Letër e hapur / Znj.Genoveva Ruiz-Calavera: Më mirë djepi bosh, se shejtani brenda !

Letër e hapur
Drejtuar: Znj Genoveva Ruiz-Calavera, Drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi (OMN)
E nderuar Znj, Genoveva Ruiz-Calavera!
Ne të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë ndjehemi shumë të shqetësuar nga zhvillimet dhe produkti i deritanishëm i reformës në drejtësi të cilën ju keni marrë përsipër ta monitoroni si përgjegjësi e BE dhe SHBA e garantuar kjo edhe me ligj nga kushtetuta e Shqipërisë.
Ne si shtresa e interesuar e vendosjes në vendit tonë të shtetit ligjor pasi për 45 vjet diktaturë komuniste, por jo vetëm, kemi qënë viktimat e padrejtësisë komuniste, kemi pritur që reforma në drejtësi të hedhi bazat e drejtësisë normale në këtë vend dhe kemi mbështetur çdo përpjekje për ta arritur këtë.
Mirëpo, me keqardhje dhe shqetësim të madh konstatojmë se deri tani produkti i reformës nuk është ai që prisnim, përkundrazi po biem nga shiu në breshër.
Shqetësimi ynë kryesor ka të bëjë me një fenomen që ne e konsiderojmë si rrezik serioz për drejtësinë shqiptare, për ne si shtresë e të përndjekurve politikë të komunizmit por edhe për të gjithë popullin shqiptar: Rikthimin në krye të sistemit të drejtësisë të autorëve të krimeve të komunizmit, krime kundër njerizimit dhe gjenocid dhe e gjitha kjo po ndodh në mos nën bekimin tuja nën miratimin tuaj të heshtur.
Kemi kontaktuar me keqardhje dhe shqetësimi se procesi i vetingut i monitoruar nga Ju ka injoruar në vendimet e marra pjesëmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në proceset politike gjyqësore të diktaturës komuniste duke konsumuar hapur e në mënyrë të përsëritur një shkelje të ligjit. Kjo ka bërë që në institucionet e reja të drejtësisë madje edhe në krye të tyre të emërohen ish pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit, policisë politike të diktaturës hetues, prokurorë e gjyqtarë që kanë qënë pjesë e proceseve politike ndëshkimore ndaj kundërshtarëve të rrëgjimit komunist që karakterizoheshin në të cilat përfshihen tortura, montime, falsifikime dhe dënime të ashpra jo vetëm për ata që dënoheshin ekzekutoheshin ose burgoseshin por edhe për familjarët e tyre përfshi gra pleq e fëmijë që internoheshin e u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut. Nuk bëhet fjalë për pak individë por, sipas vetë statistikave të Sigurimit të Shtetit rreth 35% e popullsisë shqiptare u përndoq politikisht gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe e gjithë kjo u realizua nëpërmjet proceseve dhe vendimeve të hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të diktaturës komuniste.
Gjatë kësaj periudhe ne kemi denoncuar rast pas rasti kalimin e vetingut dhe emërimin në krye të drejtësisë të persekutove tanë politike por nuk kemi parë asnjë herë një reagim tuajin për këtë fenomen tejet negativ të të ashtuquajturës “reformë në drejtësi”.
Për ta bërë më konkret këtë komunikim me ju dhe me publikun po ju përmend disa raste flagrante ku ju keni “shkëlqyer” me heshtjen dhe miratimin tuaj të paktën në publik.

1-Emërimi ne krye te SPAK-ut të Arben Kraja, një ish hetues i Sigurimit të Shtetit në Shkodër 1987-1992.
2-Emërimi Zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Thoma Jano, hetues dhe shef i hetuesisë së Sigurimit të Shtetit në Krujë 1980-1991 autor i dhjetra proceseve hetimore politike komuniste.
3-Emërimi në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) të Ardian Dvoranit nga një prokuror komunist që ka dhënë dënime të rënda politike për kundërshtarët e regjimit komunist si prokuror i diktaturës në Shkodër përfshi edhe ata që rrezuan bustin e Stalinit në 1990.
4- Emërimi në Këshillin i Lartë Gjyqësor (KLGJ) si anëtare Fatmira Luli, gjyqtare në kohën e diktaturës ka dënuar qytetarë pse morën pjesë në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 apo për hyrjen në ambasada.
5-Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) të Bujar Sheshit ish hetues i Sigurimit të Shtetit autor i shumë arrestimeve torturimeve dhe dënimeve politike si hetues në Rrethin e Fierit, sipas AIDSSH edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
6- Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) e Nurihan Seiti, gjyqtare e diktaturës komuniste, ka dënuar disa persona me akuzat e agjitacion propagandë dhe tentim arratisje nga kufiri.
E nderuar znj. Clavera!
Siç edhe mund ta rikujtoni nga këto raste flagrante që ju përmenda me lart produkti i reformës së monitoruar nga ju ka përfunduar me rikthimin në krye të institucioneve kryesore të drejtësisë të ish persekutorëve komunistë të diktaturës më të egër në Evropë. Dhe mos harroni që bëhet fjalë për krime të rënda, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të cilat si nga ligi shqiptar edhe ai ndërkombëtare nuk përshkruhen.
Si zyrtare e lartë e BE që jeni dua t’iu kujtoj se Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që detyron trajtimin e njëjtë të krimeve të stalinizmit dhe nazizmit rezolutë të cilën jeni e detyruar ta zbatoni edhe ju në punën tuaj në krye të OMN, gjë që deri tani nuk na rezulton ta keni bërë.
E nderuar zonjë!
Ne besojmë në standardet dhe vlerat e drejtësisë së BE dhe SHBA që ju përfaqësoni si OMN. Por nuk dimë asnjë rast që një ish pjesëtar i Gestapo SS, prokurorëve apo gjyqtarëve të diktaturës naziste në Evropë të ishte apo të jetë pjese e sistemit të drejtësisë së vendeve të BE e SHBA. Pikërisht këtë standard tuajin dhe rezolutën e BE për krimet e nazizmit dhe komunizmit kishim parasysh kur besuam dhe mbetshëm reformën e imponuar nga partnerët tanë perëndimorë por nuk do na shkonte mendja dhe jemi shumë të zhgënjyer e të dëshpëruar nga standardi krejt i kundërt me ato të vendeve tuaja që po aplikoni në drejtësinë shqiptare. Së paku deri tani ne na rezulton që reforma e monitoruar dhe e udhëhequr nga ju ka përfunduar në një “marrje peng” të drejtësisë shqiptare nga Sigurimi i Shtetit dhe autorë të tjerë të krimeve të komunizmit në Shqipëri.
Une nuk besoj që ju të mos keni pasur dijeni për ketë fenomen pasi në CV e tyre ata e kanë shkruar vetë qenien pjese e gijotinës së përgjakur të diktaturës komuniste. Nga informacioni që ne kemi nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit në proceset e vetingut por edhe të emërimeve në institucionet e reja të drejtësisë në të gjitha rastet ose është shmangur verifikimi i pjesëmarrjes në krime të komunizmit ose është injoruar informacioni i përcjellë nga AIDSSH.
E nderuar zonjë!
Sinqerisht jemi të zhgënjyer nga Ju si OMN! Në se ju jeni këtu për të rikthyer Sigurimin e Shtetit në krye të drejtësisë, gjë që po ndodh realisht, do të kishte qënë më mirë të mos kishit ardhuar fare. “Drejtësinë” komuniste ne e kemi pasur mbi shpinën tonë dhe e dimë mire se çfarë është. Korrupsioni dhe padrejtësia në Shqipëri nuk fillon në 1993 apo në 2017. (Pa)Drejtësia shqiptare që po pretendoni të reformoni është zgjatim në këtë pothuaj demokraci i padrejtësisë komuniste dhe problemi nuk janë ligjet as institucionet por standardi dhe mendësia komuniste e të bërit drejtësi që transmetohet në vazhdimësi kohore nga drejtuesit, hetues, gjykatës e prokurorë të diktuarës komuniste të cilët po riciklohen edhe me të të ashtuquajturën “drejtësi e re”.
Për këto raste ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë: “Më mirë djepi bosh se shejtani brenda”. Në se është kështu më mirë lëreni siç është se sa të harxhoni miliona euro të taksapaguesve evropiane e amerikanë, shumë energji njerëzore e tension politik e social për një reformë produkti i të cilës është që në fillim jo një dështim por një rikthim në diktaturë.
Rënia nga shiu në breshër nuk na bën punë as neve e as juve!
Duke shpresuar ta mirëkuptoni shqetësimin tonë ju uroj gjithë të mirat!

Me respekt!
Nebil Çika
Kryetar i Shqotës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë