Konservatorizmi nuk është antisorosizëm !

Nga Mentor Beqa

Konservatorizmi shqiptar nuk mund të përkufizohet si një lëvizje anti-Soros (ky i fundit sot është, nesër nuk është). Konservatorizmi është filozofi, mënyrë, stil jetese, – madje nuk mund të konsiderohet as ideologji politike. Konservator të bën mënyra e jetesës që ke zgjedhur, vetëpërmbajtja, përunjësia ndaj së mirës, përkushtimi ndaj së drejtës, respekti përkundrejt dhe angazhimi në komunitet, respekti ndaj pronësisë dhe mundit të tjetrit. Konservatorizmi nuk është lëvizje kundër (reaksionarët përpiqen ta shohin si strehë të veten) por filozofi që celebron jetën dhe dinjitetin njerëzor, lirinë e rregulluar (ordered liberty), disa vlera të njeriut të ngulitura thellë në natyrën dhe traditën e tij si dashuria, familja, feja, lidhjet njerëzore, pranimi i papërsosmërisë njerëzore dhe forma të demonstrimit të tyre si arti, letërsia, arkitektura. Konservatorizmi e sheh njeriun si qenie që jeton në histori dhe krijon traditë dhe është historia, jo çfarëdolloj historie, por historia e tij e krijuar nga bashkëjetesa e gjatë, – pikërisht kjo traditë që duhet të shërbejë si udhërrëfyese në vendimmarrjen politike. Konservatorizmi, ndryshe nga ideologjitë universialiste politike homogjenizuese, nxit larmishmërinë, e pranon diversitetin si gjendje njerëzore dhe nxit bashkëjetesën. Urrejtja nuk gjen vend në pikëpamjen konservatore, pranimi po.