Lamtumirë Ajnisha Vlora, o grua e denjë, o bijë fisnikësh dhe nënë e të tillëve!

Nga Jozef Radi

Requiem për një zonjë të Vlorajve…
Të nderuar miq!
Me dhimbje të madhe mora vesh largimin nga kjo jetë të një gruaje të rrallë: Ajnisha Vlora, vajzë e atdhetarit të shquar Eqerem Bej Vlora, dhe nënë e mikut tim Ervin Vlora… Këto pak rreshta të shkruar ashtu me ngut, në respekt të kësaj gruaje dhe nëne.
I lehtë i qoftë dheu, dhe i përjetshëm kujtimi i saj! me respekt, Jozef Radi
.

Anjisha Vlora I është larguar kësaj bote të pashpirt një grua e thjeshtë, një nënë e përvuajtur sa s’thuhet, një zonjë e një dere të madhe, një shpirt i madh dertesh të pasosura, ndoshta më të mëdha se vetë sëra e saj!!!
Na është larguar, ashtu në paqe të pazhurmë, në të hyrë pranvere, zonja Ajnisha Vlora, e bija e të madhit Eqerem Bej Vlorës dhe nënë e Ervinit djalë dhimbjesh të mëdha… Ndofta edhe kaq do të mjaftonte për ta përcaktuar këtë grua që jetoi jetime me baba gjallë, që u rrit e terrorizuar dhe interrnuar prej madhështisë së babait të saj, duke vuajtur në heshtje tre gra bashkë, e që shpirti i të triave, mund ta dëshmoje atë të vërtetë, ku njëra mbet “e ve” me burra gjallë, dhe dy vajzat e mitura, jetime “me baba gjallë…”!! Shqipëria do të mbetet një model i i këtyre tragjedive, po në mënyrë të veçantë për Ajnisha Vlorën, Anin e dashur për të gjithë ata që e kanë njohur, dhe kanë mundur të kenë qoftë edhe një shërbim të vogël, prej mirësisë së saj pakufi…
E keqja sado e rëndë të jetë, sado masakrues të jetë pushteti i saj, ka një fund dhe është një
Zot që i sheh nga lart dhe gjykon me qetësinë e tij absolute gjithçka… Askush të mos mendojë se mundet t’i shpëtojë së keqes së vet, po edhe askush të mos dyshojë qe e mira e tij do të shkojë e pavënë re prej askujt…!
Ajnisha Vlora është përfaqëusesja dhe dëshmitarja më sublime e kësaj së vërtete…
. Ajnisha dhe fëmijët në ardhjen e eshtrave të Eqerem bej Vlorës
Mbas humbjes së të Atit, humbjes së motrës dhe nënës, ashtu e sëmurë dhe e braktisur do të kishte ikur edhe Ajnisha prej kësaj bote…! Por jo, ajo duhej të shihte gjithçka që perëndia kishte gatuar për të…! E para ajo do të shihte si binte ajo mortajë që e kishte rënduar dhe shkatërruar shpirtin dhe trupin e saj të brishtë… E dyta do të gëzonte një familje dhe dy fëmijë si drita, sot plot nipër e mbesa të saj; e treta do ta shihte edhe njëherë si njëherë shtëpinë e lindjes dhe të eruditit, Eqerem Vlora, që pakkush nga emrat e lavdishëm të këtij vendi, e kanë mundur një gjë të tillë: sot shtëpia e Vlorajve në këmbë dhe pronë e saj; dhe ta gëzonte ardhjen e babait të saj, ashtu të lavdishëm, të nderuar, të vlerësuar si pakkush është nderuar atje në Kaninën e lartë e me nam të madh; dhe së fundi të jetonte ditë të paqme e pleqëri të kaltërt deri në ditë të sotme, e ashtu me at pamjen e paqme, me fjalën e ëmbël, me atë buzëqeshjen e mëndafshtë dhe mirësinë që i buronte prej së thellë, e të na thoshte: Po iki edhe unë! Ju kam lënë bekimin, gjithë juve që mbeteni pas…!
Ajnisha Vlora provoi gjithçka të kësaj bote… dhe ditën e fundit iu dorëzua qiellit ashtu e paqme dhe e fisshme… siç e kishte jetuar krejt jetën e saj, edhe në ditët më të zeza, që ia dhuruan faqezinjtë e shumtë të djeshëm e të sotëm të këtij vendi…
Lamtumirë Ajnisha, o grua e denjë që i turpëron edhe dhimbjet, lamtumirë o bijë fisnikësh dhe nënë e të tillëve!
24 mars, 2018