Kur Berisha u ngall si Feniksi në vitin 1997!

Enver Bytyçi
Ishte viti 1994, dy vite pasi demokratët erdhën në pushtet në SHBA, kur nisi tatëpjeta e parë e zotit Berisha në raportet me Uashingtonin. Fati e deshi që ish-presidenti i kohës të përballej në një konflikt me Greqinë. U burgosën krerët e OMONIA-s. Retorika anti-greke arriti kulmin në Shqipëri. Ndërkaq qeveria greke ndërmori aksionin e spastrimit “Fshesa”, përmes të cilit dëboi mijëra emigrantë shqiptarë nga Greqia. Ndërkaq lobi grek në SHBA kishte miq të shumtë në administratën Clinton. Ata ia arritën që ta paraqesin Sali Berishën si “rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon”! Vetë Doktori nuk mund ta fshihte patriotizmin e tij dhe ky lloj patriotizmi u bë lëndë e parë për ta akuzuar atë si “lider destabilizues”! Administrata amerikane filloi ta kondiserojë si të tillë. Nacionalizmi agresiv i Milosheviçit dhe Tuxhmanit shihej dhe ishte rrezik për Ballkanin. Dhe patriotizmi i Berishës u konsiderua si destabilizues. Amerikës i duhej një lidership kozmopolit në Shqipëri, me qëllim ruajtjen e ekulibrave të paqes në rajon. Ndërsa sot duket se liderishipi pervers bën punë më shumë se patriotizmi.
Ndërkaq kundërshtarët e tij socialistë dhe krijesat e partiçkave që dolën nga PD gjetën rastin të bashkohen me Athinën dhe lobin grek në SHBA e kësisoj të krijonin “frontin e përbashkët” anti-Berisha. Iu bashkuan lobit grek edhe disa figura afër ose brenda Partisë Demokratike. Zef Brozi dhe Eduard Selami ishin nga të parët. Ndërsa Neritan Ceka, Arben Imami e të tjerë që krijuan Aleancën Demokratike kishte kohë që kishin marrë rolin e opozitës së egër anti-Berisha. Të dy këta, së bashku me Spartak Ngjelën, morën rrugën për në Beograd dhe u takuan me Sllobodan Milosheviçin. Ngjela në kthim tha se e kishte takuar diktatorin serb dhe për këtë kishte raportuar te presidentit shqiptar, Berisha. Ndërkohë PS dhe kundërshtarët e tjerë të ish-presidentit shpikën “një takim në Ohër midis Gligorov, Milosheviçit dhe Berishës”, me qëllim që të krijojnë barazpeshën e qëndrimeve jo atdhetare! As djajtë e ferrit nuk mund të sajonin shpikje kaq perverse, vetëm e vetëm që të krijonin balancën e anti-shqiptarizmit me Berishën!
Në këto kohë Sali Berisha mori goditjen e parë: Humbi referendumin për kushtetutën! Lobi grek shfrytëzoi rastin dhe e linçoi presidentin e Shqipërisë në sytë e lidershipit amerikan. Partia Socialiste e paraqiti atë kushtetutë si projekt të vendosjes së diktaturës në vend. Ndërsa sot kjo parti ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe e ka kthyer vendin në situatën e vitit 1991, ndoshta edhe më keq.
Kjo situatë e një konflikti të pashpallur vazhdoi për disa muaj, derisa katër krerët e OMONIA-s u liruan nga burgu. Pas kësaj Berisha u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Clinton në maj të vitit 1995. Ishte kjo vizita e dytë e presidentit shqiptar në zyrën ovale. Pas këtij momenti e deri në ditët e sotme asnjë lider politik i Shqipërisë nuk është pritur në Uashington me nderime e ceremoni zyrtare si Berisha. Rezultat i kësaj vizite ishte nënshkrimi 10 muaj më vonë i Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, mars 1996. Nënshkrimi i atij traktati midis presidentit shqiptar, Sali Berisha dhe presidentit të Greqisë, Stefanopollus, u konsiderua si fundi i tensioneve në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës zyrtare.
Por kjo ishte një rrenë e madhe! Kundërshtarët e ish-presidentit në Shqipëri nuk qenë të kënaqur. Ata panë se sa i fuqishëm ishte lobi grek në SHBA dhe morën mbështetjen e fuqishme të Athinës për ta rrëzuar Sali Berishën nga pushteti. Ndaj vendosën lidhjet midis tyre me qëllim që të koordinonin punën e ta risillnin Partinë Socialiste në pushtet. Kësisoj zgjedhjet e 26 majit 1996 u bënë pjesë e lëvizjes anti-Berisha. Eshtë koha e bojktotit të zgjedhjeve të 26 majit dhe manipulimit të tyre pas bojkotit! Këtu fillon rrënimi i përkohshëm i Sali Berishës! Megjithëse ai i kishte të fituara ato zgjedhje, bojkoti I socialistëve I shndërroi ato në zgjedhje anti-demokratike. Shpallja e tij non-grata nga Sekretari Blinken është si një limonadë krahasuar me atë që i ndodhi atij në vitin 1997.
Pjesë e kësaj situate ishte gjithashtu gazeta “Albania”. Ajo konsiderohej si gazeta e presidentit Berisha dhe në fakt pati mbështetjen e tij të parezerva. Madje në qarqet e gazetarisë së kohës ish-presidenti thirrej si “kryeredaktor” i kësaj gazete. Do të duhet një libër më vete për t’i thënë të gjitha të vërtetat në marrëdhëniet e kësaj gazete me Berishën. Por është fakt se drejtuesit e “Albania”-s fabrikuan shumë dezinformacione me të cilat e rënduan pozitën e zotit Berisha në marrëdhëniet e tij me ndërkombëtarët, duke ia dëmtuar atij njëkohësisht imazhin brenda vendit.Vetë doktori i pëlqente në të shumtën e rasteve gjetjet manipulative të “bashkëpunëtorëve” të tij në këtë gazetë. Shpesh herë u jepte atyre merita, duke i marrë spekullimet si ngjarje të vërteta, pasi të tilla ia paraqisnin Mero dhe Ylli, e më pak Astriti.
Mero Baze p.sh fabrikoi në një nga netët e para zgjedhjeve letrën e famshme të guralecëve të Fatos Nanos për Servet Pëllumbin dhe kryesinë e Partisë Socialiste. U bë bujë e madhe me një letër të falsifikuar në redaksinë e kësaj gazete, ndërkohë që Berishës I thanë se “letra ishte origjinale dhe e shkruar nga dora e të burgosurit të Bënçës, kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Ndërkaq PS ia arriti qëllimit të vet. Bojkotoi zgjedhjet dhe të bllokoi përkrahjen amerikane për qeverisjen e PD-së dhe presidentin Berisha. Mundi që shumë shpejt, pas katër vitesh të ndryshimit të sistemit të bëhej faktor në Shqipëri. Ndihëmuan për këtë skemat piramidale, të cilat çuan në krizën e paharruar të vitit 1997. Ngjarjet e mëvonëshme janë pasqyrë e ndodhive të pazakonta , historinë e së cilës e ka shkruar dhe përshkruar shumë qartë ish-bashkëpunëtori i Doktor Berishës, Mero Baze, në librin e tij “Realitete shqiptaro-amerikane”.
Sado të mundohemi sot ta zbulojmë të vërtetën, ajo e vërtetë nuk qartësohet në masën e pasqyrimit të autorit të këtij libri. Por ajo që dua të ve në dukje ka të bëjë më atë se Sali Berisha u sulmua ashpër nga “amerikanët” e ambasadës në Rrugën e Elbasanit! Kishin ndryshuar rrethanat. Tashmë në krye të ambasadës amerikane në Shqipëri kishim një të preferuar të lobit grek në SHBA. Anti-komunizmi nuk ishte më në filozofinë e qëndresës amerikane. Madje më 13 mars ndodhi ngjarja më e rëndë e të gjitha kohëve. Pati breshëri armësh kundër presidencës shqiptare. U tha se ishin shërbimet amerikane, ato të cilat e organizuan atë sulm të armatosur. Megjithatë kurrë nuk e morëm vesh se si ka ndodhur kjo ngjarje. As ish-presidenti Berisha nuk ka folur asnjëherë për këtë.Nuk dihet gjithashtu nëse ata donin ta trembnin presidentin apo donin ta likuidonin atë!
Pas kësaj ngjarjeje dhe zhvillimeve të vitit 1997 askush nuk besoi më se lideri i Partisë Demokratike dhe presidenti shqiptar mund të rehabilitohej, jo më të shkelte në SHBA. Ishte më shumë se shpallje “person non-grata”! Ishte kjo përpjekje jo vetëm për eleminimin politik, por edhe për eleminimin fizik të tij! Kohë e çuditshme! Por jo dhe aq, kur dimë se Georg Tenet, një shqiptar i vetëshpallur si grek, ishte në krye të shërbimit sekret amerikan, CIA-s! Megjithatë sekretarja e Shtetit Olbright nuk e shpalli Berishën “person non grata”, ndonëse praktikisht situata ishte më e rëndë se kaq. Lobi grek në SHBA kishte mundur të sponsorizonte deri deklarata të tilla e absurde të Stej Departamentit, me të cilat Berisha akuzohej për favorizim të terrorizmit! Ishin akuzat shumë të rënda të sponsorizuara nga Partia Socialiste, nga Greqia zyrtare dhe lobet greke në Amerikë.
Të mbijetoje në kushte të tilla ishte si të kryeje ritualin e Feniksit. Unë nuk besoj se do të gjendej ndonjë lider në botë, përveç Berishës, që në kushtet e rrethanat e vitit 1997-ës do të mund të mbijetonte! Sali Berisha jo vetëm i mbijetoi luftës civile të nxiture drejtuar nga kundërshtarët e tij brenda vendit , si dhe nga Athina e greko-amerikanët, por arriti të rivijë në pushtet. Ai qëndroi fort! Nuk u mposht! Në qëndresën e tij ish-presidenti shqiptar ishte më shumë se unikal. Mund të qëndrojë Edi Rama 100 vite në pushtet, por historia e sfidave të Sali Berishës nuk do të përsëritet as në 1000 vitet e ardhshme!