Koronavirusi – Rreth 340.000 të infektuar dhe mbi 14.600 të vdekur në mbarë botën

Italia vazhdon të mos frenojë dot humbjet në luftën me llojin e ri të koronavirusit (COVID-19). Autoritetet italiane kanë publikuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve me koronavirus në vend. Numri i viktimave ka shkuar në 5.476, që do të thotë se janë 651 viktima më shumë për 1 ditë. Rastet janë shtuar me 3.107 duke e çuar në 60.000 numrin total të personave të infektuar dhe 46.638 të rasteve aktive. Numri i të shëruarave ka shkuar në 7.024, ku 952 janë në 24 orët e fundit dhe 3.000 janë në gjendje kritike.

Në Spanjë, COVID-19 u ka marrë jetën edhe 462 pacientëve të tjerë në 24 orët e fundit duke e çuar në 2.182 numrin e përgjithshëm të viktimave. Tenori i famshëm spanjoll, Placido Domingo dhe bashkëshortja e tij kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Tenori 79-vjeçar njoftoi përmes medias sociale se momentalisht janë vetizoluar në shtëpi.

Franca bëri me dije se vdekjet nga tipi i ri i virusit korona kanë shkuar në 674, ndërsa numri i të infektuarve është rritur me 1.559 brenda 1 dite duke arritur në gjithsej 16.018. Nga ana tjetër, Asambleja Kombëtare e Francës miratoi projektligjin që parashikon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shëndetësi për të luftuar në mënyrë më efektive me pandeminë në vend.

Në Gjermani, ku numri i të vdekurve për shkak të COVID-19 është 109 dhe i të infektuarve 25.857, zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert, njoftoi se Kancelarja Angela Merkel ka vendosur të ngujohet në shtëpi pasi një doktor, i cili e kishte vizituar të premten dhe i kishte bërë vaksinën kundër pneumonisë, ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit. Gjermania deklaroi gjithashtu se në 2 javët e ardhshme ndalohen kontaktet mes njerëzve jashtë familjeve dhe dalja në rrugë e më shumë se 2 personave së bashku. Qytetarët do mund të dalin edhe më shumë se 2 persona së bashku vetëm nëse janë anëtarë të një familje të ngushtë. Për të parandaluar përhapjen e virusit, qeveria gjermane bëri me dije madje se gjobat për ata që shkelin rregullat mund të shkojnë deri në 25.000 euro.

Holanda raportoi të dielën se numri i viktimave nga koronavirusi është rritur me 43 duke arritur në gjithsej 179, ndërkohë që të infektuarit në këtë vend janë tashmë 4.204 veta, 573 më shumë se një ditë më parë.

Në Zvicër kanë humbur jetën 98, në Belgjikë 75 dhe në Suedi 21 veta për shkak të COVID-19.

Çekia dhe Andorra regjistruan të dielën viktimat e para nga koronavirusi i ri.

Kurse në Greqi, pas rritjes së bilancit të viktimave në 15 dhe të rasteve të konfirmuara në 624, qeveria shpalli ndalimqarkullimin me përjashtim të rasteve emergjente dhe të detyrueshme duke filluar nga ora 06:00 me kohën lokale.

Bosnjë-Hercegovina, një tjetër shtet ballkanik, deklaroi se numri i të infektuarve është rritur në 126. Ndërkohë që në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës u shpall ndalimqarkullimi nga ora 18:00 deri në 05:00 me kohën lokale, Republika Serbe pezulloi edhe transportin interurban.

Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistruan vdekjet e para nga koronavirusi, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara është respektivisht 33, 115 dhe 21.

Numri i të infektuarve është rritur në 222 në Serbi, 306 në Kroaci, 414 në Slloveni dhe 104 në Shqipëri, ku bilanci i viktimave është rritur në 4.

Ministria e Shëndetësisë së Polonisë njoftoi se numri i viktimave nga COVID-19 ka arritur në 7 dhe i rasteve të konfirmuara në 563.

Një 18-vjeçar ka vdekur nga koronavirusi duke u bërë personi më i ri që ndërron jetë në Britani. Bilanci i viktimave në këtë vend ka shkuar në 281, ndërkohë që janë regjistruar edhe 665 raste të reja duke e çuar numrin e të infektuarve në 5.683. Kryeministri Boris Johnson ka përsëritur thirrjen “qëndroni në shtëpi” dhe ka kërcënuar të mbyllë parqet nëse njerëzit vazhdojnë të mos respektojnë distancën sociale. “Duhet të qëndroni 2 m larg njëri-tjetrit dhe të zbatoni rregullat e distancës sociale. Merreni seriozisht këtë dhe respektojeni, sepse është me rëndësi jetike”, tha ai.

Situata është rënduar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bilanci i viktimave ka arritur në 457 kurse i rasteve të konfirmuara në 34 mijë e 900. Presidenti Donald Trump miratoi kërkesat për “shpalljen e fatkeqësisë së madhe” në shtetet e Uashingtonit dhe Nju-Jorkut duke njoftuar angazhimin e Gardës Kombëtare në luftën me koronavirusin në këto zona. Senatori Rand Paul, një prej emrave më të rëndësishëm në radhët e ligjvënësve republikanë, bëri me dije se ka rezultuar pozitiv dhe se këtë proces do ta kalojë në karantinë. Pozitiv në testin e koronavirusit ka rezultuar edhe një punonjës i Shërbimit Sekret përgjegjës për sigurinë e Presidentit Trump dhe familjes së tij. Komisari i Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut (NYPD), Dermot Shea, deklaroi gjithashtu se 98 persona janë diagnostikuar me COVID-19. Tashmë janë 7 shtete amerikane që kanë nxjerrë urdhra të izolimit në shtëpi për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit. Urdhrat prekin rreth 100 milionë amerikanë. Të fundit që iu bashkuan kësaj liste janë Ohajo dhe Luiziana. Kalifornia, Nju-Jorku, Nju-Xhersi, Konektikati dhe Ilinois i kishin vendosur këto urdhra më parë duke lejuar vetëm aktivitete të rëndësishme të qytetarëve.

Në Kanada, autoritetet shëndetësore njoftuan se bilanci i viktimave nga virusi i ri korona është rritur në 20 dhe i të infektuarve në 1.298.

Amerika Latine dhe Karaibet, sipas të dhënave zyrtare aktuale, kanë të paktën 4.001 raste të konfirmuara dhe 50 viktima në total, 25 prej të cilave në Brazil. Vdekjen e parë nga koronavirusi e regjistroi edhe Kili, ku qeveria ka dekretuar shtetrrethimin gjatë gjithë natës në vendin duke filluar nga e diela në mbrëmje.

Qeveria australiane, në kuadër të masave të luftës kundër llojit të ri të koronavirusit, urdhëroi mbylljen e të gjitha bizneseve, me përjashtim të atyre që mbulojnë shërbimet dhe nevojat e detyrueshme, duke filluar nga e marta. Që nga konfirmimi i rastit të parë në fund të janarit e deri më sot, në Australi kanë gjetur vdekjen gjithsej 7 persona, nga të cilët 6 në Uellsin Jugor dhe 1 në Australinë Perëndimore. Sipas të dhënave aktuale, numri i pacientëve me COVID-19 në vend është rritur në 1.609.

Regjimi i ndalimqarkullimit, përveçse në raste urgjente dhe të detyrueshme, do të aplikohet pas 48 orësh në shkallë vendi si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit të ri edhe në Zelandën e Re. Në këtë shtet të Oqeanisë nuk ka ende asnjë viktimë nga sëmundja në fjalë, kurse numri i të infektuarve është 102.