Kuvendi i Berishës/ Voltana Ademi: Historia thirri në skenë Partinë…

Kryetarja demokrate e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka mbajtur fjalën e saj sot në Kuvendin historik të Partisë Demokratike, e bashkuar me lëvizjen e nisur nga lideri historik Sali Berisha.

Ademi vuri në dukje në fillim kënaqësinë që ndjen për ata mijëra të rinj e të reja në Kuvend, që janë shpresa e ndryshimit për këtë vend.

“Historia shpeshherë bëhet ciklike. Si në vitet 90, historia thërret në skenë sërish Partinë Demokratike. Në 31 mars 1991, komunistët fituan zgjedhjet e zhvilluara por më pak se një vit më pas, PD arriti të marrë mbi dy të tretat e votave të shqiptarëve duke e shkëputur vendin nga diktatura. Nuk kishte magji. Ishin të njëjtët shqiptarë që e çliruan me votë. Sot gjendeni thuajse në të njëjtën situatë. Qeverisemi nëpërmjet vjedhjes së votave nga nipër e bij të atyre që ishin pjesë e nomeklaturës. Duket e vështirë që kjo kastë të largohet, por në fakt ata janë të dobët të zhytur në korrupsionin e tyre dhe përvetësimin e pushteteve. Ne e kemi një armë që ia kemi provuar suksesin: bashkimin. Gjërat që na bashkojnë jo vetëm si demokratë e shqiptarë janë më shumë se ndasitë e momentit. Me besim tek njeri tjetri dhe shqiptarët vullnetmirë duhet të ringrihemi më të fortë për të rrëzuar regjimin. Partia Demokratike është më e rëndësishme se secili prej nesh, është familja jonë. Ne mund ta bëjmë të gjithë bashkë!”,- tha Ademi.