“Kryetari i ri” i Bashkisë Devoll me policë në punë, Nallbati: Unë jam kryetari i ligjshëm

“Kryetari i ri” i Bashkisë Devoll i dalë nga zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit, Eduard Duro, sot në ditën e parë të punës shkoi me forca të shumëta policore.
Ndërkohë Ish-Kryetari i Bashkisë Devoll, Bledion Nallbati, i shoqëruar nga qytetarët e Devollit dhe mbështetësit e opozitës, ishte nisur në punë ndërsa u ndalua nga policia e cila ka filluar zbatimin e planit kriminal të Edi Ramës në shkelje të plotë edhe të Dekretit të Presidentit të Republikës.
“Bashkia u dhunua në prezencë të deputetëve dhe prefektit të Korçës. Brenda bashkisë ka forca speciale. Unë jam kryetari i ligjshëm i bashkisë,i zgjedhur nga 59 për qind e qytetarëve. Do jem këtu çdo ditë,24 orë në ditë. Do të vazhdoj t’u shërbej qytetarëve. Bashkia është pushtuar. Nuk di çka ndodhur me dokumentacionin që ndodhet në zyra. Administrata nuk mund të hyjë në bashki dhe të nisë punën nën terrorin e policisë,” tha Nallbati duke qartësuar se nuk është ai uzurpator por ata të Partisë Socialiste që shqyen derën dhe dhunuan zyrat.
“Unë do vazhdoj të shërbej dhe të punoj edhe pse më kanë zënë zyrën. Këta le të mbajnë zyrat unë do punoj jashtë në terren me banorët. Unë jam këtu, sot e çdo ditë për të vijuar punën. Por nuk jam uzurpator, nuk dhunoj ambientet.”.
Për kryetarin e “Bashkisë që do Edi Rama”, Eduard Duro, normale është të shkosh në punë me një tufë policësh edhe kur nuk të duan qytetarët: “Një pjesë e punonjësve kanë hyrë në zyrë. Policinë e kam thirrur unë pasi kisha informacion se do bëhej ky tubim. Po pres që të gjithë punonjësit e tjerë të hyjnë në zyrë. Ish-Kryetari nuk pranoi të largohej ndaj u detyruam të veprojmë kështu. Unë kam patur takime edhe me punonjësit ditën e shtunë. Ata do vijnë në punë.”