“Kosova e rrezikuar nga Serbia e Madhe”, promovohet libri më i fundit i Enver Bytyçit

“Kosova e rrezikuar nga Serbia e Madhe” është libri më i fundit, i autorit të mirënjohur Enver Bytyçi, që u promovua këtë të mërkurë në Tiranë. Libri flet për zhvillimet aktuale në Kosovë, në lidhje me qëndrimet e presidentit serb Aleksandër Vuçic, atij të Kosovës Hashim Thaçit dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në një përpjekje për ndarjen e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni, ishte dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së tij, pasi përgëzoi Bytyçin për këtë kontribut të vyer në shërbim të interesave kombëtare, akuzoi kryeministrin Edi Rama se është vënë në shërbim të Serbisë, duke shitur e tradhëtuar Kosovën.

“Sot ajo që shohim ne është tradhëtia e dytë e madhe e Tiranës ndaj Kosovës. Kemi të bëjmë me tradhëtinë e dytë të madhe. Në botë lufta e ftohtë falë Ronald Reagan dhe Mihail Gorbacov mori fund në 1980. Dhe u sanksionua ajo. Sot në botë ka vetëm një luftë të ftohtë, që një kryetradhëtar tjetër, një Jorgo Zograf i dytë që e ka emrin Edvin, i ka shpallur udhëheqjes shqiptare të Prishtinës, jo argates, i ka shpallur kryeministrit të saj për fajin e vetëm se ai po mbron me vendosmëri etike çdo të drejtë që ne si shqiptarë kemi në Kosovë.“, deklaroi Berisha.

Ky punim që paraqet rrezikun serb ndaj Kosovës, vjen për lexuesit në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, me përkthimin e mjeshtrit Uk Zenel Bucpapaj. Në ceremoni morën pjesë personalitete të larta të jetës politike, nga Shqipëria, Kosova dhe Austria, akademikë, shkrimtarë, gazetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të autorit.