Ku ta gjej Krishtlindjen?

Nga Dom Gjergj Meta

Mendoni paksa: ndërkohë që në pallatet e Herodit zdërhalleshin ose bënin komplote pushteti e në Tempullin e Anës e Kajfës, priftërinj të korruptuar nga paratë dhe pushteti ofronin fli e hidhin kem, kinse për të nderuar Hyjin, Jezusi hyn nga një derë tjetër, në heshtje, pa zhurmë, madje i zbuar nga indiferenca, pasi për të nuk u gjet një banesë.
Është kjo një dramë që në historinë e njerëzimit luhet edhe sot e kësaj dite. Krishtlindja po vjen, po troket në dyert tona, ajo ndërkohë po avancon. Ajo nuk kthehet mbrapsht, sepse Hyji nuk i kthen mbrapsht premtimet e tija. Gjithë çështja është se a do të gjenden dyer të hapura për lindjen e foshnjes. A mos vallë të zënë me zbukurimet, komplotet, kreninë dhe arrogancën, do të na gjejë indiferentë? Si ta kuptojmë që ai ka trokitur dhe se ka kaluar pranë nesh duke lypur një vend për të lindur?
Mos të lodhemi kot! Nuk do ta gjejmë as në pallatet e pushtetit civil apo religjioz, as në kishat madhështore që mbushen plot vetëm për ditë festash, as në sheshet e zbukuruara.
Do ta gjejmë vetëm nëse hapim dyert e zemrave dhe të shtëpive për ata që në heshtje e me gjysëm zëri thonë: sot kam humbur punën, nuk kam me çka të blej ilaçet, me çfarë të paguaj dritat dhe ujin, kam bërë mijëra km duke i ikur luftës, jam e dhunuar, e diskriminuar, e vjedhur, jam shtegtar, i uritur, i etur, jam i vetmuar e pa njeri. Aty apo! Aty do ta gjejmë Zotin e jetës i bërë njësh me njerëz, sepse ai e ka vendosur tendën e tij mes njerëzish dhe udhëton bashkë me ta.
Ditë të bukur!
D. Gjergji