-Kur të bjerë “komunizma” !

 

Nga Visar Ziti

Nga përtej po zbriste shkallët burri jo dhe aq plak, trup pakët që mua më dukej sikur mbartte një kumt të përtejmë. Me një shqetësim të tillë të përtejshëm, që askush nuk meritonte t’ia dorëzonte, endej i qetë. Dhe veshët si dy gjethe të mëdha, më dukeshin si me dhè, nga që patjetër i kishte rrasur trojeve të lashta, herë njërin dhe herë tjetrin për të dëgjuar zërat e thellësive. Ne andej punonim dhe kështu asgjë nuk na tralliste.
Plaku Ziso Vangjeli gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Historian dhe ushtarak punoi në Paris pastaj në një klub kulturor dhe ju dha të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe. Sipas bisedimeve paraprake do të punonte si pedagog. Ja fali shtetit gjithë bibliotekën e tij, por përfundon në burg.
-Kur të bjerë “komunizma”, – thosh – se do të bjerë “patjatër”, ne do të vuajmë më pas me dekada prej hibridit. Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit. Bijtë e të kuqve do të vijojnë etërit. Ajo përzjerje zelli dhe inati, herë i fshehtë e herë i hapur për etërit e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë dhe më të liq. Nga kundërshtarët e tyre që i urrejnë për vdekje, do të vjedhin idetë, projektet dhe deri slloganet e do t’i propogandojnë më mizorisht për t’i vënë ata në jetë, gjoja si amanete. Dhe do të kërkojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj të kuq dhe kundërshtarët do t’i durojnë sa për sfond. Do të kërkojnë të bëhen ata pronarë dhe që të mbrohen do të bëjnë ata politikë që etërit e tyre e rroposën ose e luftuan gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur as kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, janë të papërvojë. Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Gjatë, mjaft gjatë. Hibridët janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë e njerëzit do të mendojnë diktaturën si zgjidhje. Burg i detyruar. Liri e detyruar. Kaos dhe llum. Pra pas dënimit me burg, populli do të dënohet me liri qorre. Liria qorre është dënim. Se ne nuk do të dimë ç’t’i bëjmë asaj si një gjëje të tepërt. Do ta përdhunojmë si barbarët. Unë nuk do të jem atëherë. Ju do të jeni. Mbahe mend dhe kujtomë. S’ke ç’bën, jo. Veç kujtomë mua, plakun.

*Marre nga Romani “Ferri i Çarë”