Kryesia, më 22 Gusht shpërbërja e Parlamentit ne Kosove

Kryesia e Parlamentit të Kosovë sot ka vendosur që më 22 gusht të zhvillohet seanca për shpërbërjen e Parlamentit.
Grupet parlamentare PDK, LDK, AAK, NISMA u deklaruar se janë pajtuar me datën.
Avdullah Hoti nga LDK tha se në Kryesi janë pajtuar njëzëri që seanca të mbahet më 22 gusht. Po kështu u shpreh edhe Ahmeti Isufi i AAK-së si dhe Memli Krasniqi nga PDK. Ndërkohë Bilall Sherifi nga NISMA tha se zgjedhjet do mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.
Para shpërbërjes së Parlamentit krerët e grupeve parlamentar ranë dakors të miratohen edhe fondet e IPA-së.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se sot vendimmarrja ishte konsensuale:
“Është vendim që shkon në interes të qytetarëve të vendit. Falënderoj të gjitha grupet parlamentare që iu përgjigjën thirrjes sime për caktim të datës së shpërndarjes së kuvendit që i hapë rrugë presidentit të vendit që të dekretojë pas vendimit tonë edhe datën e zgjedhjeve,” tha Veseli duke përsëritur se e vetmja e zgjidhje kur ka dilema janë qytetarët – janë zgjedhjet.
“Nuk janë vetëm opsion por drejtim dhe vendim i duhur për qytetarët. Ky vend ka nevojë për vendosmëri, për hapje të perspektivës për të jetuar në Kosovë. Vendit tonë i duhet edhe mençuri strategjike për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin dhe këto arrihen kur kemi një shtet të zhvilluar, një shtet në luftë të hapur kundër korrupsionit dhe partnerët tanë strategjik,” tha Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli duke e bërë të qartë se përveç datës së shpërndarjes së Parlamentit, afërisht dihet edhe data e zgjedhjeve.
Ndryshe, shpërbërja e Parlamentit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë vijnë pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj i cili mori ftesën si i pandehur në Gjykatën Speciale në Hagë.