Korrenti elektrik si torturë në kampe e burgje

Nga Kastriot Dervishi

Vangjel Rrëmbeci është prej emrave më famëkeqe të kampeve dhe burgjeve të komunizmit. Ndikoi në këtë karrierë fakti se në vitet 1945-1946 kish qenë roje pranë Enver Hoxhës. Shërbimin më të madh, ky ia bëri partisë aty ku vuanin dënimin të dënuarit politikë. Në mënyrë të përmbledhur, karriera e tij në kampe e burgje është kjo:

1946 (korrik-nëntor), komandant i Burgut nr.5 Tiranë

1946-1957, komandant i Burgut nr.3 Burrel

1947-1949, drejtor i Burgut nr.3 Burrel

1953-1955, komandant i Burgut nr.5 Tiranë

1956-1958, komandant i Repartit nr.309 Tërbuf

1958-1961, komandant i Repartit nr.309 Thumanë

1961-1962, komandant i Repartit nr.309 Laç

1963-1966, drejtor i Punëtorisë Qendrore të Artizanatit

Në lidhje me bëmat e tij në kampe dhe burgje, po sjellim një dëshmi të bërë e botuar para disa vitesh në lidhje me të dënuarin Skënder Sallku, arrestuar më 6.7.1956 dhe liruar më 22.12.1963. Gjykata Ushtarake Territoriale Tiranë, me vendimin nr.138, datë 10.10.1956 e dënoi me 13 vjet burgim e me konfiskim të pasurisë në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 14 të Kodit Penal. U akuzua se po bënte përgatitje për arratisje. Pra u dënua pa konsumuar asnjë vepër penale sipas Kodit Penal të kohës. Sallku është torturuar gjatë kohës që kryente dënimin në Repartin nr.309 Thumanë.

Dëshmia

Mbaj mend Vangjel Rrëmbeci kur përdorte korrentin në kampin e punës në Thumanë. Operatori ulte voltazhin e lidhnin të burgosurin me hekura gjermane, e lagnin çimenton me ujë, e ulnin të burgosurin në të dhe i lëshonin korrentin në të dy gishtat e këmbës. Këtë skenë e kam parë me sytë e mi nga vrima e dërrasave dhe kam dëgjuar Vangjelin t’i thoshte operatorit: “Çoje dhe pak, ule dhe pak”. E kishte fjalën për rrymën elektrike. Unë e kam parë njeriun të nxirrte shkumë prej goje gjatë torturës me rrymë elektrike…Viktima (i torturuari d.m.th.-shënim) ka qenë Skënder Sallku, i biri i Ferit Sallkut. (Marrë nga “Zërat e kujtesës”, vëllimi I, Tiranë 2014, botim i ISKK-së, faqe 92, intervista e Mark Alisë).