KOHA ME MAKS VELON DHE KOHA PA MAKS VELON

 

Nga Visar Zhiti

Maksi na la dje. Edhe sot. Edhe nesër… Me të marrë lajmin tronditës, gjithë kohës kam menduar për të, kemi folur për të me miqtë e përbashkët në Tiranë, por dhe në Itali, edhe përtej oqeanit, në SHBA. Dhëmbja është më e madhe se largësitë, e krahësueshme vetëm me atë që Maksi bëri dhe la, më shumë se sa aq, me kumtin që mbartin bëmat e tij.
Kumti i Maks Velos ka fuqinë të ndajë kohën, koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon, që mund të jetë koha pa të, ku ai ishte dhe koha me të, ku ai s’është.
Maks Velo është intelektuali me ndërgjegje të lartë artisti, është artisti me ndërgjegje të lartë inteletuali, është miku i të gjithëve dhe kritiku i të gjithëve, në çdo kohë dhe në çdo vend, që do kur nuk e duan, qe nuk do, kur e duan.
Maksi është më i veçanti i të gjithëve dhe i mbart të gjitha veçantitë e të gjithëve tek vetja.
Qytetar, i dashur, që kërkon ta duash, social dhe vetmitar, korrekt e i hapur, i gjendur dhe braktisës, shpotitës dhe nervoz, mik që të harron, i besës që nuk të beson, që e merr malli, që di të çmojë si askush vepren dhe virtytet, mbi të gjitha punëtor i palodhur i mendjes dhe i krahëve, që ecën, madje dhe me ngut, duke shkuar asgjëkundi e kudo, duke ditur të jetë dhe atje ku s’është. Edhe tani që sapo nisi prehjen e fundit, ai nuk di të pushojë, i ka bërë të gjithë të flasin për të, të njohur dhe të panjohur, bashkëvuajtës dhe shtetarët e lartë, ata që e duan dhe ata që s’e duan, artistët kudo. Elitarët. Maks Velo është elitë.
Korçari që lindi në Paris dhe që kishte pasaportë amerikane, që jetoi nën diktaturë dhe bëri art avanguardist, modern, arkitekti që pikturonte ndryshe, që shkonte në azilin e pleqve dhe u blinte atyre gdhëndjet në dru si art parak, të çuditshëm, që dënohet për veprat e veta me 10 vjet burg, kubist në arkitekturë, impresionist në pikturë, estravagant në veshje, liberal në të folur, i pashoqërueshëm me këdo dhe mik me shumë gra, i hijshëm dhe sharmant më shumë nga çlejohej, lexues veprash të ndaluara në gjuhë të huaj, etj, etj, gjithë këto krime për atëhere. Edhe pikturat ia dënuan me gjyq, i dogjën nja 300 vepra dhe i kofiskuan.
Po pallatet që ke projektuar ti, do t’i shëmbin? – e pyesja në burg, se ja shkrimtarëve u ndalohen librat. Tashmë ishim bërë miq, i thoshta ç’të doja. Të burgosurit kishin merak atë pallatin e tij kubist, ku jetonin ata të Realizmit Socialist, atë ta hidhnin në erë me dinamit, po Maksi aty kishte miq të tij.
Maks Velo dhe në burg ishte artist, s’duronte dhe duronte padurueshem, nuk përshtatej, “ti s’bën si i burgosur”, i thosha, qeshte si i lirë, grindej kollaj, s’duronte banalitetin, trupmadh si një Heminguej, i pa nënshtruar, por jo rebel i çartur, i çartur në të folur me policët, spiunët apo hajdutët, elegant kur diskutonim një libër, një film, po, po elegant si burrë, edhe atje. Gjestet i kishte prej artisti, të shumta, s’kishte prangë t’ia lidhte. Në fëmini i kishte rënë pianos, më thoshte. Nga gishtrinjtë e tij më dukej sikur pikonin tinguj dhe ngjyra, në sy i vezullonin ndriçime të largëta, fytyrë gjerë, ballin të madh e të pjerrët, vetullan, leshtor… nuk dua të zgjatem, kam shkruar për të, e kam personazh të dashur në burgologjinë time të Spaçit, “Rrugët e ferrit”, ku dhe atje ai bënte arkitektin, ngriti një taracë, sajoi shkallë, rregullonte, e qytetëronte sado pak atë mjedis dhunues.
Ai edhe gjellën e burgut e bënte të pranushme, mua më dukej sikur në kazan të kishin gatuar copa çizmesh të policëve, por Maksi nxirrte nga çanta e burgut, ca vaj, uthull a limon, erëza, ndonjë kokërr ulliri, djathë, ç’i kishin sjellë familjarët, i hidhte mbi dy sahanët tanë, gjella e burgut qytetërohej. Burgu ka shumë uri, Maksi ishte dinjitoz në urinë e tij. Ushqimi është kulturë dhe histori, madje histori e njerëzimit më shumë se ajo nëpërmjet luftrave.
Maksi fletëve që grisja nga librat apo revistat në burg dhe krijoja antologjitë e mia, u bënte kopertinat, “me mjetet rrethanore”, u ngjiste figurina, me gërmat që i priste nga gazetat a revista të tjera sajonte titujt, emrat e autorëve, edhe sot i kam, janë botimet unikale në botë.

Pas burgut, kur vija në Tiranë kërkoja Maksin, ai ishte pjesë e bukur e kryeqyteti për mua, më priste, njoha nënën e tij, motrat, punët, më kishte ardhur dhe në Lushnjë, në shtëpi. Dhe kur ra diktatura, poezitë e burgut i botova, duke vënë në kopertinën e librit një vepër të tij.
Në postdiktaturë Maksi iu rikthye artit si profesionist, iu rikthye teatrit, llozhave të operas, miqësive me femrat, gazetave dhe ekraneve, shpërtheu më fuqishëm si zë i lirë intelektuali, u bë britmë drejtësie, mbrojtës i të drejtave të njeriut, i vlerave kulturore, i ikonave bizantine, onufriane, etj, traditës, urbanistikës, që nga lahuta e deri te stadiumi, akuzë kundër kurropsionit, kritikonte hapur, që nga fanatikun e një xhamie e deri te kryeministri dhe punonte, punonte, pa pyetur se ç’bënin vitet me të.
Mbronte Krishtërimin si të ishte një ushtar 500 vjeçar i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbu, duke parë aty dhe kulturë të fortë morale, kolonë e kryesore e kulturës Perëndimore Europiane, ngrihej kundër fondamentalizmit fetar dhe i keqkuptohej si antimyslimanizëm, nga që Maksi e denonconte kudo që e ndeshte, dhe midis tyre.
Hapi ekspozita, vazhdonte atë lloj të vacant;e të pikturuari, silueta parake si te Matis, që po u ngjanin hijeve të të burgosurve, labi, cigania, etj, iu kthye letërsisë, tregime të vrazhda, ese plot mendim, poezi si pikturat e tij, novela dramatike, deri edhe romane burgu, edhe dosjen e tij të dënimit, ashtu siç ishte, solli origjinalitet dhe forcë, dëshmi dhe avangardë sërisht, albume të kombinuara të fjalës me ngyrën, ku ndiqte të zezën, vazhdonte të pikturonte njeriun-prangë dhe njeriun shenjt, Nënë Terezën, krijoi universin e tij të pa përsëritshëm si rrallëkush.
Maks Velo tashmë është një institucion thashë në fjalën time në njërin nga përurimet e tij të para. Maksi shkoi në Paris e Romë, në Vjenë e Berlin, Varshavë, etj, në SHBA, foli në konferenca, i mahniti me dëshimitë e tij dhe me arritjet e tij.
Bëri shumë miq, kudo në Shqipëri dhe jashtë saj, por dhe kundërshtarë, deri edhe familjarë, pati edhe kërcënues, karakteri i tij që s’përshtatej, si lokalist, si antiverior, por kudo ai ishte si në shtëpinë e vet, si në kafene, po ai, i drejdpërdrejtë, nuk bënte kompromis për të vërtetën, keq nuk i bënte kurrkujt, qeveritë nuk donin ta kishin kundër, i rrezikshëm si armik, por mik nuk e bënë dot kurrë. Urrente dhe me humor dhe donte me seriozitet sublim. Maksi nuk të falte, por e donte faljen Shpërfillës në rrugë, burrë i moshuar që edhe vraponte, edhe me pantallona të shkurtra, por që qëndronte të dëgjonte dhe të rëndomtën, me kërshëri të përhershme, mund të bënte një sherr, të bënte narcisin, por duke ruajtur madhështinë, sidomos atë të brendshmen.
U bë emblemë e kohës së tij. Koha pa Maks Velon do të jetë më e zbrazët, pa estetikën e kritikës së tij, të bukur deri në marrëzi, e ndryshme gjithsesi me kohën me Maks Velon. Prandaj vepra e tij, arritjet e tij duhen mbrojtur si pasuri e përbashkët.
Të fillohet që nga shtëpia, megjithëse ai nuk pati kurrë shtëpi të tij, as studio, as në kohën e tij, ndërsa ata që e dënuan kishin dhe vila dhe sallone dhe galeri dhe kur s’ishin në kohën e tyre.
Shtëpia e Maks Velos të bëhet muze dhe rrugica aty të marrë emrin e tij. Pikturat e tij të mbrohen dhe të ekspozohen dhe të bëhen albume me to.
Të botohet vepra e plotë letrare e tij e disa vëllimshme.
Maksi po punonte dhe në skulpturë së fundmi. Ka vepra tronditëse, monumente, ato të kujtesës dhe të persekutimit, sheshet presin një vepër të tij.
E rëndësishme është fryma dhe dhëmbja dhe kumti i atyre që vuajtën dhe qëndruan, që ajo të shndërrohet në kujtesë, në kujtesën e përvojës, të vlerave, të bëhet kulturë kombëtare, ku Maks Velo zë një vend qendror.
Liria dhe demokracia kanë nevojë për artin e Maks Velos me shokë, për guximin dhe qëndrimet, për vizionet prijëtare, se si të thuash erdhi ajo kohë, për të cilën ata u dënuan.,
Zhgënjimet, mashtrimet, vazhdimi i kohës së diktaturës në posdiktaturë me formë të reja demonkratike, oligarkia e pasardhësve të atyre që bënë dhe mbajtën atë regjim, kërkojnë përballjen, zbulimin e të vërtetave, njohjen e persekutimit, të të persekutuarve dhe të persekutorëve patjetër.
Vepra e Maks Velos me shokë janë gjyqi dhe ndëshkimi moral, kujtesa e së vërtetës.
Koha me Maks Velon e dënuar është diktaturë dhe e dëmshme, nuk është koha e të gjithëve, por ngrirje e kohës, koha dhe me Maks Velon dëshmitar i vuajtjes dhe artist, me krijimtarinë e tij të lire, është kohë e të gjithëve, që sjell adhmëri.
Personalitete si Maks Velo tregojnë drejtimin…