Kthesa e LDK-së në rezultatet për kuvende komunale

 

Doruntina Baliu -RFE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë e para për nga numri i votave në zgjedhjet e 17 tetorit për kuvendet komunale në Kosovë.

Kjo parti ka shënuar një rikthim krahasuar me rezultatin në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën rreth 8 muaj më parë, më 14 shkurt 2021.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, LDK-ja kishte fituar mbi 12 për qind të votave, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar mbi 50 për qind të votave.

Kush, ku fitoi?
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) në lidhje me zgjedhjet për kuvendet komunale, LDK-ja ka dalë e para me mbi 170 mijë vota pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me mbi 168 mijë vota.

E treta, sipas këtyre rezultateve, renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 161 mijë vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) ishte e katërta për nga numri i votave me mbi 90 mijë sosh.

Pas shpalljes së këtyre rezultateve zgjedhore, partitë dhe individët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

Rikujtojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Lidhja Demokratike kishte dalë partia e parë me mbi 181 mijë vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës kishte dalë e dyta me mbi 167 mijë vota. Në zgjedhjet e 2017-s, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë më shumë se 119 mijë vota, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte marrë mbi 100 mijë vota.

Qytetarë e analistë po e vlerësojnë rezultatin e zgjedhjeve komunale të 17 tetorit 2021 si një pikë kthese dhe mësim për të gjitha partitë në lidhje me zgjedhjet lokale dhe ruajtjen e elektoratit.

Vota si shpërblim dhe ndëshkim për partitë
Megjithëse doli e para në zgjedhje lokale për kuvendet komunale, LDK-ja nuk ka shënuar rikthim pozitiv sipas Mumin Murturit, qytetar nga Prishtina.

Murturi, me profesion inxhinier, thotë se zgjedhjet parlamentare dallojnë nga ato lokale dhe ndryshimet në vota janë normale:

“Normale janë këto ndërrime. LDK-ja akoma ka shumë punë për të bërë për t’u kthyer ku ka qenë”.

Sabedin Makolli me prejardhje nga Lugina e Preshevës që jeton në Prishtinë thotë se rezultatet për kuvendet komunale po tregojnë një ndëshkim për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

LVV-ja pa asnjë komunë përballë partive tjera fituese
“Janë zhgënjyer populli me partinë në pushtet. Do të ishte dashur të jetë mësim. Është i rëndësishëm kandidati, duhet të votohet kandidati,jo partia”, thotë ai.

Ndërkaq, votën e qytetarëve në zgjedhje lokale po e sheh ndëshkuese për disa e shpërblyese për të tjerët Ismet Rexhepi që jeton në Prishtinë:

“Si për inati [kanë votuar] ndaj të gjitha partive”.

Në zgjedhjet lokale është votuar veçmas për kandidatin për kryetar të komunës dhe veçmas për kandidatët për anëtarë të kuvendeve komunale.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna të Kosovës do të duhet të zhvillojnë rundin e dytë të zgjedhjeve më 14 nëntor, për ta kuptuar emrin e kryetarit të komunës.

Mushkolaj: LDK-ja duhet ta shfrytëzojë këtë rezultat
Rezultatet e zgjedhjeve lokale për kuvende komunale duhet të jenë mësim për të paktën dy parti, sipas analistit Imer Mushkolaj.

“Natyrisht, që është rezultat shpresëdhënës për LDK-në duke pasur parasysh goditjen e madhe që mori në zgjedhjet nacionale”, thotë ai.

Ai thotë megjithatë se“njerëzit nuk votojnë në zgjedhjet lokale domosdoshmërisht me logjikën si kanë votuar në zgjedhjet nacionale”.

Sipas Mushkolajt, këtë rezultat “LDK-ja do të duhej ta shfrytëzonte ose do të duhej t’i shërbente si njëfarë shtytjeje për rikthim me rezultat më të mirë në zgjedhje nacionale”.

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, për Radion Evropa e Lirë e ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve për kuvende komunale duke e quajtur të jashtëzakonshëm.

“E shohim si kthim besimi në LDK dhe si vlerësim të kandidatëve tanë. Elektorati i Kosovës dëshmon se vrojton, vlerëson dhe në fund voton në bazë të bindjeve të veta”, ka thënë Gashi.

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa kishte ofruar dorëheqjen e tij pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Udhëheqësinë e LDK-së më 14 mars të vitit 2021 e mori Lumir Abdixhiku.

Në anën tjetër, mësim nga rezultatet e zgjedhjeve për kuvende komunale, sipas Imer Mushkolajt, duhet të marrë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Duke qenë partia më e madhe në vend, natyrisht se Vetëvendosja sikur e shfaqi arrogancën e numrave karshi situatës në zgjedhje lokale”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë të martës nuk kanë komentuar rezultatin e zgjedhjeve për kuvendet komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) të enjten ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Sipas këtyre rezultateve, 21 komuna do të garojnë në rundin e dytë në balotazh, ndërsa në 17 komuna është vendosur fituesi në rundin e parë.

Rezultatet për të gjitha komunat, veç e veç, mund t’i gjeni duke klikuar në artikullin më poshtë: