Kryeministri britanik Boris Johnson rezulton pozitiv për koronavirusin

 

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha të premten se kishte rezultuar pozitiv për koronavirusin dhe po vetëizolohej, por se do të vazhdonte të drejtonte qeverinë në përgjigje të epidemisë.

Një zëdhënës i tij tha se 55 vjeçari Johnson, kishte pasur simptoma të lehta të enjten, një ditë pasi mori pjesë në një seancë pyetje-përgjigjesh në Dhomën e Komuneve.

Nuk është ende e qartë se sa anëtarë të stafit të tij dhe ministra do të duhet të izolohen, duke pasur parasysh se shumë prej tyre kanë pasur kontakt me zotin Johnson gjatë ditëve dhe javëve të fundit.

Kur britanikët nderuan me duartrokitje punonjësit e shëndetësisë të enjten në mbrëmje, zoti Johnson dhe Ministri i tij i Financave

Rishi Sunak, dolën nga dy hyrje të ndryshme të rezidencës qeveritare dhe nuk patën kontakt me njëri-tjetrin.

Deri tani, 578 vetë në Mbretërinë e Bashkuara kanë vdekur nga koronavirusi dhe numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në

11,658. Britania radhitet e shtata në botë për nga numri i rasteve, pas Italisë, Spanjës, Kinës, Iranit, Francës dhe Sheteteve të Bashkuara.

Princi Charles,71 vjeç, trashëgimtari i kurorës, rezultoi pozitiv për koronavirusin, por është tani në gjendje të mirë dhe po vetëizolohet në rezidencën e tij në Skoci me simptoma të lehta së bashku me gruan e tij, Camilla e cila ka rezultuar negative ndaj virusit.