Krime që nuk duhen harruar kurrë!

Maks Rakipaj

Nga viti 2005 në Itali më në fund u njoh me ligj data 10 shkurt si data e përkujtimit të viktimave italiane nga dora gjakatare e komunistëve jugosllavë. Nuk qe masakër e një dite, filloi pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe zgjati deri nga viti 1947. U shpërngulën nga dhuna mbi 250 mijë familje italiane, të vdekurit llogariten rreth 20 mijë veta. Kufomat hidheshin në humnerat dhe shpellat në Basovizza, ndërsa termi “foibe” ka kuptimin e shpellave dhe humnerave karstike të zonës, të përdorura për hedhjen e plehrave. Pllaka përkujtimore e asaj masakre rrënqethëse u gjet e coptuar dje, më 9 shkurt prej atyre që duan të harrohet historia. Njësoj janë komunistët, u bënë kaq vite që flitet për një muze të Spaçit. Vetëm llogje. Kampit të Ballshit s’i ka mbetur nam e nishan, kampi i Qaf-Barit po rrënohet si Spaçi, Maliqi është harruar që ka qënë njëri nga kampet më të lemerishëm në të gjithë botën komunisto-fashiste. Por ne nuk harrojmë. Pas nesh bijtë tanë kurrë nuk duhet të harrojnë.

10 shkurt 2020