Kreu i KLSH Bujar Leskaj : Dëmi në buxhetin e shtetit, 645 mld lekë

Keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet me prokurimet, tenderat dhe shkeljet gjatë procedurave të shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 645 miliardë lekësh përgjatë dy viteve 2018-2019. Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj në një intervistë për mediet, thotë se në sektorin publik dëmi total për dy vitet e fundit arrin në shumën 363 miliardë lekë.

“Në total, për këtë periudhë të 2 viteve të fundit janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik në shumën 363 miliardë lekë ose afërsisht 2,9 miliardë euro: Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 51.4 miliardë lekë; Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 311.6 miliardë lekë, nga të cilat mbi 60% në fushën e të ardhurave dhe pjesa e tjetër në atë të shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.“, tha Leskaj.

Ndërsa në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit i kalon 280 miliardë lekë, tha Leskaj. Ai e vë theksin në faktin se korrupsioni në radhët e administratës është rritur duke cënuar drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve. Ashtu siç vëren dhe Transparency International, në raportin e tij më të fundit, një nga shkaqet e rritjes së korrupsionit në vend, është dhe ngërçi politik në vend prej afër dy vite. Gjithashtu ai evidenton edhe vonesën e krijimit të strukturave të reja të drejtësisë, SPAK-ut dhe BKH, si dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të inkriminuar në praktika mashtruese dhe korruptive.

“Veç sa më sipër, gjykoj se te përkeqësimi i indeksit të korrupsionit kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, të perceptuar në rritje nga qytetarët, si përqendrimi i pushtetit dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies; krijimi i barrierave oligopolistike në ekonomi; ngathtësia dhe paaftësia burokratike; niveli i lartë i papunësisë dhe përpjekje fiktive për ta zvogëluar atë nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës; niveli i përgjithshëm i çmimeve i krahasueshëm me vendet e zhvilluara evropiane, ndërsa niveli i pagave i krahasueshëm me vendet e pazhvilluara aziatike; potenciali ende i papërmbushur i shoqërisë civile etj.”, theksoi Leskaj.

Sipas tij, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme ndërkombëtarët kanë theksuar nevojën për më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit, reagimi i institucioneve ka qenë sipërfaqësor.

“Kultura jonë në marrëdhënie me ligjin është një kulturë sloganesh, ku ligjet janë të mira në letër, por zbatimi i tyre reduktohet eksponencialisht, sa më lart të ngjitesh në piramidën shtetërore.“, tha ai. Sipas një auditimi të kryer nga KLSH mbi zbatimin e “Strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit”, Leskaj thotë se auditimi gjeti se institucionet e përfshira në hartimin, implementimin dhe monitorimin e kësaj strategjie dhe planiit të saj të veprimit, nuk kanë zotëruar asnjë hallkë të detyrave dhe përgjegjësive të veta, duke rezultuar në një strategji të pazbatuar, të pa-monitoruar dhe rrjedhimisht të pa-raportuar për arritjet dhe mosarritjet.

“KLSH ka rekomanduar krijimin e një Agjencie Kombëtare Antikorrupsion, e cila të jetë nën varësinë e Kryeministrit dhe përgjegjëse për ri-hartimin, ri-zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, duke marrë fillimisht dakordësinë e Kuvendit për dokumentet strategjikë në formën e një ligji të posaçëm.”, shtoi ai.