Kushtetuta është një për të gjithë”, Alibeaj në Këshillin e Legjislacionit: PS e njëanshme

Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit prodhoi përplasjen e parë mes maxhorancës dhe opozitës, ndërsa diskutohej për amendimet kushtetuese. Deputeti i Pd Enkelejd Alibeaj tha se kushtetuata është një për të gjithë dhe se PS sipas tij nuk duhet të jetë e njëanshme.

Shkak i përplasjeve u bë kërkesa e opozitës për të diskutuar së bashku me nismën e socialistëve edhe amendimet kushtetuese të demokratëve për Vetting-un në politikë. Por ndryshe nga demokratët që u larguan përfaqësuesja e LSI-së qëndroi në sallë teksa kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla kërkoi ecjen përpara me nismën kushtetuese të shumicës.

Fjala e Enkelejd Alibeaj ne Komision:

E shoh që ka shumë tension. Nuk duhet të ketë tension në fakt nga pala juaj. Jemi në fillim të fillimit të diskutimit të dy nismave kushtetuese tashmë të depozituara pranë jush. Jo vetëm të depozituata, por edhe të njoftuara prej jush. Jo vetëm të njoftuara, por të futura në kalendarin e punimeve të Kuvendit në të njëjtën pikë.

Kjo nuk është dhe nuk ka se si të jetë Kushtetuta e mazhorancës , por është Kushtetuta e shqiptarëve. Është një akt që duhet parë në çdo rast dhe në çdo këndvështrim pavarësisht tensioneve në mënyrë integrale. Nuk mund të ketë dy Kushtetuta, siç nuk mund të ketë dy shpejtësi që të mund të bëhet ndërhyrja në të. Të mos përfitojmë nga fakti që publiku të mos jetë aq shumë familjar me procedurat, t’i referohemi rregullores, nenit 77/a, i cili përcakton rregullat që ndiqen përgjatë procedurës së rishikimit të Kushtetutës. Ka parashikuar madje edhe hipotezën kur përgjatë shqyrtimit të një amandamenti kushtetues mund të paraqiten të tjera amandamente. Neni 5, futur pikërisht në këtë dispozitë bën fjalë për hipotezën për dy a më shumë iniciativa. Ndërkohë jemi në të njëjtën procedurë e cila ka marrë spunton e saj që nga momenti i parë. Ju e depozituat më datë 15, pak ditë më vonë e depozituam ne. Kushtetuta është një. Më datë 29 tetor, me një tempizëm ekstrem, ditën e 14-të është e drejta juaj, nuk ka asnjë paragjykim, por po ju kujtoj rregulloren: Shqyrtimi mund të fillojë jo më herët, jo më shpejt se sa dy javë, por mund të fillojë dy javë e dy ditë, dy javë e shtatë ditë, ndërkohë kërkesa shumë logjike bazuar në rregullore, është që duke ruajtur të njëjtin tempizëm ju si kryetare e parlamentit, kërkesa e z. Rushaj dhe e gjithë pjesës tonë është që shqyrtimi të fillojë, dy javë e tre ditë, të mërkurën. Ka arsye procedurale, ka arsye edhe në substancë, procedurale është kjo që thotë rregullorja. Ka parashikuar mundësinë që të ketë edhe amandamente gjatë fillimit të shqyrtimit. Në fakt pjesa që kemi depozituar ne është bërë pa filluar ende shqyrtimi, ta konsiderojmë se shqyrtimi fillon sot. Ja përse edhe ju me të drejtë në fakt i njoftuat në seancë. Janë përfshirë në kalendarin e punimeve në të njëjtën pikë sepse është logjike dhe ligjore dhe e fundit në substancë ajo se çfarë kërkohet eventualisht të ndryshohet është Kushtetuta e shqiptarëve që është një trup i vetëm. Ka të njëjtën linjë logjike kushtetuese, ligjore nga shkronja e parë e nenit 1, deri tek shkronja e fundit e nenit të fundit.

Do të thotë çdo lloj ndërhyrje do të duhet parë në harmoni, jo vetëm me njëra-tjetrën, por me të gjithë trupin tjetër të Kushtetutës. Është Alfa e racionalitetit. Së dyti. Me të drejtë përveç pikës së parë, ju keni përcaktuar në rendin e ditës miratimin e proçedurës dhe kalendarit për shqyrtimin e nismës suaj. Pika e tretë, caktimi i relatorëve. Pika e katërt, miratimi i ekspertëve konstucionalist dhe me rradhë. Ju jeni duke thënë, me ç’kuptoj, të ecim me një kalendar tuajin dhe tre ditë më vonë të ecim me një kalendar tonin. Ky është një demaskim i qëndrimit politik.