Koronavirusi/ Rama prezanton planin financiar, ja 7 pikat

Kryeministri Edi Rama prezantoi planin financiar për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.

“Do të kemi plan A, plan B, plan C dhe pastaj D nëse do të jetë e nevojshme. I kam studiuar me të tëra mendjet e ndriçuara draftet, pasi plane nuk ka askush deri tani. Plani që do të zbatojmë bashkarisht nuk është ecje qorrazi “ta shtyjmë sot”. Do të kemi një plan për më të dobëtit, që nuk kanë fuqi që të rezistojnë gjatë. Amerika dhe Gjermania i kanë ekonomitë me dhjamë dhe bëjnë si bëjnë, ndërsa Shqipëria ka dhjamë të tepërt vetëm në trutë e atyre që japin mend që nuk i kanë. Ekonomia e shtëpisë sonë të vogël nuk mund të financojë zbatimin në praktikë të ëndrrave opozitare. Ne mund dhe do të financojmë jo jetesën në luftë si në paqe, por mbijetesën e atyre që edhe në paqe mbijetojnë, të atyre që nuk shkojnë dot në punë dhe atyre që pa biznesin e vogël nuk i mbijetojnë dot të nesërmes. Të tjerët nuk duhet të kërkojnë nga ne, por të bëjnë luftën e tyre ekonomikisht ndryshe”, tha Rama.

Pasi theksoi se “do të prekim momentalisht pagat e deputetëve, që do të marrin gjysmën e rrogës derisa të përfundojë lufta”, Rama shpalosi 7 pikat e planit ekonomik:

2,5 miliardë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë për pajisje dhe materiale mjekësore
10 miliardë lekë për kompanitë që kanë vështirësi objective për të paguar pagat e punonjësve
6,5 miliardë lekë për shtresat në nevojë, biznesin e vogël
2 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes
1 miliardë lekë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për urgjenca
Fshirje e kamatëvonesave për debitorët aktivë të energjisë elektrike
Riskedulim për në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 të tatim-fitimit për gjithë bizneset me xhiro nga 2-14 milionë lekë.