Leviathani i Ramës: Pushteti psikologjik i luftës

 

Nga Ergys Mërtiri

Ndonëse fillimisht nuk i kushtoi asnjë vëmendje, Kryeministri Rama e kuptoi menjëherë se Koronavirusi mund të bëhej një burim i pashterrshëm propagande. Vetëm dy ditë pasi u identifikuan rastet e para, – pasi fillimisht ishte shprehur se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, – retorika e tij ndryshoi kryekëput.

Nga gjuha e shpërfilljes ndaj epidemisë, – çfarë shkaktoi edhe reagimin e opozitës, – ai kaloi në një retorikë alarmi duke paralajmëruar katastrofën. Ai filloi të flasë tashmë për luftë me një armik të padukshëm, bombat e të cilit qendronin jashtë, gati për të shpërthyer sapo të hidhnim hapin përtej pragut të shtëpisë. Ai kërkoi mobilizim të popullsisë, për të jetuar si në rrethim, duke mos dalë nga shtëpitë, e madje duke kursyer edhe vaktet e bukës.

Orë të tëra fjalime online e videoselfie plot patos aktorial, u mbushën me kërcënime që flisnin për male të vdekurish, mure kufomash të pakallura që nuk do të gjenin dot varr, mortjen që pret të na hajë mishin, tmerre spitalore të sëmurësh të asfiksuar që përpëliten për tu mbushur me fryme… Një fantazi e tillë nekrofilike (më shumëse nekrofobike) do ta kishte zili edhe Markezi de Sad për nivelin e perversionit.

Në fakt, edhe liderë të tjerë nëpër Europë folën gjithashtu për një luftë. Por kjo ishte më shumë një metaforë. Termat militarë furnizojnë shpesh retorikën politike, por vetëm në regjimet totalitare ato marrin kuptim të drejtpërdrejtë. Të gjendur përballë një terrori të shkaktuar më shumë nga mediat, disa liderë në perëndim, u detyruan të marrin masa të rrepta, me pasoja të rënda mbi ekonominë. Por sidoqoftë këto masa nuk ishin askund kaq drastike sa në Shqipëri dhe thuajse askund nuk patën fuqi kërcënuese, ndëshkuese e aq më pak penale.

Për Ramën, lufta nuk është aspak metaforë. Në emër të saj ai i jep vetes të drejtë të veprojë me “ligje lufte” duke imponuar me dhunë një disiplinë ushtarake, pa pyetur për të drejtat e individëve. Shkelja e rregullave sipas tij përbën dezertim dhe tradhëti kombëtare. Armiku është i padukshëm, por tradhëtarët janë realë, po kështu edhe dënimet respektive, më të ashprat në botë, pas Kinës. Gjobat, pezullimi i patentës (megjithëse mund të kapesh duke ecur në këmbë), heqja e të drejtës për të përfituar ndihmë ekonomike, e deri tek burgu, – deri në 15 vjet, – janë kamzhiku që tmerron të pabindurit, ata që nuk i frikësohen virusit. Pjesë e këtij spektakli absurd është edhe patrullimi i përditshëm nëpër rrugë i autoblindave ushtarakë, që pozojnë hijerëndë marrëzinë e tyre përballë padukshmërisë së armikut.

Psikologjia e luftës

Gjithçka luhet në fushën e psikologjisë së turmave, të cilën propaganda qeveritare po e shfrytëzon për interesa krejtësisht politike. Bombardimi me idenë se jemi në luftë, se jemi të rrethuar nga një armik i tmerrshëm, është një mekanizëm psikologjik i cili e ndihmon pushtetin të kushtëzojë publikun në funksion të interesave të tij. Ai neutralizon çdo kritikë, çdo përpjekje për gjykime racionale, si dhe çdo kërkesë elementare njerëzore ndaj qeverisë, duke pritur prej saj vetëm shpëtimin e jetëve.

Autorë të shumtë thonë se psikologjia e luftës është një ndër instrumentet kryesorë që përdorin diktaturat për të rritur kontrollin publik duke bërë të mundur nënshtrimin e vullnetshëm të qytetarit. Nga ana tjetër ajo eliminon çdo zë opozitar, duke penguar mendimin e lirë. Liria, arsyeja janë instrumente të tradhëtisë dhe bashkëpunimit me armikut. Përkundrazi, frika dhe bindja, janë gjithçka që na duhet në një gjendje alarmi dhe, në pamundësi për tu shfryrë ndaj virusit, instikti i turmës adresohet ndaj kujtdo që nuk konformohet dhe përpiqet të arsyetojë, për ta shqyer me sulme e akuza në të vetmen luftë reale që ekziston në vend: lufta e brendshme për pushtet.

Gjatë regjimit të Enver Hoxhës, Shqipëria ishte në luftë permanente kundër armiqsh imagjinarë, të cilët na mbanin në shenjestër. Për të kultivuar psikologjinë e luftës në subkoshientin e publikut shteti komunist organizonte vazhdimisht, jo vetëm tubime ku njerëzit informoheshin mbi kërcënimet e huaja, por edhe zbore, orë mësimore ushtarake, e deri edhe tek alarmet stërvitore, ku e gjithë popullsia ngrihej nga shtëpitë, ditën apo natën, për t’u mbyllur nëpër strehime, derisa presupozohej se avionët bombardues të armikut kishin kaluar. Të jetuarit “si në rrethim”, ishte moto e përditshme e jetës kolektive, dhe qytetarët mësoheshin që çdo arritje ta motivonin duke e parë si “plumb për armikun”, ndërsa çdo dështim, si ndihmë ndaj tij. E gjithë kjo, ishte një mekanizëm që imponon pezullimin e kërkesave normale që njerëzit mund të kishin ndaj pushtetit. Në kushte të jashtëzakonshme nuk ka vend për normalen.

Paqja shpirtërore e luftës

Studiuesit thonë se lufta, është gjithashtu një instrument i rëndësishëm për farkëtimin e bashkësisë. Ajo përdoret për të kultivuar artificialisht solidaritetin shoqëror, rreth pushtetit politik. Kur njerëzit janë të kërcënuar ata unifikohen dhe lenë mënjanë dallimet. Lawrence Jacks, filozof anglez i gjysmës së parë të shekullit të kaluar, e ka shpjeguar në një libër të posaçëm sesi lufa iu jep fund dallimeve dhe ndarjeve normale të politikës. Ai evidenton kështu një paradoks, të cilin e quan “paqja shpirtërore e luftës”, ku ajo shfaqet, jo vetëm si një fuqi përbashkuese, por edhe si një forcë të madhe motivuese për të përballuar vështirësitë dhe sakrificat që kërkohen.

Kjo natyrisht që i shërben më së mirë një qeverie në një gjendje të tillë si kjo e Ramës. Lufta realizon solidaritetin e munguar të individit me qeverinë, apo qoftë edhe thjesht, zbehjen e indinjatës popullore ndaj saj. Për më tepër tmerri i shkaktuar prej idesë së një armiku të padukshëm që përgjon pas dere për të të vrarë, e zhvendos plotësisht nevojën për një qeverisje të mirë. Ndjenja e kërcënimit, bën që individët të çlirohen nga mëritë ndaj qeverisë, duke u bashkuar rreth saj, si i vetmi burim shpëtimi.

Sociologët thonë gjithashtu se, ideja e luftës, i jep luftëtarit prestigj përmbi gjithë të tjerët, qofshin këta dijetarë, shkenctarë apo klerikë. Luftëtari adhurohet nga turmat, në sytë e të cilave ai duket plot mençuri morale dhe politike. Rama po e përdor luftën e tij virtuale, si një mjet për të pozuar në profilin e një luftëtari që po shpëton popullin nga vdekja. Atij tashmë i kemi borxh jetën.

Hobbes-i e konsideron instiktin e mbijetesës, si instiktin më themelor të njeriut. Por, i reduktuar këtu, ai mbetet në gjendje primitive, i kyçur në kategorinë e shtazores, si një qenie amorale, asociale dhe apolitike. Në një situatë të tillë ai i nënshtrohet plotësisht pushtetit.

Lufta, e zhvesh politikën nga çdo forcë vepruese përveç frikës. E vetmja kërkesë politike e artikuluar kur njeriut i kërcënohet jeta është shpëtimi prej vdekjes. Në këto kushte ai reduktohet në një qenie thellësisht biologjike ku e vetmja shtysë që e motivon është mbijetesa. Kjo është shoqëria perfekte për çdo pushtet korruptiv.