Koronavirusi – Rëndohet më tej bilanci i pandemisë globale në 24 orët të fundit

Italia ka raportuar 712 vdekje nga kjo sëmundje në 24 orët e fundit. Numri total i viktimave ka arritur në 8.215 dhe i të infektuarve në mbi 62.000. Attilio Fontana, president i Rajonit të Lombardisë, zona me numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve në veri të vendit, ka deklaruar se Evropa nuk neglizhoi vetëm epideminë në Itali, por as që e mori seriozisht këtë epidemi prej fillimit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë paralajmëroi se epidemia e koronavirusit të ri nuk ka mbërritur ende majën në vend.

Numri i viktimave nga COVID-19 ka shkuar në 4.858 në Spanjë, 769 më shumë se një ditë më parë. Rastet e konfirmuara janë tashmë rreth 58.000. Gjendja e jashtëzakonshme në këtë vend, shpallur fillimisht deri më 29 mars, është shtyrë deri më 11 prill.

Franca ka bërë me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar 365 vdekje nga virusi i ri korona duke e çuar numrin total të viktimave në 1.696. Sindikatat policore në vend reaguar kundër pamjaftueshmërisë së maskave mbrojtëse për patrullat që kontrollojnë mbarëvajtjen e kufizimit të qarkullimit të lirë, me përjashtim të situatave të detyrueshme, si masë kundër përhapjes së mëtejshme të epidemisë.

Në Holandë, ku numri i viktimave ka shkuar në 434 dhe i të infektuarve në 7.431, zyrtarët janë shprehur se shifrat reale janë shumë më të larta, pasi nuk po testohet çdo qytetar që ka simptoma të sëmundjes.

Belgjika ka regjistruar 69 vdekje të tjera në 24 orët e fundit. Kështu, humbjet nga koronavirusi në këtë vend kanë shkuar në 289, me mbi 7.000 raste të konfirmuara në total.

Austria ka 52 të vdekur dhe 7.040 të infektuar, Polonia 16 të vdekur dhe 1.244 të infektuar, Çekia 9 të vdekur dhe 2.062 të infektuar, Hungaria 10 të vdekur deh 300 të infektuar, Kroacia 3 të vdekur dhe 551 të infektuar, Bosnjë-Hercegovina 3 të vdekur dhe 230 të infektuar, Serbia 7 të vdekur dhe 457 të infektuar, Shqipëria 8 të vdekur dhe 186 të infektuar, Sllovenia 6 të vdekur dhe 632 të infektuar, Greqia të paktën 25 të vdekur dhe mbi 830 të infektuar, Maqedonia e Veriut 3 të vdekur dhe 219 të infektuar, Kosova 1 të vdekur dhe 86 të infektuar, ndërsa Mali i Zi 1 të vdekur dhe 67 të infektuar.

Në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV), ku numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 është rritur në 61, ka filluar regjimi i ndalimqarkullimit nga ora 14:00 e ditës së premte në 15 fshatra të zonës së Karpazit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi me gojën e tij se ka rezultuar pozitiv në testet e koronavirusit të ri. Ai e dha këtë lajm nëpërmjet një videomesazhi nga llogaria e tij në “Twitter” duke treguar se në 24 orët e fundit ka shfaqur simptoma të lehta, pas së cilave është testuar dhe ka rezultuar pozitiv. Johnson tha se është vetizoluar dhe se punët qeveritare do t’i kryejë me videokonferencë. Pozitiv me COVID-19 ka dalë edhe ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock. Kështu, Mbretëria e Bashkuar ka tashmë 14.579 raste të konfirmuara, plot 2.749 më tepër se një ditë më herët. Gjithashtu numri i viktimave është rritur në 759. Ministria e Punëve të Brendshme i dha policisë kompetenca të reja në luftën me këtë pandemi globale. Tashmë policia do mund të arrestojë ose gjobisë personat që dalin jashtë pa ndonjë motiv të detyrueshëm.

Masat kundër llojit të ri të virusit korona ka filluar t’i shtrëngojë edhe Australia, ku epidemia u ka marrë jetën 13 personave dhe ka infektuar 3.121 të tjerë. Kushdo që hyn në vend duke filluar nga e premtja, do të mbahet 14 ditë në karantinë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur në 1.301 numri i viktimave dhe në 86.012 ai i të sëmurëve nga COVID-19. Kështu, SHBA-ja ka lënë pas Kinën dhe Italinë për sa i takon numrit të rasteve dhe është renditur në vendin e parë. Numri i pacientëve të shtruar në spital brenda një dite ka arritur në 6.107 vetëm në Nju-Jork. Mes lajmeve shqetësuese për SHBA-në është gjithashtu përhapja e infeksionit në radhët e ushtrisë dhe sidomos marinës. Presidenti Donald Trump njoftoi se spitali lundrues “Comfort”, një anije e marinës amerikane, do të mbërrijë në portin e Nju-Jorkut të hënën. Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, paralajmëroi se shpërthimi i tanishëm i koronavirusit mund të bëhet ciklik. Eksperti kryesor i qeverisë amerikane për sëmundjet infektive vuri në pah se virusi ka gjasa të rikthehet më i fuqishëm për herë të dytë nëse nuk bëhen përgatitje të mjaftueshme për ta parandaluar.

Edhe pse me ritme të ngadalta aktualisht, virusi po vazhdon të përhapet edhe në Meksikë, ku numri i viktimave ka shkuar në 8 dhe rasteve të konfirmuara në 585. Në Çihuahua, shtet meksikan në kufi me SHBA-në, emigrantët e dëbuar nga SHBA-ja për shkak të epidemisë, do të mbahen në karantinë për dy javë.

Ndërsa në Venezuelë u regjistrua vdekja e parë nga koronavirusi, që ka infektuar të paktën 107 veta deri më sot.

Kina, vendi ku dhjetorin e kaluar u shfaq për herë të parë virusi i rrezikshëm që tashmë ka marrë përmasat e një pandemie globale, ka vendosur të ndalojë përkohësisht hyrjen e të huajve të vend për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja me burim jashtë shtetit. Në këtë vend janë regjistruar 3.287 vdekje dhe 81.285 raste me COVID-19.

Në Iran, numri i viktimave nga lloji i ri i koronavirusit është rritur me 144 në 24 orët e fundit duke shkuar në 2.378 gjithsej. Prej gjithsej 32.332 rasteve të konfirmuara, 35% se 11.133 janë shëruar plotësisht. Ndihmëspresidenti i parë, Eshak Jahangiri, paralajmëroi se afati i kufizimeve dhe ai i pushimeve administrative në institucionet shtetërore, të cilat po aplikohen në kuadër të luftës me këtë sëmundje, mund të zgjaten për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të epidemisë. Masa e fundit e njoftuar në Iran është mbyllja e të gjitha parqeve kombëtare në shkallë vendi.

Ministria e Drejtësisë së Azerbajxhanit, ku 3 persona kanë humbur jetën dhe 104 raste po trajtohen në spital për shkak të sëmundjes së shkaktuar nga COVID-19, njoftoi lirimin e parakohshëm të 200 të dënuarve.

Izraeli ka raportuar deri më sot 11 vdekur dhe 3.035 të infektuar nga koronavirusi i ri, 46 prej të cilëve në gjendje të rëndë dhe 70 të tjerë gati për të lënë spitalet pas trajtimit të suksesshëm.

Autoritetet e Rripit të Gazës, territor palestinez nën bllokadën e Izraelit, u kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare për 23 milionë dollarë ndihmë urgjente për të luftuar me COVID-19, si dhe i kanë kërkuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara “që të veprojë menjëherë për të plotësuar nevojat urgjente në sektorin e shëndetësisë dhe për të hequr bllokadën në Gazë”.

Në Irak ka shkuar në 40 numri i viktimave dhe në 458 ai të infektuarve nga koronavirusi.

Pezullimi i procesit mësimor si masë kundër epidemisë COVID-19 në zonat e çliruara nga terroristët përmes operacioneve ushtarake turke “Mburoja e Eufratit”, “Dega e Ullirit” dhe “Burimi i Paqes”, në veri të Sirisë, është shtyrë deri më 30 prill.

Këshilli i Ministrave në Rusi, ku tashmë humbjet nga koronavirusi janë 3, i ka dërguar për miratim Dumës Shtetërore (dhoma e ulët e Parlamentit) projektrezolutën që parashikon shpalljen e gjendjes së emergjencës anembanë territoreve të federatës; ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se të gjitha institucionet arsimore të vendit do të jenë pushim nga data 28 mars deri më 5 prill. Nga ana tjetër, autoritetet ruse kanë nisur hetimin e 500 personave për shkelje të regjimit të karantinës. Zëdhënësi i Presidencës, Dmitry Peskov, bëri me dije se një punonjës i Kremlinit ka rezultuar pozitiv në teste, por ky person s’ka pasur asnjë kontakt me Presidentin Vladimir Putin. Ai gjithashtu theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit.

Moldavia, me vetëm 1 viktimë dhe 149 raste të konfirmuara deri më sot, deklaroi se shkollat dhe universitetet në vend do të qëndrojnë mbyllur deri më datë 15 maj.

Ukraina ka 5 të vdekur dhe 156 të infektuar nga koronavirusi.

Në Gjeorgji, sipas të dhënave të qeverisë, numri i rasteve është rritur me 2 persona të tjerë duke shkuar në gjithsej 79.

Vdekja e parë nga COVID-19 u regjistrua edhe në Uzbekistan, ku u diagnostikuan edhe 18 të infektuar të tjerë, të cilët e çojnë bilancin e rasteve në 83.

Qeveria e Libanit, vend me 6 viktima dhe 391 të infektuar nga koronavirusi i ri momentalisht, shpalli ndalimqarkullim të pjesshëm nga ora 19:00 deri më 05:00 me kohën lokale. Gjendja e mobilizimit në Liban, parashikuar fillimisht deri më 29 mars, është shtyrë deri më datë 12 prill.

Në Katar janë regjistruar 12 raste të reja mes të mërkurës dhe të enjtes duke e çuar në 549 numrin total të personave të infektuar në vend, ku qendrat e argëtimit, kafenetë, palestrat dhe pishinat publike do të mbyllen deri në një urdhër të tjetër duke filluar nga dita e shtunë.

Kurse në Jordani janë tashmë 212 të infektuar, 40 më shumë se një ditë më parë; në Kuvajt 225 dhe Oman 131.

Tunizia ka raportuar se numri i rasteve është rritur në 227 dhe i të vdekurve në 5.

Në Algjeri ka shkuar në 25 numri i viktimave dhe në 367 ai i të infektuarve nga COVID-19.

Guvernatorët e provincave Herat, Farah dhe Nimruz në Afganistan, ku sëmundja në fjalë ka shkaktuar vdekjen e 3 personave dhe ka prekur mbi 90 të tjerë deri më tani, kanë shpallur ndalimqarkullimin deri në një urdhër të dytë. Presidenti Ashraf Ghani ka nxjerrë një dekret amnistie për lirimin e 10.000 të dënuarve për shkak të rritjes së numrit të rasteve në burgje.

Pas dyshimeve për kontakt me një rast të konfirmuar me koronavirus, mbi 40.000 indianë janë vënë në karantinë në shtetin e Panxhapit. Megjithatë në Indi ka vetëm 861 raste zyrtare.

Bangladeshi vendosi në karantinë 34 kampe, në të cilat jetojnë rreth 1 milion refugjatë arakanas.

Në Burkina-Faso, ku të paktën 7 njerëz kanë humbur jetën dhe 152 të tjerë janë sëmurur nga lloji i ri i virusit korona, janë vënë në karantinë 8 rrethe duke përfshirë e kryeqytetin e vendit.

Indonezia raportoi se vdekjet nga pandemia globale kanë arritur në 87 dhe të infektuarit në 1.045, prej të cilave 153 në 24 orët e fundit. Autoritetet e rendit paralajmëruan se ata që shkelin ndalimin e tubimeve dhe nuk respektojnë distancën sociale mund të dënohen me 1 vit heqje lirie.

Në Filipine vdekjet nga COVID-19 janë rritur në 54 dhe rastet e konfirmuar në 803, me 96 vetëm në një ditë.

Bregu i Fildishtë deklaroi se numri i rasteve të konfirmuara në vend është rritur në 96.

Në kontinentin e Afrikës vdekjet nga koronavirusi i ri kanë shkuar në 83 dhe të infektuarit në 3.243. Bëhet e ditur se 24 shtete kanë mbyllur kufijtë, 10 prej të cilave kanë pezulluar edhe fluturimet ndërkombëtare. Pothuajse të gjitha vendet afrikane kanë filluar regjimin e karantinës së detyrueshme, kurse 14 prej tyre kanë kufizuar udhëtimet për në dhe nga disa shtete të tjera.

Kenia ka regjistruar humbjen e parë nga COVID-19. Pacienti kishte hyrë në vend nga Afrika e Jugut.

Në këtë kontinent është pikërisht Afrika e Jugut shteti me numrin më të lartë të rasteve, mbi 1.000. Ndërkaq, zyrtarët kanë raportuar edhe 2 vdekjet e para nga koronavirusi i ri.