Ku ndryshojnë shkrimtarët komunist Neruda dhe Kadare 

Nga Marsida Najdeni

Këtë mëngjes karantinimi, që kam hyrë në javën e pestë, seç mu kujtuan dy shkrimtarë komunist, mbasi s’ka shumë që lexova një artikull në New York Times për Nerudën e famshëm. Pablo Neruda publikisht e ka adhuruar Stalinin, ka patur mardhënie të mira me Batistën dhe Kastron. Pra, nuk është ndonjë sekret i madh fakti se Pablo ishte komunist. Lind pyetja, se çfarë lloj komunisti qe Pablo? Pikërisht këtë histori e mësova tek artikulli “Një mësim mbi emigracionin nga Pablo Neruda” botuar në të madhen New York Times më 21 shkurt 2018 nga Ariel Dorfman.

Në 4 gusht të vitit 1939 anija Winnipeg u nis drejt Kilit me 2000 refugjatë spanjoll brenda, të cilët largoheshin për të shpëtuar kokën nga Spanja e Frankos. Disa muaj më përpara Franko kishte marr qeverisjen e vendit. Rreprezalet qenë të shumta. Po ç’hyn Pablo Neruda këtu? Vetëm 34 vjeçare ai ishte tashme një poet mjaft i njohur. Ishte ndërhyrja e shkrimtarit tek presidenti i Kilit në ato vite z. Pedro Aguirre Cerda, të cilit i mbushi mendien se këta njerëz do të vriteshin po mos t’u jepej një atdhe i dytë. Jo vetëm kaq, mbasi presidenti pranoi, Pablo mori përsipër gjithë projektin. Të gjeje fonde për të lëvizur 2000 veta nga Spanja në Francë, që të hypnin në anije për të shkuar në Kili duke i mbajtur me të ngrëna etj, kërkonte një dedikim marramandës. Duke përdorur emrin e tij të famshëm në botën latine ai mblodhi fondet e duhura. Një guxim jo vetëm nga Pablo, por dhe nga ana e Kilit. Ky komunist puro shfaqi dashuri e dhembshuri karshi mijra personave. Dikush mund të thotë e bëri për idealet e Partisë, për të shpëtuar komunistët e tij, etj. Unë shoh një akt human dhe një mëshire të madhe. Jo të gjithë që u shpëtuan ishin komunistë, ndër ta me dhjetra fëmi.

Nga ana tjetër kemi rastin e Ismail Kadaresë, lolos së Partisë Komuniste Shqiptare, i cili ashtu si Pablo e mbajti veten komunist, e tani na hiqet anti-komunist. Në vitin 1974 shkruante për një të vdekur, një i vdekur i madh i kombit si At Gjergj Fishta, i cili mbet pa varr prej komunistëve, por gjithësesi Ismaili nuk fshaq kurrfarë mëshire.

Në gazetën “Zëri i Popullit” më 13 janar 1974, faqe 3, kemi artikullin e titulluar “Realizmi socilist, arti i madh i revolucionit” nga Ismail Kadare. E lexojmë si më posht.

Artikulli 1974: “Në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shoku Enver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheu esencën e vërtetë konservatore të borgjezisë dhe të revizionistit të sotëm. ‘Karakter konservator – thotë shoku Enver, – kanë jo vetëm ideologjitë e vjetra që vinë nga thellësitë e shekujve, por edhe ideologjia e kultura e sotme e degjeneruar borgjeze e revizioniste, i gjithë liberalizmi e modernizmi i tyre’.
Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë.
Cili ka qenë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift.
Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë.
Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar.
Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh.”

Këto shkruajti Ismailua që ju bëftë Enveri dhe Partia kurban.
Çfarë na mëson Pablo dhe Ismaili?
Mos i lini besimet politike t’ju humbasin shpirtin. Humanizmi brenda nesh duhet gjithmonë të triumfojë, paçka çdo rrethane.