Luan Rama: Arta Marku monument i mediokritetit ,vetingu është një mejhane korrupsioni, dërkombëtarët e ONM-së, të paaftë 

 

 

Deputeti i LSI-së, Luan Rama shkruan se kryeprokurorja Arta Marku nuk u përball dot me institucionin e vettingut ashtu si kryetari i Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar mungesë respekti për institucionin e vetingut.

Reagimi i plotë i Luan Ramës:

Edhe sot, prokurorja zëvendësuese e Prokurorit të Përgjithshëm, alias Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, ndryshe prej Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e paraqit para Komisionit të Vetingut!

Nuk u paraqit edhe pse e dinte paraprakisht rezultatin!

Arrogancë, mungesë respekti për institucionin e vetingut, frikë prej paaftësisë për t’u ballafaquar sepse nuk di të flasë, kompleks inferioriteti, mungesë vetëdijeje për autoritetin që përfaqëson!

Shkurt, monument i mediokritetit që mbrohet nga qeveria!

Natyrisht që ligji ia njeh të drejtën e përfaqësimit edhe me avokat! Por, avokati nuk mund t’a përfaqësojë e të përgjigjet në emër të Prokurorit të Përgjithshëm, për ato elementë të vlerësimit në procesin e vetingut, që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrës së lartë në krye të organit të akuzës, si për shembull, lidhur me transferimet, komandimet apo uljet ne detyrë të shumë prokurorëve apo edhe për ç’organizimin e Prokurorisë, intimidimin dhe cënimin e pavarësisë profesionale!

Pra janë çështje për të cilat duhej e mund të përgjigjej vetëm ajo, pasi avokatja e saj, nuk disponon çertifikatë sigurie për t’u njohur me informacione që për shkak të detyrës i di vetëm zonja Prokurore që kryen detyrën e Prokurores së Përgjithshme!

Ndërsa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, apo më thjeshtë për lexuesit, Komisioni i Vetingut, edhe pse i poshtëruar dhe i pakonsideruar qoftë edhe formalisht me mosparaqitjen para tij të Prokurores së Përgjithshme, u shfaq i mjerë, si për të na thënë se vetingu është një mejhane korrupsioni që ka përfshirë edhe ndërkombëtarët e ONM-së, të paaftë të mbrojnë e garantojnë integritetin e procesit!