Kosovë: Kërkohet ndriçimi i rrethanave të vdekjes së një të riu që ishte në karantinë

 

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i bëri thirrje sot prokurorisë që të punojë me përparësi për ndriçimin e rrethanave në të cilat një 26 vjeçar humbi jetën, pasi u hodh nga një ndërtesë e qendrës së studentëve në Prishtinë, e cila po shfrytëzohet si karantinë për të kthyerit nga jashtë Kosovës.

“Ne si institucion sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara dhe nuk mund të paragjykojmë asnjë element të rastit. Por nga ministria e Shëndetësisë dhe qeveria do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale dhe do të zbardhet çdo e dhënë që ka të bëjë me rastin. Prej angazhimit të udhëtimit nga ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes e vizitës mjekësore në aeroport dhe shoqërimin në qendrën e studentëve”, tha zoti Vitia.

Zoti Vitia tha në një konferencë me gazetarë se i riu nga qyteti i Gjilanit, ishte nga Gjermania ku po studionte, dhe ishte vendosur në karantinë 24 orë para ngjarjes.

Prokuroria në Prishtinë tha se ka filluar hetimet rreth kësaj ngjarjeje e cila nxiti shumë reagime të institucioneve e partive politike që kërkuan ndriçimin e rrethanave që çuan në vdekjen e të riut dhe përgjegjësi nga institucionet që trajtojnë të kthyerit në kohë pandemie.

Qendra e Studentëve në Prishtinë është shndërruar në karantinë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, i cili deri tani ka prekur 851 persona, 25 prej të cilëve kanë humbur jetën, ndërsa 381 janë shpallur të shëruar.

Nga sot ka filluar lehtësimi i masave kufizuese dhe qytetarët do të kenë mundësi të lëvizin dy herë në ditë nga një ore e gjysmë, ndërsa filloi edhe hapja e disa veprimtarive ekonomike.