Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dorëzon dorëheqjen në parlament, ja kur pritet të miratohet

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev e dorëzoi sot dorëheqjen e tij në parlament, që pritet të miratohet në një seancë të nesërme. Ai e pati paralajmëruar dorëheqjen më 31 tetor, pas humbjes së thellë të social-demokratëve në zgjedhjet lokale. Ndërkohë, Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski gjatë fjalimit të fundvitit në parlament, theksoi se nuk do të ketë destabilizim të vendit nga zvarritja e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri maqedonas në largim, Zoran Zaev e dorëzoi në parlament dorëheqjen e paralajmëruar më 31 tetor. Sipas pritjeve, dorëheqja do të konstatohet, përkatësisht do të miratohet në seancën e së enjtes në parlament.

Me dorëheqjen e kryeministrit, i gjithë kabineti qeveritar do të jetë në dorëheqje, ndërsa do të qëndrojë në detyrë deri sa të zgjidhet kabineti i ri. Lidhur me dorëheqjen e kryeministri Zaev, presidenti Pendarovski tha se është një akt për t’u përshëndetur “sepse kjo rrallë haset edhe në demokracitë moderne”.

“Ai tërhiqet ndërkohë që partia e tij është në pushtet, për dallim nga 2017-a kur nuk mundnim të sigurojmë bartjen paqësore të pushtetit. Kur ardhja dhe mbetja e dikujt në pushtet është kauza e vetme në jetën e dikujt, kjo e hap derën për ndarje dhe konflikte”, tha presidenti maqedonas gjatë fjalimit të fundvitit në parlament.

Zoti Zaev ka zgjedhur pasardhësin e tij në krye të partisë Lidhja Social Demokrate; ai është Dimitar Kovaçevski, i cili pritet ta marrë edhe drejtimin e qeverisë. Zoran Zaev qëndroi për tetë vjet në krye të partisë.

Gjatë qeverisjes së tij u arrit Marrëvershja e Prespes me Greqinë, duke i dhënë fund problemit shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë. Atij i përshkruhen meritat për këtë dhe rrjedhimisht anëtarësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, megjithëse, opozita maqedonase jo rrallë i drejtohej kryeministrit me fjalë fyese, si ‘tradhtar i çështjes kombëtare dhe identitare maqedonase’ për shkak të ndryshimit të emrit në ‘Maqedonia e Veriut’.

Por, më në fund, edhe opozita duket se po pajtohet me realitetin e ri, teksa eksponentë të saj kanë lënë të kuptohet se nuk mund të mos e përdorin referencën kushtetuese ‘Maqedonia e Veriut,’ në komunikim ndërkombëtar.

Pas miratimit të dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i vendit duhet që në një afat prej dhjetë ditësh t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re një politikani, i cili garanton shumicën prej 61 votash në parlament. Mandatari do të ketë një afat prej 20 ditësh që ta bëjë kabinetin qeveritar.

Ndërkohë, presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit në parlament u kërkoi një minutë heshtje deputetëve për nder të viktimave të autobusit në Bullgari më 23 nëntor.

Presidenti, tha se nuk ka rrezik nga destabilizimi i sigurisë së vendit nëse vazhdon bllokimi i proceseve integruese evropiane për Maqedoninë e Veriut. Ai tha se qytetarët e vendit të tij mund të rrinë të qetë sa i përket kësaj, por se për rrjedhojë mund të ketë kthesë prapa të proceseve demokratike dhe forma të qeverisjes autoritare të ndonjë individi apo partie. Por, përgjegjësinë për këtë, sipas tij, nuk do ta bartin qytetarët, por ”ne politikanët”, u shpreh ai.

Presidenti maqedonas theksoi se nuk ka nevojë të shpejtohet me bisedimet me Bullgarinë sa i përket bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, ai vuri në dukje dëshpërimin e popullatës së Maqedonisë së Veriut lidhur me këtë. Ai i quajti të papranueshme konstatimet bullgare për ç’bullgarizimin e Maqedonisë së Veriut, madje të theksuara edhe nga ambasadorët e vendeve të BE-së në Shkup.

Zoti Pendarovski u ndal edhe tek reformat në fushën e sundimit të ligjit, duke thënë se duhet të ketë vendime gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm, duke përmendur mes tjerash tragjedinë me autobusin në Bullgari. Ai tha se në vend mbretëron bindja për kulturën e mosdënimit.