil Çika

Në shtëpi kishim një lugë druri,të punuar me dorë që im atë e mbante si një gjë të veçantë, pothuaj si një objekt të shenjtë. Nuk kishte ndonjë vlerë artistike dhe si fëmijë i vogël nuk e kuptoja dot pse im atë i jepte rëndësi kaq të veçantë një luge të thjeshtë druri .
Kur u rrita pak, im at më shpjegoji rëndësinë dhe historinë e sajë :
“Menjëherë pas dënimit me 16 vjet burg pas një hetuesie çnjerëzore, pothuaj një vit, në burgun e tmerrshëm ë Kalasë së Gjirokastrës (7 penxheret) tim at e nisën menjëherë në Burgun e Shkodrës .(Ishte praktikë e komunistëve që të burgosurit politikë nga Jugu i çonin ne Veri dhe ata nga Veriu në Jug, me qëllim që familjet të mos kishin shumë mundësi ti ndihmonin) . Nga qelia në Kalanë e Gjirokastrës e morën në mesnatë, me dhunë dhe të lidhur, pa i dhënë mundësinë të merrte sendet personale.
Pas dy a tre ditë udhëtim mbërriti në Burgun e Shkodrës.
Në mëngjesin e parë këtu, ku nuk njihte ende askënd, i sollën një tas a gavetë me një lloj lëngu që e quanin supë por që im nuk mund ta hante se luga i kishte ngelë në Gjirokastër,bashkë me sendet e tjera personale dhe në këto kushte nuk po hante dot. Në këtë situatë i afrohet një i burgosur tjetër, prift katolik e përshëndet dhe e pyet se nga ishte, kush ishte, sa ishte dënuar e të tjera informacione që të burgosurit shkëmbejnë me njëri- tjetrin. Me një mirësjellje e kujdes të spikatur i thotë : E shoh që nuk paske lugë dhe nuk po ha, po nuk e ke problem po të fal këtë lugë me dru bushi, ma ka dhuruar një besimtar i famullisë sime , është e pa përdorur. Im at e falënderoi, e mori dhe e përdori për një farë kohe derisa nga familja i erdhën të tjera por nuk e hodhi atë lugë. E mbajti nga burgu në burg, nga qelia në qeli dhe e solli në shtëpi kur u lirua, si shenjë, kujtimi, miqësie e respekti ndaj një burri të madh,siç ishte At Pjetër Meshkalla me të cilin u bë edhe mik.”
Me naivitetin e fëmijës një herë e pyeta : Kjo është një lugë e shenjtë? Jo -më tha , por ai që ma ka dhuruar për mua dhe shumë të burgosur te tjerë ishte vërtetë njeri i shenjtë dhe me foli për At Pjetër Meshakallën personalitetin, kulturën dhe veçanërisht qëndresën e tij antikomuniste, një bisedë që u përsërit me qindra herë deri sa ia shkoi në Parajsë .
Im at vdiq në ditën e Krishtlindjeve në 25 dhjetor 2005 , në çdo përvjetor të vdekjes bashkë me kujtimin e tij më rri në mendje edhe At Pjetër Meshkalla dhe luga e tij e drurit, kjo gjë kaq e çmuar në shtëpinë dhe familjen tonë !
Shpresoj shumë që sot ata të jenë takuar sërish e të jenë bashkë në Parajsë me shumë miq, bashkëluftëtarë e bashkëvuajtës të tjerë të burgjeve komuniste !
Lutja ime sot është për shpirtrat e tyre!
Amin !
N.Ç