Krenaria

Nga Albert Avduli

Lëvdu qoftë Jezu Krishti dhe Muhameti !
Mbas kësaj formule u ndamë. . .
Vera e vitit 1994.
Selanik, Universiteti “Aristotel”.
Projekti “Tempus” na kishte mundësuar shkollë verore për 8 javë. Ishim 4 studentë dhe një pedagog.
Nuk do mjaftonin fjalët për të shprehur mirënjohjen për profesorët: Balla që na shoqëronte, Zyko, Thomai, Dervishi, Deda, të cilët ishin pedagog në “Aristotel” dhe drejtuesi i projektit prof. Miltjadhis Vasillakaqis.
Këto rreshta nuk do përshkruajnë as kampusin, as metodologjinë, as përditshmërinë e atij qyteti plot histori, det e qiell.
Mesditën e një të diele, shkëputur nga shokët, zbres te kulla veneciane. Ishte ora e pikut të diellit, pak lëvizje dhe momenti më i mirë për të qenë vetëm.
Tek një shërbim “ushqimi i shpejtë”, marr një sufllaqe dhe një coca cola në dorë. Ulem te një stol pranë bregut dhe shijoja detin e sufllaqen. Mbi vete ndjej vështrimin e dikujt. Ndjesi që kushdo e ka provuar.
Në mënyrë instiktive, kthej kokën për të gjetur ata sy. Një djalosh, mosha ime besoj, ulur në bordurë, majtas. Nuk vështronte mua, por ushqimin.
A je shqiptar ? – e pyeta.
Po, nga Mirdita – u përgjigj. Nuk po gjejë punë dhe kam dy ditë pa futur diçka në gojë.
Momenti është që duhet të kujtoj se, ai projekt paguante shumë mirë edhe studentët e përfshirë.
Nxora 2000 dhrahmi, dy mijëshe dhe ja lash në dorë. Po mbaj vetëm 1000 dhrahmi, foli me zë të ulët. Do gjej punë me siguri. Mbaji – i thashë, nuk dihet kur. U çua. Shkoi bleu sanduiç dhe ujë. Erdhi përsëri te bordura e tij ku më kish lënë në ruajtje një trastë të rraskapitur me dy rripa. Qëndruam gati 40 minuta së bashku. I tregova se për tre vite, gjatë verës, sikurse ai edhe unë kisha ecur maleve të Greqisë, i uritur, i palarë, i grisur, në kërkim të punës.
U ndava duke i uruar fat.
Fundi dhjetorit të të njëjtit vit.
Tirana vlonte nga përgatitjet e festave, krishtlindjet dhe viti i ri.
Periudha kur emigrantët sillnin gëzim, pare dhe makina në familjet e tyre. Me një shok, kishim ndalur për kafe te kioska, e cila ishte e mbirë aty ku sot është hyrja e parkimit nënsheshor Skënderbegas.
Një çast, shoku im më thotë : te tavolina majtas, dikush nuk t’i ndan sytë. Ktheva kokën dhe vështrimi m’u përplas me të panjohur. Ngrita supet, si për të treguar se nuk të njoh.
Ai u çua dhe m’u drejtua : A ke qenë në Selanik në muajin korrik ?
Vijimin e bisedës e merrni me mënd. U ul me ne. Më eci fati, tha, punova. Dolëm së bashku nga kafja dhe kur zgjatëm duart për t’u ndarë.
Prit – tha- e kemi një llogari bashkë. Nxori nga portofoli 10 mijë dhrahmi, 2 pesëmijëshe. Jo, jo, këmbëngula unë, ç’është kjo, s’jam refugjat.
Lëvdu qoftë Jezu Krishti që të gjeta foli me krenari dhe përdëllim.
Jam mysliman, deklarova, si për ta shpëtuar nga beja.
Lëvdu qoftë dhe Muhameti, që të solli te ajo kafe pra dhe qeshi fort.
Nuk ishin borxh ato çfarë ti më dhe asaj vape, por kurrë s’do isha qetë. Më lërë mundësinë që të harroj.
Do t’i pranosh se je student dhe m’i vendosi në xhepin e xhupit.
Refugjati, ushtari dhe studenti, kanë përherë nevojë, filozofoi dhe u largua.
Kisha qëndruar me të vetëm 40 minuta, në një qytet të huaj.
Emrin s’ja mbaj mënd, as ai emrin tim.
Ngjarjen nuk e kam harruar, besoj dhe ai.
Ishte koha, kur takoje njerëz më shpesh