Kur hynë komunistët !

Nga Av. Ndre Molla

🔹️Kam shkruar e do të shkruaj të gjitha herët për 26 Tetorin. Sepse kjo ditë është kufiri ndarës dhe bashkues me dy të këqija njëherësh, largimit të gjermanëve e ardhjes së rusve e jugosllavëve në trojet shqiptare, që sillen rrotull si hiena për të shqyer në trupin e saj edhe sot e kësaj dite. Kurr nuk ka ndodhur që në të njëjtën ditë të ndodhi edhe çlirimi edhe pushtimi si në rastin tonë. Komunistët e festojnë si ditën e çlirimit të Mirditës.
🔹️Kurse unë e kujtoj, nuk e festoj. E kujtoj si ditën e pushtimit e kalvarit të gjatë të vuajtjeve të tmerrshme të Mirditës time.
🔹️Të gjithë moshatarët e mi dhe jo vetëm, e kujtojnë 26 Tetorin, sepse nëse sot do të ishim nën komunizëm, që në orët e para të mëngjezit do këndohej e vallzohej, do kishim parakalime shallkuqësh që kurr nuk qenë partizanë, marrshime njerëzish kockë e lëkurë si populli më i lumtur në botë.
🔹️Rrugët e Rrëshenit do ishin mbushur me sigurimsa, spiunë të fshehtë e AGBV (anëtar të grupeve të bashkëpunimit vullnetarë), për të kontrolluar cdo lëvizje të armikut të klasës, për të bërë veshët pipëz, se cfarë flet armiku i klasës, e për të realizuar planin e arrestimeve.
🔹️Tërheqjen e gjermanëve (jo nga sulmet e partizanëve), duke shfrytëzuar rrugëkalim Mirditën, e konsiderojnë komunistët si ditën e çlirimit të Mirditës për meritë të tyre.
🔹️E vërteta është se masakra e nazistëve në fshatin Gëziq ishte me pasoja, por që kurrsesi nuk ishte një betejë në mes palëve, se nuk pat betejë, e askush nuk luftoi, se asnjë gjerman nuk u vra. Propaganda 76 vjeçare komuniste, si manipuluesja më e paskrupullt e historisë, nuk ka aspak lidhje me të vërtetën e Mirditës. E vërteta e fryrë ngjanë me gënjeshtrën.
🔹️Pavarsisht propagandës, duhet pranuar, se atë ditë, me 26 Tetor 1944 e kryen kalimin nëpër Mirditë nazistët. E nuk ka kurrgjë të quhet si dita e LIRIMIT të MIRDITËS prej këmbës së ushtarit të huaj, qoftë edhe në mënyrë simbolike.
🔹️E vërteta është se, në asnjë rast Mirdita nuk është pushtuar nga të huajt. Ka vazhduar vetqeverisja e saj edhe pas themelimit të shtetit shqiptar, edhe pas konsolidimit të shtetit shqiptar nën Mbretni, madje edhe pas çdo pushtimi të pjesës tjetër të Shqipërisë. E kjo falë sakrificës mbinjerzore të mirditasve nën udhërrëfimin dijetar e shpirtnor të Kishës, të prirë prej Derës së Parë të Gjonmarkajve e Bajraktarve të saj.
🔹️Ky Lirim jo për meritë të partizanëve, brenda ditës u kthye në PUSHTIM. Pushtim prej vërteti, i vetmi pushtim real që i kishte ndodhur Mirditës në të gjithë historinë e saj.
🔹️Hynë komunistët. Kështu thuhej, njëlloj si me thënë hynë rusët e serbet, njëlloj sikur thamë hyri italiani, hyri gjermani, veqse me qizme më e rëndë se qizmja naziste në kalim.
🔹️Hynë duke kryer masakra e terror mbi popullsinë që nga Selita deri në Fanë. Organizuan bandat e armatosura me partizanë pas mbarimit të luftës (se me kë luftonin partizanët në një Mirditë krejt të lirë vetëm komunistët mund ta dinë).
🔹️Brigadat Kriminale të Ndjekjes shkatërruan bazën princërore 500 vjeçare, simbolin e qëndresës antiosmane, SELINË E MIRDITËS Sarajet e Gjonmarkajve në OROSH. Futën vllavrasjen e mbollën terror. Më pas lëshuan në pritë për ta ekzekutuar forcat antikomuniste edhe kreun komunist te Mirditës Bardhok Biba, me qëllimin e vetëm për të ushtruar genocid dhe nënshtruar Krahinën kurr të pushtuar, Mirditën tonë të dashur.
️E parqesin ditën e 26 Tetorit 1944 sikur u zhvilluan beteja të ashpra për çlirim. Në fakt e vërteta është se, për një ditë nazizmi kishte masakruar 13 mirditas fshatarë të zakonshëm në Gëziq me 26 Tetor gjatë kalimit të tyre për në Veri të Ballkanit e më tej në frontin e Lindjes. Masakra ishte e tmerrshme sepse la të vrarë 13 mirditas të popullsisë civile, si për të na lënë kujtim fytyrën e vërtetë kriminale e çnjerzore të nazizmit.
🔹️Si për të fituar garën me nazistët gjermanë, pas vetëm 5 vjetësh që kishin ikur nazistët, komunistët masakruan, varën e pushkatuan 14 burra për një ditë, në sy të popullit të mbledhur me detyrim, ndër burrat e shtëpive më të mira të Mirditës dhe edhe numerikisht komunistët e fituan garën me nazistët në vrasje mirditorësh.
🔹️Sidoqoftë, duhet thënë se Mirdita në Luftën Antifashiste e kishte përfaqësuesin e saj, strategun e vërtetë Gjin Marka Toma, i cili mbetet Gjenerali mirditas që e përfaqësoi denjësisht e heroikisht Mirditën në frontin e kësaj lufte. Kjo nuk ka pikë dyshimi. Vetëm se ishte mirditas, vdiq prej masakrimit që i bënë “çlirimtarët” horrat partizanë, në birucat e pushtetit te shokëve të tij.
🔹️Problemi për Mirditën është shumë më i thellë se sa nje ditë kujtimi. Për komunistët Mirdita fillon me 26 Tetor 1944. Edhe për Nacionalistët kjo datë është e rëndësishme sepse shënon rënjen e Mirditës në dorë të komunistëve. Për herë të parë në gjithë historinë e saj Mirdita e humb vetqeverisjen.
🔹️Por, kjo datë, nuk mund të jetë dhe nuk është data më e rëndësishme për Mirditën. Mbetet vetëm një ditë për historianët, për të shënuar një kronologji ngjarjesh të dhimbshme që do të vazhdonin gjatë.
🔹️Në historinë e luftrave ka gjithmonë një bilanc në mes asaj që fiton dhe asaj që humb. Nuk ka bilanc më të hidhur se sa ardhja e fashizmit dhe komunizmit, dy monstrave më të rrezikshme në Shqipëri, e posaqërisht në Mirditën kurr të pushtuar deri në 1944-ën. Prandaj nuk e ndjenë kush si festë këtë ditë, përpos si ditën e fillimit të së keqes së madhe. Do të mbetet gjithmonë kjo ditë në kujtesë si çlirim-pushtimi i njëkohshëm. Por kurrsesi ditë krenarie. Le të krenohet kush të dojë me këtë datë. Unë nuk kam asnjë motiv për të festuar. Nuk mund të festohet ardhja e të keqes më të madhe që i ka ndodhur Mirditës.
🔹️E vërteta është se, përveq një date të kalimit të gjermanëve nëpër Mirditë, si datë e shënuar në historinë e Luftës së Dytë Botërore, bash kurrgja tjetër nuk ka se cfarë të na bëj të gëzohemi e të krenohemi si popull i Mirdites.
🔹️Por problemi nuk është qëndrimi ndaj kësaj dite.
Problemi është pasoja që ka sjellë komunizmi në Mirditë dhe në psikikën kolektive të saj. Akoma sot e kësaj dite, mirditasit vazhdojnë të jenë të ndarë, vazhdojnë ballëpërballë, duke mos e pranuar njëri-tjetrin dhe të vërtetën. Akoma festojmë si fitimtarë e të mundur, kur në fakt kishte vetëm të humbur. Kur ta kuptojnë këtë do jetë ringritja e vërtetë e Mirditës. Nuk ka në botë një ideologji tjetër më përqarëse se sa ideologjia komuniste.
🔹️Ja se çfarë ndodh në këndvështrimet e palëve. Njëra thotë, Bardhok Biba (i ri 25 vjeçar) ishte udhëheqës i madh i Mirditës!!!. Të tjerët thonë se u bë me rrënuesit e shkatërruesit e Mirditës.
Në fakt, ka të vërteta në këtë mes.
#️⃣#️⃣POR ÇFARË PRODHOI 26 TETORI 1944 PËR MIRDITËN?
#Sëpari:
🔹️Në krye të herës duhet pohuar se Mirdita nuk kishte asnjë lidhje me ideologjinë komuniste. Mirdita i përkiste vetëm ideologjisë kombëtare e fetare, e konsoliduar në mëvetësinë e saj të vetadministrimit sipas rregullit kanunor për më shumë se 500 vjet e udhëhequr nga fryma kristiane europianiste.
🔹️Nuk kam pikë dyshimi se, edhe Bardhok Biba mundet të ketë qënë plotësisht i interesuar për të mirën e Mirditës. Ndoshta edhe mosha e tij fare e re, rënja në kontakt me ideologjinë sllavo-komuniste ndikuan, por praktikisht u lidh me armiqtë më të egër të Mirditës e Shqipërisë, me komunistët sllav. Kjo është kaq e vërtetë sa vetë shkatërrimi që i ndodhi historisë Mirditës. Jam i bindur se nuk e shmangte dot B. Biba genocidin komunist në Mirditë. Por as nuk u mundua ta pengonte, se e dinte fundin e tij.
🔹️Historia post 26 Tetori është historia më e dhimbëshme e Mirditës në gjithë historinë e saj. Ju vra Kapidani, u djegën e shkatrruan simboli princëror i saj, Selia vetqeverisëse Sarajet e Gjonmarkajve, gërmadha e të cilave, bashkë me ABACINË, edhe sot e kësaj dite presin të ringrihen si reflektim. Ju shkatërrua besimi për të cilin kishin qëndruar për 2000 vjet.
🔹️U pushkatuan pa gjyq përfaqësues të rezistencës kundër komunizmit. E, për hirë të së vërtetës, të gjitha këto ndodhën në segmentin kohor 26 Tetor 1944 deri me 7 Gusht 1949, kur flitej se asgjë nuk bëhej pa dijeninë e Bardhok Bibës. Komunistët sllavorus anadollakë si Enver Hoxha e Mehmet Shehu, jo vetëm bënin terror edhe pa dijeninë e Bardhok Bibës, por, në mendjen e tyre flinte padyshim momenti kur do ti rezervonin plumbin Bardhokut, si armik me prejardhje kapidanati, siq ndodhi me të gjithë ata eksponentë të familjeve të mëdha, të cilët ranë prè e ideologjisë komuniste.
🔹️Unë jam i bindur se, nuk ka qënë kaq bujar krimineli Enver Hoxha me ja lënë të gjitha në dorë Bardhok Bibës. Nuk ka besuar kurr në të. Ai udhëhiqej vetëm nga pabesia.
#Sëdyti:
🔹️Vrasja e Bardhok Bibës ishte thjeshtë e parakohëshme, sepse do të ndodhte me patjetër. Pas përdorjes për kryerjen e misionit të nënshtrimit me forcë të Mirditës, eleminimi i tij i sigurtë ishte çështje kohe.
🔹️Caktimi i Bardhok Bibës në krye të pushtetit komunist të Mirditës, ishte pabesia më e madhe e Enver Hoxha ndaj Mirditës, i cili qëllimisht kishte vendosur një përfaqësues të Derës së Gjonmarkajve, sepse ndryshe kurr nuk mund ta nënshtronte Mirditën. Enver Hoxha kurr nuk e ka dashur si komunist Bardhok Bibën, por vetëm si figurë që mund të manipulonte mendjen e mirditorëve. Besoj e dini se çfarë ndodhi me Gjeneralin më të shquar të luftës Mirditasin Gjin Marka Toma. Dhe pra ishte shumë më i rëndësishëm se Bardhok Biba për luftën antifashiste, ishte drejtues i luftës dhe anëtar themelues i PKSH-së.
🔹️Por, për hir të vërtetës, nxitimin e diktatorit përbindësh, për të gjetur rastin me larë hesapet me Mirditën, e ndikoi edhe qëndresa antikomuniste e Mirditës, lufta me armë në dorë e nacinalistëve nën udhëheqjen e Kapidanit të Mirditës Markut Gjonit, i cili ishte kthyer në udhëheqës jo vetëm i luftës kundër mortajës komuniste, por edhe udhëheqës idealist i tyre, me tipare burrnore, mençuri, intelektualizëm, atdhetari e moral të lartë njerzor që e karakterizonte.
🔹️Se si ndodhi vrasja e B.Bibës është çeshtje fakti historik. E rëndësishme është se cfarë ndodhi pas vrasjes së tij. Sepse kështu na jepet mundësia të kuptojmë se kujt i shërbej vrasja e tij.
Pyetjet vetiu lindin:
A vazhduan masakrat dhe genocidi mbi Krahinën e Mirditës, pas vrasjes se B. Bibës?
A u vranë, burgosën e internuan dhjetra e qindra përfaqësues ma në za’ të Mirditës?
A u kthye Toka e Katedraleve 2000 vjeqare në gërmadhe me shkatërrimin e Kishave e vrasjen dhe burgosjen e Klerit Katolik?
A mund të më thotë dikush se, nëse nuk do vritej Bardhok Biba në 1949-ën, nuk do ti ndodhte Mirditës masakra 45 vjeqare e komunizmit kundër jetës, kulturës dhe besimit të saj?
Atëhere, për çfarë duhet të gëzohemi me 26 Tetor? Se pas 6 vjetësh masakroi Të Lumen Marije Tuci? Unë nuk jam për të festuar 26 Tetorin. As për të festuar 24 Tetorin 1950 kur kriminelët komunistë i morën jetën murgeshës mësuese Marije Tucit. Këto janë Ditë të kujtesës së madhe, ditë të reflektimit të madh.
🔹️Unë mirkuptoj cilindo qe ka mendim tjetër. Por, e verteta është se, datat që lidhen me komunizmin, Mirditës time i kujtojnë veqse të zeza, veçse dhimbje, veçse varre të padrejta, përqarje e shtrëmbërime të historisë, veçse varfëri, skamje e mjerim. I kujtojnë ardhjen e regjimit ma antinjerzor, antiKrisht e antiZot.
🔹️Nuk jam për tu gëzuar për këto data, aq më pak për të festuar. Jam për ti kujtuar, për ti mbajtur mend mirë, e për të mos i lënë kurr të përsëriten, as pushtimin fashist as pushtimin sllavo-rus komunist. Unë jam për Sheshin Marije Tuci para Katedrales. Nuk jam për ata të 26 Tetorit që e kryqëzuan.
Agim Picaku, të lumtë për reagimin tuaj fisnik e intelektual!
🔹️Kurr, asgjë nuk do ndryshoje nëse nuk jemi të gatshëm të pranojmë të vërtetën. Vetëm mbi të vërteta lind reflektimi e garantohet ecja përpara. Sa më shumë mendje të lira bashkë, aq më mirë për Mirditën e Shqipërinë. Asgjë nuk ngrihet mbi bazën e urrejtjes, as mbi bazën e kujtimit të saj.
🔹️Sigurisht se kam nderimin ma të madh kush rroku pushkën kundër pushtuesit nazifashist e kundër komunizmit sllav. Lavdi ju qoftë! Por…ma sëpari jam për Mirditën time të dashur!
26 Tetor 2020