Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit (nga letrat e Mit’hat Frashërit)

 

Para dy vitesh, më 14 prill 2016, në numrin 7/2016 të gazetës Atdheu (organ zyrtar i PLL që patëm rifilluar ta nxjerrnim në treg) publikuam artikullin “Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit” ku edhe botuam pjesërisht disa letra të Mit’hat Frashërit drejtuar Mbretit Zog në vitin 1945.

Duke marrë shkas nga kthimi në atdhe i eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe akuzat boshe, bajate dhe patetike që, këto ditë, disa historianë-jetimë të diktaturës dhe peng të origjinës tyre kanë (ri)shfaqur në media, më poshtë gjeni artikullin në fjalë, ku në fund botojmë pjesërisht letrat e sipër-përmendura.

Në këtë korrespondencë, përveç frymës atdhetare vihet re edhe qëndrimi zyrtar i Mit’hat Frashërit dhe Ballit Kombëtar në raport me okupatorin dhe forcat e tjera, kryesisht Legalitetin.

Sipas Mit’hat Frashërit:
• Balli Kombëtar që në fillim ka pasur si princip të shkojë mirë me gjithë Shqiptarët, parti ose grupe qofshin, që ndodhen në Shqipëri, pa dyshim, veç trathtarëvet që thirrën Italinë.
• Balli dhe Zogistët janë si një degë e një trungu me dy çatalle të vegjël në majë, pra në princip nuk kanë asnjë ndryshim.

*****

Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit
(Gazeta Atdheu – Nr 7 – Fq. 14 – 14 Prill 2016)

Gjetja e këtyre letrave të shkruara nga Mit’hat Frashëri për kolonel Hysen Selmanin dhe për dijeni edhe për Mbretin Zog, që dëshmon lidhjen e ngushtë dhe miqësinë e thellë midis dy korifejve të kombëtarizmit shqiptar, Mit’hat Frashërit dhe Abaz Kupit, pavarësisht diferencës në bindjet republikane dhe monarkiste, ishte një befasi e madhe për redaksinë e gazetës “Atdheu”.

Por gjithashtu ishte befasi edhe për faktin se për nga mjeshtëria e të shkruarit ky letërkëmbim i pjesshëm është një kryevepër e publicistikës epistolare të njërit nga mendimtarët më të mëdhenj rilindës të mbramë të shekullit të kaluar, sikundër ishte i madhi Mit’hat Frashëri.

Miqësia e thellë midis Frashërit dhe Kupit buronte para së gjithash prej rolit madhor të sejcilit për çështjen kombëtare dhe për fatet e Kombit. Kauza që këta dy kolosë përplotësues të njëri-tjetrit i mbronin dhe i përfaqësonin, duke qenë njëherazi edhe kryetarë të partive kombëtariste që drejtonin, dhe me ndikim të madh në popull dhe në politikën e kohës.

Mbi të gjitha, respekti i Kupit për Frashërlliun virtuoz të kulturës dhe mendimit, buronte edhe nga fakti i origjinës së tij të shkëlqyer, si bir i Abdylit të madh të Lidhjes së Prizrenit dhe si nip i të mëdhejnve Sami e Naim, ndër Rilindasit më të ndritur të Shqipërisë.

Fati e deshi që, ndërsa Kupi pas rezistencës së 7 dhe 8 Prillit u detyrua të largohej jashtë shtetit ku u muar me përgatitjen e rezistencës antifashiste, Mit’hati në qershor të vitit 1939 krijoi organizatën e Ballit Kombëtar në shtëpinë e tij, në Tiranë.

Pas kthimit në atdhe të Kupit në 1941 dhe kalimit të tij në mal ngaqë ndiqej prej fashistëve, fati i ndihu të takoheshin në male, pasi edhe Frashëri kaloi në ilegalitet pas krijimit të Partisë Balli Kombëtar, në nëntor 1942. Tashmë i pikasur nga fashistët dhe i spiunuar nga komunistët, të cilët e urrenin! Dhe kishin arsye, sepse me fuqinë e mendimit dhe të ideve socialdemokrate europiane, e më pas me Dekalogun e famshëm, Frashëri hidhte në erë propagandën boshe komuniste… E cila në mungesë të “proletariatit” broçkulliste në mënyrë qesharake parulla alla “socialdemokrate”, duke i huazuar dhe interpretuar në mënyrë groteske parimet e barazisë dhe frymës së lirisë e të drejtësisë shoqërore, të vjedhura nga programet e Ballit, të hartuara këto nga Mit’hati, duke u “rivalizuar” kësisoj politikisht me një kolos mendimi dhe nga aradheja e intelektualëve mendjendritur që e pasonin.

Por në fakt shkaku kryesor i urrejtjes së komunistëve ndaj Mit’hatit buronte nga urrejtja e serbëve që kryesonin PKSH-në, ndaj autorit të librit brilant “Shqiptarë dhe sllavë”, që ishte manual i kombëtarizmës antiserbe të shqiptarëve.

Shkak tjetër i urrejtjes së komunistëve kundër Frashërlliut të madh ishte inferioriteti kulturor, intelektual dhe ai i origjinës familjare të tyre, krahasuar me “bijtë e opingës” që popullonin PKSH.

Mbi të gjitha serbët e PKSH nuk mund t’ia falnin Mit’hatit, por as Kupit, stilemat e flamurit kuqezi me shqiponjën dykrerëshe dhe atë të “Shqipërisë Etnike”, që mbronin dhe përfaqësonin që të dy kolosët-miq, teksa Kupi për më tepër përfaqësonte edhe armikun institucional të serbëve, bash “Mbretin e Shqiptarëve…”.

Një arsye tjetër e urrejtjes së komunistëve kundër Frashërit dhe Kupit ishte konsiderata e lartë dhe ndihma konkrete që shefat e lartë të misioneve britanike si Bill Maklini, Xhulian Emeri, Dejvid Smajli dhe Piter Kemp-i kishin për këta dy kolosë, tek të cilët përveç konsideratës reciproke superlative kishin mbështetur edhe shpresat për rezistencën e armatosur të kombëtaristëve shqiptarë, ballistë e zogistë, gjatë LDB.

Por përveç Frashërit, Kupi kishte marrëdhënie të shkëlqyera edhe me miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të tij, Hasan Dostin (me të cilin më pas pinjollët e tij lidhën edhe krushqi familjare), dhe me Abaz Ermenin, me të cilin, në vjeshtën e vitit 1944 Kupi kreu mjaft aksione të përbashkëta në zonat e Ishmit, Prezës, Borizanës, Fushë Kuqes, Gjoles, Milotit, etj., aksione në të cilat morën pjesë edhe miqtë e tyre britanikë e për të cilat u shpreh me superlativa edhe “Radio Londra”.

Por mbi të gjitha, këta dy kolosë, por edhe ballistët e legalistët, i bashkonin deri në vdekje Tapiza dhe Mukja, në të cilat ata ishin protagonistë të marrëveshjeve atdhetare (që rezultuan në krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë Etnike), që tmerruan serbët, Titon dhe komunistët shqiptarë vegla të tyre.

Në Mbledhjen Kombëtare të Tapizës, mbajtur më 26 korrik 1943, në shtëpinë e Ihsan Toptanit, u mblodh delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, i përbërë nga major Abaz Kupi, Myslim Peza, Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla e Mustafa Gjinishi, dhe delegacioni i “Balli Kombëtar”, i përbërë prej Mit’hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Faik Qukut, e ku, me vendim të përbashkët u zgjodh Mit’hat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Mustafa Gjinishi si sekretar.

Dhe më pas në Mukje, në datat 1-2 dhe 3 gusht 1943 u mbajt mbledhja e dytë e delegacioneve të B.K. dhe të “Nacional-Çlirimtares”, e ku në krye të pjesëmarrësve ishin sërish Frashëri, Kupi, Dosti, Dishica, Gjinishi, Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Kadri Cakrani, Isuf Luzaj, Vasil Andoni, etj…

*****

Pjesë nga letra e Mit’hat Frashërit për Mbretin Zog (22 mars 1946)

Reggio Emilia,
Më 22 të Marsit 1946.

I dashur Zoti Petër,

Këndova letrën që i keni dërguar Zotit Vasil (Andoni), me datë 28 Dhjetor 1945. E prita Zotin Hamza Drinin të vinte dhe të bisedonte me mua përsa i shkronte Kolonel Hysen Selmani. Dje erdhi dhe kuvenduam dy orë e gjysmë. I thashë:

“Balli Kombëtar që në fillim ka pasur si princip të shkojë mirë me gjithë Shqiptarët, parti ose grupe qofshin, që ndodhen në Shqipëri, pa dyshim, veç trathtarëvet që thirrën Italinë. Në radhën e parë të grupevet ndodheshe Abaz Kupi, i njohur si partizan i Zogut. Që më 1941 kam kërkuar dhe jam pjekur me të. I kam shpjeguar parimet themelore të Ballit dhe e kam vërtetuar se për punë të regjimit do t’i bindemi dëshirës së popullit, dhe, sa për tani, partija e jonë nuk kishte asnjë vendim, as për Monarki, as për edhe Republikë; por me hiç nonjë mënyrë (me asnjë mënyrë), nuk do të permetonim (lejonim) që të bëhet nonjë propagandë kundër Monarkisë. Individualisht çdo njeri ishte i lirë të jetë monarkist apo republikan, zogist ose antizogist; por si Ballist nuk kishte të drejtë të çfaqte ndonjë ide, pro ose kundër.

Këto pjekje kanë ngjarë disa herë, në vende të ndryshme rreth Tiranës. Bazi na është rrëfyer që në krye se është në një mendje me ne dhe na ka premtuar të ndjekim politikë nacionaliste, domethënë për Indipendencën e Shqipërisë, për kufijt ethnikë të sajë, dhe të kundërshtojë përhapjen dhe fitimin e komunizmës brenda në Shqipëri…

Më 1943, kur i nënëshkruari jam pjekur me Gjeneralin Englez Davies dhe me Kolonelin Nichols, Davies-i pyeti ç’janë relacionet e Ballit Kombëtar me partinë Zogiste. Unë, përpara Bazit dhe 20 njerëzve të tjerë, jam përgjegjur: “Balli dhe Zogistët janë si një degë e një trungu me dy çatalle të vegjël në majë, pra në princip nuk kanë asnjë ndryshim”…

Balli vajti më 1944, në Mars, dhe bëri në Shkodrë Lidhjen e Shkodrës me Zogistët dhe me të ashtu-quajturit “Indipendentë” të asaj Prefekture. Zogistët qenë të përfaqësuar prej Ndoc Çobës, Xhemal Naibit edhe Shefqet Mukës. Më vonë kur ne nisëm prap luftën dhe aksionet kundër Gjermanëvet, kishim bërë qendrë Kalanë e Prezës dhe atje formuam një shtab Ushtarak të përbashkët me nga tre antarë secila, të Ballit dhe të partisë Zogiste…

Pasi erdhëm në Itali, jemi ndodhur afër Barit në kampin e Santa Fara-s, ku unë, sikundër që kisha bërë gjatë kaqë kohe në Tiranë, i proponova Bazit formimin e një komisioni të përbashkët me sa anëtarë të donte ay, komision që të kishte të drejtë të nënshkronte çdo memorandum ose telegraf që mund ta paraqitte nevoja. Në bisedimet atje në Santa Fara u ndodhën prezent edhe Myfti Salih Efendiu (nga Shkodra), Selim Damani dhe Ferit Dervishi. Për fat të keq çështja mbeti pezull, gjersa Englezët e dërguan Bazin përfundimisht në Misir (Egjipt), dhe mua më internuan pesë muaj në një mënyrë më të shtrënguar. Dhe unë, duke parashikuar një largim të tillë prej shoku-shokut, e kisha kërkuar formimin e një komiteti të përbashkët.

Tani kemi pesë muaj e ca që jemi të gjithë bashkë në kamp, këtu në Regio Emilia. Gjithë Ballistët, pa përjashtim, kanë urdhër kategorik, jo tani vetëm, po që15 muaj e tëhu, që të shkojnë në harmoni dhe të rrëfehen me sjellje të mirë karshi Zogistëvet…

Këto janë fjalët, një e nga një dhe tekstualisht, që i kam thënë Z. Major Hamza Drinit në bisedimin e djeshëm që patëm me të. Me zotërinë e tij ne kuvenduam miqësisht dhe u ndamë si miq…

Të lutem, Zoti Petër, të veç dhe t’a pjekish (ta takosh) që atë ditë që do të marrësh këtë letër, Zotin Kolonel Hysen Selmanin, t’i bëjsh të fala nga unë dhe t’ia këndosh letrën në mënyrë të kjartë…

Të fala me shëndet,

Midhat Frashëri

*****

Pjesë nga letra e Mit’hat Frashërit për Mbretin Zog (31 mars 1946)

Reggio Emilia,
31 – 3 – 1946

I dashur Zoti Kolonel (Hysen Selmani, agjutant i Mbretit Zog, asokohe në Aleksandri të Egjiptit).

Dje mora letrën e Zotrisë s’ate të 20 Marsit dhe e këndova me interes të madh. Një javë më parë Major Z. Hamza Drini erdhi e më rrëfeu letrën e Juaj dhe kemi biseduar afro 2 orë me të. Hollësirat e këtij bisedimi ia kam thënë Zotit Petër në një letër, të cilën e kam porositur t’Ju a këndonte.

Është e vërtetë se në Shqipëri kemi qenë tri parti: 1.Partija Nacionaliste, domethënë Balli Kombëtar. 2.Partija Komuniste, domethënë drejt për së drejti ndën urdhërin e Rusisë, dhe 3.Partia Zogiste ndën udhëheqjen e Z. Abaz Kupit. Sot ka edhe nji parti të katërtë, që i thotë vehtes së sajë “Indipendente”, por që në realitet të gjithë janë prej atyre që kanë pregatitur dhe brohoritur ardhjen e Italisë në Shqipëri.

Që më 1942 e gjer më sot kam qenë gjithnjë në kontakt dhe në bisedime me Zotin Bazi dhe i kam proponuar (propozuar) në çdo pjekje që kishim me të, të ketë edhe ay një komitet të partisë së tij, me të cilin komitet të mund të bisedonte edhe partija jonë…

Unë, personalisht, gjithashtu e kam prapë fort mirë edhe me Myftinë, Salih Efendinë, që është fort i nderuarë tek Zogistët…

Me këto fjalë dua t’Ju rrëfenj se vullneti për afrim as edhe durimi nuk më kanë munguar dhe nuk do të më mungojë… Duhet të ndjejnë përgjegjësinë përkundrejt Atdheut dhe detyrën për t’u bashkuar kundër rrezikut të madh në të cilin gjendemi.

Pritni Ju lutem të falat e mija,

Me nderime,

Midhat Frashëri