Landfilli i Përmetit…

Nga Fatjon Dhimitri

Bashkia Përmet  nuk mund t’i lërë në terr informativ qytetarët e Përmetit lidhur me projektin e fshehtë të ndërtimit të Landfillit të plehrave në afërsi të rrugës që të çon në Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës”,  në dalje të fshatit Piskovë.

Qytetarët e revoltuar kërkojnë zbardhjen e Projektit shkatërrues në afërsi të zonës së mbrojtur, i cili në rast se do të vihet në zbatim,  (duke marrë shkas edhe nga rrethimi i zonës e gërmimet e para),    do të passjellë pasoja të parikuperueshme për shëndetin e banorëve të fshatrave përreth, duke helmuar ujin e pijshëm pasi ujesjellësi i fshatit  Piskovë gjendet disa metra larg punimeve. Fataliteti i këtij projekti uzurpues  do të shtrihet drejt kullotave, të mbjellave, si dhe gjasat janë të shkatërroje imazhin turistik  në njërin  prej atraksioneve turistike më të vizituara në vend si  parku kombëtar “Bredhi i Hotovës”, e jo vetëm aq….perdja e djegjes së plehrave  do të mbulojë teqen e Alipostivanit, epiqendra e pelegrinazhit të vizitorëve vendas e  të huaj.

Qytetarët e Përmetit nuk mund të përdoren kurrsesi si mish për top për interesat klanore të asnjë force politike.

Për sa më sipër, bazuar në të drejtën e informimit, do t’i drejtohem me shkresë Bashkisë Përmet, për zbardhjen e Projektit të lartpermendur, si dhe ndjej obligimin qytetar të informoj Presidentin e Republikës, përfaqesitë e huaja të akredituara në vendin tonë lidhur me atë çka sot po ndodh në qytetin e Përmetit!