Kryetari i PS-së  palgos me kallash fqinjin e tij 

Detaje të reja dalin për ngjarjen e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Vukël të Malësisë së Madhe, ku një person ka mbetur i plagosur ndërsa autori është vënë në pranga.

Burime nga policia thanë se, autori i kësaj plagosje me kallashnikov është kryetari i degës së Partisë Socialiste të Kelmendit, Vasel Vuçinaj. Ai ka qëlluar dhe ka plagosur me armë kallashnikov rreth orës 22:00 Mark Zef Cekajn në fshatin Vukël, Kelmend, Malësi e Madhe.

Njoftimi i policisë për ngjarjen

Me datë 25. 02. 2018 , në orët e para të mëngjesit, është marrë njoftim te Salla Operative se në fshatin Vukël, Malësi e Madhe, ka të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda , forcat policore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe si dhe një grup i FNSH Shkodër për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e autorëve.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Vasel Vuçinaj ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesës së shtetasit M. Ç., 51 vjeç, banues në Vukël, i cili ka mbetur i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital , paraprakisht jashtë rreziku për jetën.

Pas një pune të mirëorganizuar të forcave policore të ndodhura në vendngjarje, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje së bashku me armën e krimit, konkretisht:

Vasel Vuçinaj, 49 vjeç, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatik si dhe në vendngjarje nga këqyrja u sekuestruan 12 gëzhoja.

Po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.