Kosovë, miratohen në parim Ushtria e Kosovës 

 

Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten në parim tri projektligjet që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë. Këto projektligje që mundësojnë rritjen e përgjegjësive për këtë forcë, u përkrahën nga të gjitha partitë politike në parlament, përveç Listës Serbe.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ky është një moment që duhet t’i bashkojë të gjithë sepse nuk ka shtetësi të plotë pa një ushtri të mirëfilltë.

“Kur ne kërkojmë mandat të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës për ta bërë ushtri të mirëfilltë ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë fqinjët tanë. Dëgjojmë zëra nga fqinji verior kundër ushtrisë së Kosovës, është e qartë se vetëm ata që janë kundër NATO-s janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forca e Sigurisë, vetëm ata që janë kundër interesave euroatlantike në Kosovë dhe rajon janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri, vetëm ata që promovojnë interesa të tjera në Ballkan, si ato të Federatës Ruse apo tjera ët ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, tha zoti Hoti.

Shndërrimin e Forcës së Sigurisë e mbështetën edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve jo serbe.

Lista Serbe, përfaqësues të së cilës lanë sallën e parlamentit para se të votohej për projektligjet, i kundërshtuan ato duke thënë se bien ndesh me aktet juridike ndërkombëtare.

“Serbët, shqiptarët dhe të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, para së gjithash kanë nevojë për zhvillim ekonomik dhe paqe dhe jo militarizim të ndonjë formacioni ushtarak dhe larg qoftë ndonjë luftë. Projektligjet për te cilat po flasim janë në kundërshtim me të gjitha aktet juridike para së gjithash ato ndërkombëtare, të cilat ende janë në fuqi në këto territore. Këtu e kam fjalën për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244, Marrëveshjen e Kumanovës, por siç e dini edhe ju vet është në kundërshtim edhe me aktet e tjera ligjore por edhe me Kushtetutë”, tha deputeti Igor Simiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar miratimin e këtyre projektligjeve si një nga ditët më përcaktuese për vendin në konsolidim të shtetit dhe në rrugën drejt NATO-s.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për punën që po kryejmë sot, unë nuk dëshiroj të marr pjesë në diskutime e debat por ju siguroj se një Kosovë e sigurtë, dhe të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurtë, edhe komunitetet, të gjitha komunitetet, kjo është një punë që po bëhet për të gjithë qytetarët e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Pas miratimit në parim të projektligjeve për Forcën e Sigurisë, pritet që të vazhdojë shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre përfundimtar, para se të mund të nënshkruhen nga presidenti dhe të publikohen në gazetën zyrtare.

Autoritetet në Prishtinë po avancojnë kësisoj legjislacionin për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë me synimin që ajo të shndërrohet në ushtri të Kosovës. Ata thonë se tashmë Kosova ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara si në aspektin strukturor po ashtu edhe në atë stërvitor për këto ndryshime.

Në pranverën e vitit të kaluar, nisma e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmes një ligji kishte nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkonin krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.

Partitë politike kanë kërkuar që këto ndryshime të bëhen përmes ligjeve pasi janë shuar shpresat se transformimi i Forcës së Sigurisë mund të arrihet me ndryshime kushtetuese të kërkuara nga ndërkombëtarët por që kundërshtohen nga Beogradi dhe nga deputetët serbë.