Koha e lugatit

Nga Nebil Çika

Njihet në gjuhën popullore me emrin lugat, kukudh e të tjera, por nuk është gjë tjetër vetëm një i shpirt i keq, i kthyer nga bota e të vdekurve për të lemerisur të gjallët. Këtë status mitologjia ua rezervon kryesisht njerëzve të këqij, që nuk i pranojnë në botën tjetër për ato që kanë bërë në këtë botë, por edhe si ndëshkim, frikë për të gjallët që të mos bëjnë të njëjtën gjë. Nuk gjeta gjë më të përafërt për ta krahasuar me situatën aktuale në Shqipëri dhe përpjekjet e qeverisë dhe politikes për të sjellë “lugatin” më të madh e më të vërtetë që ka njohur historia jonë kombëtare, Enver Hoxha. Sigurisht që ishin të gjitha shenjat që lugati dhe koha e tij do të vinin dhe shqiptarëve që vetëm 22 vjet më parë kujtuan se do ta përcillnin njëherë e mirë për në botën tjetër makthin dhe tmerrin e tyre 50-vjeçar, do t’u shfaqej jo natën, jo në varreza, por ditën për diell, në mes të qyteteve në praninë, bekimin, kurorat me lule, duartrokitjet dhe ovacionet e qeverisë. Lugati ynë, ai më i tmerrshmi, më i përgjakshmi, më i llahtarshmi i botës është kthyer si makth i të gjallëve që shumë shpejt i harruan ato çka ai i bëri këtij kombi e populli për 50 vite me radhë. Lugati Hoxha është tashmë midis nesh. Si të gjithë lugetërit ai ka përveç të frikësuarave prej tij edhe dishepujt, pasuesit që, në fakt, kanë qenë këtu midis nesh dhe në heshtje kanë pritur ngjalljen e tij ose më mirë të themi, kohën e lugatit, e cila nuk ka më dyshim se ka mbërritur. Për të tretën herë që nga muaji tetor, dishepujt e lugatit janë shfaqur me fotot, pamjet dhe simbolet e tij të llahtarshme, ndërkohë që vendi kombi e populli nuk kanë larë ende gjakun nga plagët e shkaktuara prej tij 22 vjet më parë. Lugati Hoxha është kthyer shumë, më lehtë sesa mendonin shumica e shqiptarëve, duke na befasuar më shumë se me shfaqjen e tij, me dishepujt e tij. Rikthimin e tij zyrtar e publik me një guxim të jashtëzakonshëm e ka marrë përsipër qeveria dhe krerët më të lartë politik të saj.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ishte bërë e qartë herët që lugati do të vinte, por sa më shumë afrohej koha e tij, aq më tepër shumica e shqiptarëve mundoheshin ta harronin ekzistencën e tij dhe sidomos llahtarinë e tij sa ishte gjallë. Në fakt, edhe feja e mitologjia përcakton disa rregulla e masa të rrepta të varrosjes së personave, të cilët për shkak të bëmave të këqija në këtë botë, kanë gjasa të kthehen në lugetër, masa që shkojnë deri në djegie të kufomave e çdo gjëje që na lidh e na kujton atë, gjë që me lugatin tonë kombëtar nuk ndodhi kurrë.

Lugati ynë vdiq e u varros si “hero” nga shteti i tij i lugetërve në vitin 1985. U përmbys si bust e monument në vitin 1991 bashkë me shtetin e lugetërve dhe vetëm kaq. Paudhësitë e tij vetëm u listuan e u përmendën si përralla apo propagandë politike pas përmbysjes, por askush nuk u mor e nuk i ndëshkoi ato qoftë edhe si masa të përcaktuara nga mitologjia për të mos u kthyer më si lugat. Ata që e përmbysën apo bënë sikur e përmbysën u përqendruan te pushteti dhe të mirat materiale, duke harruar mundësinë e kthimit si lugat. Madje, jo vetëm kaq. I harruan edhe këlyshët dhe dishepujt e tij, madje i bënë edhe bashkëpunëtorë, me të cilat shumë shpejt ndanë edhe pushtetin dhe ja ku jemi sërish, me lugatin midis nesh, ditën për diell dhe pinjollët, dishepujt e tij pushtetarë, që festojnë e brohorasin përreth tij si demonët rreth shejtanit.

Ka pasur, siç thashë, disa shfaqje të lugatit Hoxha, por kjo e 24 majit në Përmet ishte më e bujshmja, më spektakolarja. Dishepujt e tij me në krye kreun e Parlamentit, bashkëkryetarin e qeverisë, zgjodhën një prej akteve politike më kriminale të tij kur ishte gjallë, Kongresin e Përmetit, ku ai përcaktoi zyrtarisht lumin e gjakut shqiptar që do të derdhej, për ta rikthyer idhullin e tyre si lugat. Në fakt, edhe në mitologji nuk gjendet ndonjë rast ku lugati të përmendet pa gjakun dhe tmerret e tij, detaj që nuk mund t’u shpëtonte dishepujve dhe skenarit të tyre e që u konkretizua në festimet qeveritare të Kongresit të Përmetit. Shenjat si Kongresi i Përmetit, 5 maji, 29 nëntori e të tjera që paralajmërojnë ardhjen e lugatit shqiptar duket se u “harruan” me kujdes për 22 vjet të pafshira nga historia zyrtare e Shqipërisë për të na çuar në derexhenë e sotme. Ishin këto shenja që bashkë me rënkimet e viktimave pa varr dhe krimet e pazbardhura të lugatit sa qe gjallë që i kujtonin një pjese të shqiptarëve që nuk harroi kurrë, rrezikun e kthimit publik e zyrtar të tij. Ndërkohë, pinjollë e dishepuj të fshehur e të hapur të tij punonin çdo ditë në politikë, administratë e shoqëri civile për ta ringjallur, duke bllokuar e sabotuar çdo përpjekje për ta hequr qafe njëherë e mirë atë dhe krejt farën e lugetërve komunistë. Ata mundën t’ia dilnin që bashkë me lugatin të mos ndëshkoheshin për 50 vjet krime e paudhësi dhe sot janë sërish në krye të vendit si 22 vjet më parë. Bllokuan me sukses çdo përpjekje për t’i treguar botës krimet e lugatit. Ruajtën nga brezi në brez pushtetin dhe të mirat e siguruara prej tij në prije të kthimit të tij, të kohës së tij që ka mbërritur.

Tek kthimi i lugatit sigurisht që kanë dorë shumë njerëz, jo vetëm ata që po e sjellin atë çdo ditë e më hapur publikisht dhe zyrtarisht. Sot atë e ka marrë përsipër qeveria, por edhe të tjerë politikanë, shtetarë e të tjerë janë përgjegjës për të. Marrja përsipër prej Ilir Metës e “ngjalljes së lugatit” duket, përveç aksionit politik, edhe një hile e qeverisë për të mbajtur të mpirë opozitën në një reagim të mundshëm të saj ndaj “ngjalljes së lugatit”, gjë që duket se ka funksionuar. Reagimi “zyrtar” iu caktua Strazimirit, një deputet i njohur për retorikën anti-lugat, gjë që tingëlloi më shumë personale sesa zyrtare, ndërkohë që pritej që PD të reagonte fort, më lart e më zyrtarisht, ndaj një zhvillimi të tillë. Besoj ishte detyrim i PD-së, forcës politike që krenohet se përmbysi lugatin dhe kohën e tij më 1991, të reagonte të paktën në të njëjtin nivel politik që qeveria po investohet për “ngjalljen e lugatit”. Angazhimi i kryetarit të legjislativit, pushtetit të parë politik në Shqipëri, i bën shumë serioze përpjekjet për ngjalljen e lugatit, po njëherazi detyron edhe të njëjtin nivel reagimi nga kundërshtarët e tij, nëse vërtetë ndjehen të tillë. Mirëpo fakti që z. Meta ka qenë për katër vite pjesë e qeverisë demokratike e bën ndoshta të pamunduar një reagim në nivel të lartë të PD ndaj tij, duke na bërë të mendojmë se marrja përsipër prej tij e ngjalljes së lugatit mund të jetë edhe një strategji e dishepujve të tij. Edhe atëherë ai ka qenë dishepull i lugatit, nuk ka dalë me foto e brohoritje për të, por nuk e ka fshehur adhurimin për të si dishepull dhe pinjoll politik e gjenetik. Kontributi më i dukshëm i PD-së në betejën me lugatin ka qenë retorika politike antikomuniste, gjë që tani duket e zbehtë e shpeshherë inekzistente. Deri tani PD dhe e djathta veçanërisht baza e saj është mburrur se ka rrëzuar bustin e lugatit dhe sigurisht që e ka bërë një gjë të tillë. Sot ajo dhe të gjithë ne të tjerët po e kujtojmë se sa naive dhe e pamjaftueshme ka qenë ideja se ai dhe koha e tij ikën e nuk kthehen më. Ja ku jemi sot të mpirë, të paaftë për të reaguar ndaj ngjalljes së tij lugat. Përgjegjës për “ngjalljen e lugatit” në njëfarë mënyre janë të gjithë antilugetërit e tjerë të këtij vendi, partitë e djathta politike, shoqatat e viktimave të tij ish-të persekutuar, zgjedhësit shqiptarë, shoqëria civile, elitat etj., të cilat edhe në këtë moment flagrant as që kanë reaguar e as kanë ndërmend ta bëjnë të paktën tani shpejt një gjë tillë. Duke filluar me dënimin e krimeve të komunizmit, moshapjen e dosjeve të diktaturës, mosndalimi i propagandës enveriste etj., janë një sërë arsyesh dhe përgjegjësish që u takojnë kundërshtarëve të lugatit që sot duket se kanë ngritur duar e janë dorëzuar përballë ngjalljes së tij. Fakti që sot në tekstet shkollore nuk ka qoftë edhe një rresht për krimet e tij është, besoj, arsye e rrethanë e mjaftueshme për rikthimin e tij. Shumica prej “intelektualeve”, shkrimtarëve, artistëve e te tjerëve pjesëtar të “elitës” së sponsorizuar nga ky shtet nuk mori mundimin të bënte një libër apo vepër me subjekt krimet e lugatit. Shumë prej tyre mburren e vazhdojnë t’u bëjnë hosana veprave që shkruan në kohën e tij, për glorifikimin e tij.

Veçanërisht përgjegjës për “ngjalljen e lugatit” janë institucionet dhe udhëheqësit fetarë të vendit. Nuk e di si e parafytyrojnë ata lugatin, anti-Krishtin e anti-Muhamedin, dreqin e të birin, por sinonim më të saktë të tij me Enver Hoxhën nuk besoj se mund të gjendet në historinë botërore. Ajo që lugati i bëri fesë, institucioneve dhe besimit te njerëzve kur ishte gjallë me pamjen e njeriut, mjafton për mallkimin e tij të përditshëm, brez pas brezi nga të gjitha besimet, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Me sa duket, edhe si të gjithë humanët e tjerë të Shqipërisë, e kanë harruar diktatorin, krimet e tij dhe mbi të gjitha mundësinë e ngjalljes lugat të tij.

Duket se si gjithnjë këtë punë ia lamë vetëm Zotit. Jam i sigurt se Zoti nuk do ta kishte lejuar rikthimin si lugat të tij, sikur ne nuk do ta kishim harruar atë që na bëri ne dhe Atij vetëm dy dekada më parë, sikur kjo kataklizëm 50-vjeçare të mos kishte ndodhur e lugati të mos kishte ekzistuar kurrë. Por ai ka qenë dhe është atje. Në mijëra varre të hapura e të pagjetura të të pushkatuarve prej tij. Në shpirtrat e fëmijëve, grave dhe pleqve që vdiqën nga uria dhe mundimet në burgjet dhe kampet e internimeve. Në lotët e çdo nëne shqiptare. Ai është në çdo gur e ikonë, të kishave, manastireve, xhamive e teqeve të shkatërruara, në çdo Kuran e Ungjill të djegur e të përdhosur prej tij. “Koha e lugatit” ka ardhur. Kush do ta besonte 20 vjet më parë një gjë të tillë. Ajo që pamë në Përmet, është vetëm fillimi, por gjithsesi është një shenjë e qartë. “Ende s”keni parë gjë!” Kështu ka premtuar publikisht njëri prej dishepujve qeveritarë të tij. Çfarë duhet të shohim më?! Ju që nuk e keni jetuar apo nuk e mbani mend kohën e parë të lugatit, përfytyroni më të keqen që mundeni dhe prapë do ta keni të pamunduar për të kuptuar çfarë kanë hequr ata që e kujtojnë e sidomos çfarë na pret më larg qoftë ngjalljen e tij. “Ende s”keni parë gjë!” Kështu ka premtuar publikisht njëri prej dishepujve qeveritarë të tij.

*Marrë nga libri “Koha e Lugatit” , Nebil Çika  (i Riu )