KOHËRA DHE KARAKTERE

Nga Av. Xhafer Sadiku

Lufta ishte ndezur mirë por Malon nuk e mbante vendi, nuk vendoste me ke te bashkohej. Mori udhën per tek një mik i cili ndante gjyqet në ato anë.

-Po të bashkohesh me këta të kuqtë duhet të mendohesh mirë, – i tha miku. Se po tu kthye mendja dhe hidhesh nga ana tjetër, këta nuk ta bëjnë të gjatë; të pushkatojnë dhe të quajnë tradhëtar. Më mirë bashkohu me ata të tjerët dhe po e pe që nuk kanë gjë në terezi, lëri shokët dhe hidhu me të kuqtë. Edhe sikur të kesh vrarë, ata të falin po u bashkove me ta… Mbaje mend këtë emër… është një miku im, komisar në brigadën…

Vapa po ikte me gushtin dhe me gushtin po shuheshin edhe shpresat për ndonjë zbarkim të “aliatëve”.

Një natë, tek bënte roje, u mendua gjatë. Kohë lufte… edhe ndonjë zullum e kishte bërë Malua… por në fund e vendosi: u nis për tek miku i mikut…

Qeleshen me shqiponjën e ndërroi me një kapelle me yll të kuq dhe mori përpjetë malit…

Brenda pak diteve, iu imponua edhe partizanëve të vjetër. Lufta mbaroi, por edhe Malua i kishte marrë masat. Sa të kalonin valët e para të goditjes nuk do të dukej në fshat; s’dihej se ç’ndodhte se fshati e mbante mend si ballist. Edhe organizata e partisë ashtu e kishte skeduar, madje familjen ia kishin izoluar.

Një mbremje vonë u kthye ne fshat dhe pasi u çmall me familjen, te nesermen doli për vizitë tek të afërmit. E ndjeu ftotësinë menjëherë. Një pikë raki në fund të gotës së vogël dhe sytë përdhe nga i zoti i shtëpisë… Kështu edhe tek tjetri… U mendua dhe … lëvizi pak me terezi për të tërhequr vështrimin e të zotit të shtëpisë, sytë e të cilit u zgurdulluan kur panë nën xhaketën e Malos një dorezë pistolete.

Fjala mori dhenë dhe komunistët e fshatit i dërguan letër komitetit të Partisë dhe Degës, të cilët zbarkuan në fshat.

Mbledhje tepër sekrete e organizatës bazë.
Sa u ngrit të hapte mbledhjen sekretari, shefi i Sigurimit ia preu: budallenj! Është njeriu ynë.