Kriza e Coronës: Ku është Evropa?

Nga Oliver Rolofs.

Virusi i Coronës është një problem global, këtë e dinë tani të gjithë. Dikush do të mendojë se një problem global duhet të prodhojë zgjidhje globale. Por të tilla vështirë se sheh në Evropë dhe gjetkë. Përkundrazi ne jo vetëm që po përjetojmë një “distancim shoqëror”, por edhe “distancimin kombëtar”. Izolimi kombëtar në nivelin politik dhe ekonomik, i cili ndihet prej disa vitesh, po bëhet tani edhe më i dukshëm. Mosmarrëveshja e fundit mes Berlinit dhe Uashingtonit për 200,000 maska që janë zhdukur është një shembull i këtij zhvillimi.

Brenda Bashkimit Evropian ndihmat e ndërsjellta ose masat e koordinuara për të luftuar pandeminë e koronës nisë me ngadalë dhe tashmë janë përfshirë nga mosmarrëveshjet për obligacionet për Coronën. Dhe jo vetëm kaq: mbyllja e njëanshme e kufijve, ndalimi për të hyrë në vendet anëtare të BE-së ose ndalimi për eksportin e pajisjet mjekësore që mori Gjermania janë një shprehje e faktit që interesat kombëtare shihen si më prioritare se ato evropiane. Lëvizja e lirë e qytetarëve, liria e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, shpresa e një politike të përbashkët shëndetësore – duket se në krizën e Coronës i takojnë së kaluarës. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn ankohet me të drejtë, se Evropa aktualisht po rrezikon ta sakrifikojë acquis në luftën kundër virusit Corona.

Evropës i mungon vetëdija globale

Ndërkohë, siç tregon shembulli i Italisë, vendet e tjera po sillen shumë më tepër në mënyrë altruiste, edhe sepse ato e kuptojnë fuqinë e imazheve më mirë sesa udhëheqja e BE-së. Megjithë kritikat e justifikuara ndaj qeverive të tyre, Rusia, Kina dhe Kuba kanë dërguar furnizime mjekësore dhe mjekë në Evropë. Sigurisht, dikush mund t’i akuzojë ata për manovra PR-i, por kjo qasje në periudha të pazakonta, për dallim nga politika jonë, duhet të na kujtojë diçka tjetër: sa sheh Evropa, që po merret me vetveten përtej hundës së saj dhe kupton dinamikën e gjeopolitikës? Pse Evropa bën sehir se si në Itali, Spanjë apo vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, “zemrat dhe mendjet” e njerëzve po i fitojnë qeveritë e Moskës apo Pekinit, dhe jo Brukseli?

Politika e jashtme dhe e sigurisë evropiane është lënë pas dore prej vitesh. Kjo vlen jo vetëm për fqinjët – kriza greke e borxheve, Brexiti, refugjatët – por edhe për vetëdijen globale të BE-së. Virusi Corona u klasifikua si një pandemi e mundshme që në dhjetor 2019 nga Tajvani. Madje dhe Kina pranoi në mes të janarit se sëmundja duhet të merret seriozisht. Kurse Gjermania dhe Evropa vazhduan të merren me veten gjë që bëri që regimet të nisnin me vonesë dhe pasi virusi Corona kishte hyrë tashmë në tokën evropiane.

Perspektiva të reja në mes të krizës së Coronës

Edhe rindezja e fundit e krizës siriane në fund të shkurtit tregoi se sa pak janë marrë vitet e kaluara me problemet thelbësore ndërkombëtare Gjermania dhe BE-ja. Ne mund të shpresojmë gjithmonë për partnerë të përsosur, por tani dhe pas Coronës do të duhet të merremi përsëri edhe me fqinjët jodemokratë. Kriza e Coronës do të çojë në një ndryshim epokal dhe, duke pasur parasysh situatën ekonomike, duhet të na aftësojë të mendojmë në mënyrë jokonvencionale, por mbi të gjitha në mënyrë politike më reale.

Kur Gjermania e quan strategjinë turke për krizën e Coronës si autoritare, ajo të krijon thuajse përshtypjen e një dëshpërimi. Edhe në vendet e tjera evropiane, me urdhër të qeverisë industria e ka ndryshuar profilin duke prodhuar pajisje mjekësore dhe edhe në këto vende po kontrollohen burimet e informacionit për virusin. Për më tepër Turqia zbatoi shumë më herët se vende të tjera kufizime për qarkullimin e udhëtarëve dhe nisi testet për virusin. Qeveria e Erdogan mund dhe duhet të kritikohet në shumë fusha, por strategjia e saj kundër virusit Corona nuk ka qenë shumë më e ndryshme se ajo e qeverive të tjera evropiane.

Si do të ishte sikur Turqinë ta përfshinim si partner strategjik në luftën kundër krizës së Coronës? Kështu për shembull industria e fortë turke e tekstilit me më shumë se katër milion punëtorë, ku punojnë dhe shumë refugjatë sirianë, mund të ndihmojë për të kompensuar mungesat e Evropës për veshje mbrojtëse dhe maska. Pas ndërprerjes së rrjeteve të furnizimit mes Kinës dhe Evropës prej krizës së Coronës dhe pasi u bë e qartë se efikasiteti dhe optimizimi me çdo çmim e bënë sistemin tonë ekonomik gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj krizave, tani janë përsëri në modë riorganizimi dhe ri-rajonalizimi. Kjo e bën përsëri Turqinë një treg më tërheqës për Evropën, ndërkohë që Turqia do të ketë nevojë për BE-në si treg shitje edhe më shumë pas Coronës. Në mes të krizës së Coronës ofrohen perspektiva të reja edhe për të rinisur dialogun e vështirë me Erdogan dhe për të pranuar rolin e rëndësishëm strategjik të Turqisë për krahun jugor të Evropës, për të mos harruar as shfrytëzimin e levave ekonomike evropiane.

BE – një fuqi e madhe me përgjegjësi globale

Në vend që të përqendrohemi vetëm tek problemet tona ose të tregojmë me gisht ndaj të tjerëve, kjo situatë duhet ta bëjë Evropën të vetëdijshme për detyrimet e saj globale. Në planin afatshkurtër dhe afatgjatë pasojat politike dhe ekonomike do të jenë të mëdha. Për t’u përballur me to, kërkohet një bashkëpunim i vërtetë realpolitik me partnerët ndërkombëtarë – edhe për të forcuar sovranitetin vetiak. Ne nuk do të jemi në gjendje të shmangim ndryshimin e qëndrimeve tona shoqërore dhe ato të politikës së jashtme para dyerve të Evropës.

 

Evropa, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, është një fuqi e madhe ekonomike dhe politike me përgjegjësi ndaj më shumë se 500 milion qytetarëve të saj. Pjesë e kësaj përgjegjësie është tani më shumë se kurrë që të përballemi në mënyrë kritike dhe pragmatike me partnerë të pakëndshëm. Politikisht dhe ekonomikisht – pikërisht sepse gjeostrategjikisht jemi në të njëjtën varkë.

Oliver Rolofs është partner drejtues i zyrës së konsulencës strategjike “Connecting Trust” në Mynih dhe ekspert për Evropën Juglindore. Ai ka qenë për shumë vite shefi i komunikimit i Konferencës së Sigurisë në Mynih.