Koronavirusi – Macron: Në Kinë kanë ndodhur gjëra që ne s’i dimë

Duke vlerësuar situatën ekonomiko-sociale të krijuar nga koronavirusi për gazetën britanike “Financial Times”, Emmanuel Macroni deklaroi se ka gjëra që nuk i dinë në lidhje me këtë çështje

I pyetur nëse përgjigjja autoritare e Kinës për të sjellë frenimin e virusit kishte ekspozuar dobësinë e demokracive perëndimore, lideri francez tha se nuk kishte asnjë krahasim midis shoqërive të hapura dhe atyre ku e vërteta ndrydhet.

Macroni tha se Kina është një fuqi e madhe me të cilën Franca bashkëpunon shumë, por tërhoqi vëmendjen se menaxhimi i krizave në Kinë nuk mund të krahasohet me atë në Evropë.

“Është e qartë që ju s’mund ta krahasoni situatën e Francës, Gjermanisë, Italisë me atë të Kinës ose Rusisë. As transparenca që ekziston (në Evropë) dhe as shërbimi i menjëhershëm i informacionit nuk janë njëlloj, rrjetet nuk janë të lira në këto vende”, u shpreh ai.

“Duke pasur parasysh këto ndryshime, zgjedhjet e bëra dhe atë që është Kina sot, të cilën unë e respektoj, le të mos jemi aq naivë sa të themi se ajo ka qenë shumë më mirë në trajtimin e kësaj (çështjeje). Ne s’e dimë. Sinqerisht, kanë ndodhur disa gjëra për të cilat ne s’dimë gjë”, shtoi presidenti francez.

Ai theksoi gjithashtu se në rast mungese të mbështetjes për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, sidomos për ato më të prekurat, kjo do të kontribuojë në fitoren e populistëve në Itali, Spanjë dhe ndoshta në Francë.

Sipas tij, shtetet më të pasura të BE-së kanë më shumë përgjegjësi në menaxhimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Ne jemi në një moment ku duhet të vendosim nëse Bashkimi Evropian është një projekt politik apo një treg (ekonomik). Unë mendoj se është një projekt politik. Nëse (BE-në) nuk e çojmë edhe më përpara, Eurogrupi dhe ideja e Evropës së bashkuar rrezikojnë të shemben. Atëherë s’mund të kemi një treg për të cilin kemi sakrifikuar shumë. Ne kemi nevojë për transferime dhe solidarësi financiare, sepse vetëm kështu Evropa vazhdon”, komentoi Macroni.

Ky vlerësim erdhi menjëherë pasi Kina revizionoi të premten numrin e vdekjeve në qytetin Vuhan, ku filloi epidemia që më pas u shndërrua në pandemi globale, duke e rritur bilancin e viktimave me 50%.