Liberalizoni  vizat për Kosovën- Meta takon reporteren e BE për Shqipërinë, 

Presidenti i vendit Ilir Meta ka pritur sot në një takim reporteren për Shqipërinë, Isabel Santos, të cilën e ka vlerësuar për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të çeljes së negociatave me BE.

Gjatë takimit me Santos, Meta ka shprehur domosdoshmërinë që të liberalizohen vizat dhe me Kosovën, dhe të ketë më shumë bashkëpunim mes vendeve të rajonit.

Santos do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë në Tiranë, në kuadër të vizitës së saj dyditore.

Postimi i Metës:

Kënaqësi të takohesha me Raporteren për Shqipërinë, Eurodeputeten Isabel Santos. Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi. Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë.

Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve.

Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë.