Kujtimi dhe vlerësimi për Mbretin Zog – detyrim dhe respekt ndaj historisë së shtetit shqipëtar

(126 vjetori i lindjes, 8 tetor 1895-2021)

*Nga Ekrem Spahiu

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, për nga statura e tij si personalitet politik, për nga kohëzgjatja e tij në krye të shtetit dhe sidomos për nga momenti krucial historik kur qeverisi Shqipërinë, përbën referencën e domosdoshme të historisë politike të shtetit shqiptar.

Ai u thirr nga koha për t’iu përkushtuar kombit shqiptar dhe Shqipërisë në momente vendimtare historike. Ndërgjegjja e tij kombëtare, e trashëguar nga fisi i tij, e kultivuar nga prindët e tij dhe nga shkollimet që kreu, e bëri atë një luftëtar të madh për çështjen kombëtare.

Ahmet Zogu, përveçse ishte një ndër protagonistët kryesorë për thirrjen dhe organizimin e Kongesit të Lushnjës, pati edhe besimin për sigurimin e tij. Në vlerësim të angazhimit sipëror të tij në këtë ngjarje historike, në qeverinë e dalë nga ai Kongres, Ahmet Zogu u emërua Ministër i Brendshëm. Disa kohë më pas, duke qenë i zgjedhur edhe në funksionin e lartë të Kryeministrit, ai u përball me atentat kundër tij brenda Kuvendit Kushtetues. Por, për të mos lejuar ndërlikimin e mëtejshëm politik të situatës dhe, për rrjedhim, destabilizimin dhe sigurinë e vendit, ai dha shembullin e shtetarit të përgjegjshëm, i cili, duke vlerësuar në radhë të parë fatet e vendit, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Duke patur referencë kërkesat për një shtet demokratik në të cilin vullneti i popullit i përcaktuar me zgjedhje, nuk mund të tjetërsohet në asnjë formë tjetër sikurse ishte rasti i “revolucionit” të qershorit të vitit 1924, Ahmet Zogu, me vendim të qeverisë “Vrioni”, por edhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, në 24 dhjetor 1924, i riktheu legjitimitetin shtetit. Në vlerësim të këtij kontributi kushtetues, më 6 janar 1925, Këshilli i Naltë e dekreton Ahmet Zogun Kryeministër dhe Ministër të Brendshëm.
Në këto funksione të larta, Ahmet Zogu dha mesazhin e vlerësuar si nga brënda, edhe nga jashtë vendit se legjitimiteti është referenca e vetme dhe e pazëvendësueshme për një shtet sikurse e kërkonte koha. Kjo i dha mundësinë e rivendosjes së menjëhershme të stabilitetit në vend, duke mundësuar po ashtu, nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake, çka forcoi ndjeshëm pozitat e Shqipërisë.
Shpallja e Shqipërisë “Mbretëri” dhe e Ahmet Zogut “Mbret i Shqiptarëve” përbënte një domosdoshmëri tjetër historike, si e vetmja alternativë për të mënjanuar rreziqet dhe kërcënimet e gjithfarëllojshme, nga brenda e nga jashtë vendit, që iu sulën Shqipërisë midis dy luftërave botërore.
Në këtë mision të lartë, Mbreti Zog I, kreu reformimin e plotë të kuadrit ligjor, të institucioneve dhe gjithë jetës së vendit, konsolidoi rendin dhe sigurinë, krijoi administratën e munguar të shtetit, shenjtëroi pronën private, etj. Me politikat e ndjekura, u garantua lëvizja e lirë me një pasaportë të denjë për të paraqitur identitetin shqiptar në çdo vend të botës, u masivizua arsimi kombëtar, etj. Ishte pikërisht Mbretëria shqiptare që krijoi kuadrin e nevojshëm shtetëror për t’i dhënë individualitet dhe dinjitet institucional besimeve fetare, njësosj siç i gëzonin në vende të tjera.

Vendet perëndimore, midis tyre SHBA, jo vetëm që e njohën menjëherë Mbretërinë Shqiptare, por edhe zhvilluan marrëdhënie gjithnjë në rritje, çka pothuajse i kishin munguar Shqipërisë deri në atë kohë, e madje i mungoi edhe gjysmë shekulli më pas.

Mbreti Zog angazhoi të gjitha potencialet për sensibilizimin e popullit shqiptar, me qëllim që të krijohej një sfond gjithëpërfshirës kombëtar qëndrese ndaj pushtimit fashist italian dhe, ndërkohë, mobilizoi forcat ushtarake dhe ato të xhandarmërisë, me të cilat u organizua qëndresa ushtarake me armë. Ai nuk i la hapësirë tjetër Italisë fashiste, nuk iu dorëzua ultimatumeve të saj, prandaj ajo e planifikoi dhe e zbatoi pushtimin e Shqipërisë vetëm me operacion ushtarak. Në kushtet e pamundësisë për të ndalur ekspansionin fashist i cili nuk lakmonte vetëm Shqipërinë, Mbreti Zog, pasi mbajti gjallë qëndresën për aq kohë sa ishte e mundur, me vendim të Parlamentit u largua nga vendi, duke besuar në të drejtën juridike ndërkombëtare sipas së cilës, kur pushtuesi pritet me qëndresë të organizuar ushtarake dhe qeveria legjitime nuk dorëzohet, ajo qeveri vijon të ruajë të drejtat legjitime.
Gjatë shpërnguljes së detyruar nga atdheu, Mbreti Zog u mirëprit në disa vende, por qëndrimin më të gjatë, që prej vitit 1941 e pati në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, e cila ishte ndër tre Aleatët e Mëdhenj të luftës kundër nazi-fashizmit. Aty qëndroi deri në përfundim të luftës.
Mbreti Zog ndërroi jetë jashtë Atdheut, të cilit ai i kushtoi jetën. Me rënien e regjimit komunist, i cili synoi të fshijë personalitetin, kontributet dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, ai është memorializuar e përjetësuar në të gjithë Shqipërinë.
Për të gjitha këto arsye, Mbreti Zog I ka qenë dhe do të vijojë të zejë një vend qendror në historinë e Shqipërisë. Ai ndërtoi një shtet modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor. Ai e lidhi të gjithë jetën e tij me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, prandaj përkujtimi i ditëlindjes së tij dhe vlerësimi i personalitetit dhe kontributeve të tij si shtetar i madh, është detyrim dhe respekt për historinë tonë kombëtare dhe shtetërore.

*ish – deputet & kryetar i PLL