Kosova heq tarifën 100% ndaj Serbisë – vendos masa reciprociteti tregtar

Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, pasi hoqi tarifën 100% ndaj mallrave serbe e vendosi reciprocitet tregtar, tha se ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor kur do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm.

Që nga mesnata e së martës Kosova hoqi tarifat 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, tarifa këto të vendosura që nga nëntori i vitit 2018 nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti tha se hiqen tarifat dhe fillon vendosja shkallë shkallë e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, por jo ndaj Bosnjes e Hercegovinës.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të mbarëvajtjes së këtij vendimi”, tha Albin Kurti, pas një mbledhjeje të qeverisë që u mbajt në orët e vona të ditës së martë.

“Masat e reciprocitetit ose veprimet e ndërsjella janë instrument i marrëdhënieve mes shteteve sovrane dhe i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja e përgjithshme për tarifat dhe tregti e vitit 1947 e ndryshuar më 1994 është instrument themelues i Organizatës Botërore të Tregtisë dhe kjo njeh parimet themelore të reciprocitetit, mosdiskriminimit dhe shtetit më të favorizuar. Në thelb këto parime shërbejnë për të dhënë një rezultat efikas dhe trajtim të barabartë të politikës tregtare duke eliminuar barrierat në tregti”, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke tërhequr vërejtjen se “që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së CEFTA-s, Serbia ka vendosur një mori barrierash tregtare dhe jotarifore ndaj Kosovës duke përfshirë në tranzit edhe barrierat politike”. Vendimi i qeverisë së Kosovës në detyrë për të hequr tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë, nuk është komentuar akoma nga Beogradi zyrtar, mirëpo vendimi u mirëprit menjëherë nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Jam i lumtur me vendimin për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nga qeveria në detyrë e Kosovës. Ky është një vendim i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për lëvizjen e mallrave posaçërisht në kohën e krizës së pandemisë COVID-19-tës”, shkroi Borrel në Twitter.

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që vendosi tarifën 100% për mallrat e Serbisë në vitin 2018, heqjen e tarifës nga Albin Kurti e cilësoi nënshtrim ndaj Serbisë.

“Vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë. Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Haradinaj në profilin e tij social.

Edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që deri në shkarkimin e qeverisë Kurti me mocion në parlament ishin partner në koalicion, thonë se edhe kur është vendosur tarifa edhe tash që u hoq, është një veprim politik që nuk i ka sjellë të mira Kosovës. Kështu tha nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

“Sa e di unë edhe herën e parë kur është bërë largimi i taksës për lëndën e parë, ministrat e LDK-së nuk kanë qenë aty. Edhe kësaj here sido që është votu, në parim është bërë veprim politik por me pasoja, pasoja e parë po e merr Qeverinë e dytë me veti, pasi që edhe dorëheqja e Haradinajt ka qenë për shkak të presionit të tarifës dhe mosarritjes me u koordinu me partnerë, por edhe Qeveria Kurti shkoi si pasojë e moskoordinimit me partnerë strategjikë lidhur me tarifën”, deklaroi Lutfi Haziri.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, duke e komentuar efektet e tarifës thotë se “në aspektin ekonomik tarifa 100% ka arritur disa efekte, sidomos ne fuqizimin e disa ndërmarrjeve prodhuese”, por në anën tjetër sipas tij, “rritja e kostos për lënden e parë ka sjellë ndikime negative për disa prodhues të tjerë”.

“Tarifa si instrument politik ka ndikuar dhe po ndikon në stabilitetin politik të vendit dhe rrjedhimisht kjo është përcjellë me ndikime negative në atraktivitetin e vendit për investime, nga brenda dhe nga jashtë. Jostabiliteti politik krijon rrezik politik dhe rreziku politik është determinante e rëndesishme në vendimet e investitoreve për investime në një vend”, shkruan Berat Rukiqi.

Sidoqoftë, Albin Kurti kryeministër në detyrë, e hoqi tarifën ndaj mallrave të Serbisë në kohën kur vendi po përballet pos me pandeminë Covid-19 edhe me një krizë të thellë politike, pas rrëzimit në parlament të qeveisë Kurti me një mocion mosbesimi.

Hashim Thaçi nisi sot konsultimet me partitë politike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nisi sot konsultimet me partitë politike për të arritur një dakordim nëse parlamenti duhet të zgjedhë një qeveri të re apo vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili zhvilloi të mërkurën një takim me Presidentin, tha se pyetjes së presidentit për një qeveri të re i është përgjigjur negativisht. “Bashkë mund të bisedojnë vetëm për zgjedhje të reja”, tha Kurti.

“Pyetjeve dhe përpjekjeve të presidentit që ne të flasim për mundësinë për qeverinë te re për kandidatura të reja u jemi përgjigjur me qëndrimin tonë për të cilin jemi të bindur që është jo vetëm i drejtë por edhe i vetmi në bazë të kushtetutës, nuk mund të kapërcejnë diku tjetër duke mohuar nenin 82 pika 2 të Kushtetutës, që thotë se pas një mocioni të mosbesimit ajo çfarë ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja. Të bindur se Kushtetuta nuk krijon mundësinë në kontekstin aktual politik që ne të kemi qeveri të re, pa zgjedhje të reja”, tha Albin Kurti.

Presidenti i Republikës së Kosovës dy ditë më parë pas një takimi që zhvilloi me ambasadorët e QUINT-it, tha se ai “do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga kjo situatë”, duke ritheksuar se “Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik e qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”.

112 raste të konfirmuara me Covid-19

Në kohën e krizës politike që gjendet Kosova, me një krizë tjetër mund të përballet shumë shpejt, e ajo është rreth masave për kufizimin e lëvizjes së njërëzve për shkak të mospërhapjes së pandemisë Covid-19. Në Kosovë raste të konfirmuara me Covid-19 janë 112. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një vendim të qeverisë e cila një javë më parë vendosi ndalimin e lëvizjes së qytetarëve në rrugë nga ora 17:00h deri në 6:00 të mëngjesit. Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i qeverisë është antikushtetues, sepse ndalimin e lëvizjes së lirë të njerëzve mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Kosovës.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e kufizimit të lëvizjes së njërëzve, hyn në fuqi nga data 13 prill dhe kjo hapësirë kohore nga njohësit e Kushtetues po cilësohet kohë e mjaftueshme për ta gjetur një zgjidhje ligjore rreth masave kundër përhapjes së virusit.