Ku po shkojmë ?

Alma N. Lico

Një publikim i dokumentuar dhe denoncim i bërë nga ish Drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, Zoti Agron Tufa, për veprimtarinë e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Xhavit Shala, aktualisht në funksione të larta drejtuese në Policinë e Shtetit, më solli në kujtesë disa detaje shtesë rreth figurës së tij.
Këtë individ e njoh në të dy epokat. E kam njohur në vitet 1988, kur si një hijenë vërtitej në zonën e Dumresë, ku edhe shërbente me devotshmëri për fuqizimin e armës së diktaturës së proletariatit, duke shantazhuar keqas bashkëvuajtësit e mi në internim, për t’u bërë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Refuzimi nga ana e tyre pasohej nga kërcënime për të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve, të cilët sipas tij do të vdisnin baltrave të atyre fshatrave, ku do të ishin të dënuar për gjithë jetën, pa kthim.
E “ritakova” sërish në vitin famëkeq 1997, të kthyer në strukturat e Policisë së Shtetit, ku në vazhdimësi e deri aktualisht punon në këtë institucion. Madje në role të larta drejtuese. U ndodha në të njejtin Institucion me njerin nga shërbëtorët kriminalë të diktaturës, teksa sllogani i pseudodemokracisë “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” më rrihte si çekan në kokë. Pra ishim të njëjtë. Xhelatët dhe viktimat të barabartë. Por demagogjia tallëse dhe e pështirë e “Bashkëfajtorëve dhe bashkëvuajtësve” nuk nevojitej të përdorej në pafundësi nga pinjollët e kamufluar të komunizmit. Ky sllogan absurd shërbeu si tymnajë vetëm gjatë viteve të para pas “rënies” së diktaturës, pasi më pas ata ju rikthyen sërish revanshit sundues e përçarës.
Reformat komuniste të spastrimit nga administrata të atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë, veçanërisht ajo e vitit 2014, hodhi në rrugë qindra-mijëra, pavarësisht se si punonjës të atij institucioni policor quheshin të depolitizuar.
Ndërsa shërbëtorit të devotshëm, ish-sigurimsit Xhavit Shala, nuk ju prek asnjë fije floku. Vazhdoi dhe vijon të punojë i nderuar, i patrazuar e të “kontribuojë” për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe për fuqizimin e shtetin “demokratik”. Viktimat e komunizmit që sakrifikuan disa breza të familjes për demokracinë, përfunduan të flakur, pa mjete jetese, dhe në shumicë morën rrugën e emigrimit.
Periudha 30-vjeçare post-komuniste vërtetoi katërcipërisht se klasa aktuale politike, me lidhje të forta të së kaluarës diktatoriale, nuk ka aspak vullnet të dënojë krimet e komunizmit dhe ekzekutuesit e tyre. Ndonëse ky hap përveçse detyrim moral, është gjithashtu edhe ligjor.
Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, (ish-komuniste) , dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Por, për fat të keq, pothuajse asnjë prej pikave të kësaj Rezolute nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar gati 14 vite nga miratimi i saj.

Kjo situatë papërgjegjshmërie e paligjshmërie ka degjeneruar deri në atë pikë, sa përpjekjet dhe puna serioze e pasionante e Zotit Agron Tufa, për të hedhur dritë e dokumentuar sipas ligjit krimet monstruoze të komunizmit, u pasua me kërcënime për jetën e tij dhe atë të familjes. Ato janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen publikisht nga persona të lidhur drejtpërdrejt me krimet e komunizmit, të cilët, për fat të keq janë ende sot e kësaj dite në majat e institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Asnjë masë ndëshkuese për autorët, ndonëse kërcënimi për shkak të detyrës përbën vepër penale. Helmi i “Braho-ve”; “Brokaj-ve”; “Tarifa-ve”; etj, vazhdon të derdhet mbi jetët tona.
Kjo ngjarje e pazakontë e fundvitit 2019, duhet të mbulojë me turp e të bëjë të reflektojë çdo shqiptar. Si mundemi të pranojmë në heshtje atentate të tilla, të drejtuara kundër jetës dhe lirisë ? Ku po shkojmë???
Trishtueshëm, më kujtohen herë pas here disa vargje të Bardhyl Londos, shkruar në vitet e para të “demokracisë” :
të fituarit , të fituar ;
të mundurit, të mundur në përjetësi ;
po qe kështu, mos ardhsh kurrë demokraci…