Koalicioni i partive politike shqiptare fitues i zgjedhjeve në Tuz

 

 

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore për komunën e plotë të Tuzit në Malësi, tregojnë për një fitore të koalicionit “Malësia na bashkon”.

Koalicioni i tri partive politike shqiptare, fitoi 16 vende në Kuvendin lokal të Tuzit, i cili numëron 32 vende, ndërkaq pasojnë Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviç me 10 vende, Partia Boshnjake me 4 vende dhe nga 1 vend Partia social Demokrate dhe Demokratët.

Ky rezultat paraprak e detyron koalicionin e partive politike shqiptare që të bashkëqeverisë me ndonjë parti të spektrit politik malazez ose boshnjak.

Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Tuz të Malësisë të qeta, pa incidente dhe demokratike.

Zgjedhjet vendore për komunën e Tuzit, që u ndoqën nga afër edhe nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, me përfaqësues të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara, u konsideruan si shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve që janë komunitet shumicë në Malësi.

Këto zgjedhje u cilësuan si historike nga fakti se për herë të parë pas viti 1957, kur Tuzit i ishte suprimuar vetëqeverisja, rivotohet për Komunë të pavarur të Malësisë.

Komuna e plotë e Tuzit ishte pika programore e të gjitha forcave politike shqiptare në Mal të Zi, të cilat gati tri dekada kërkuan vetëqeverisjen lokale për zonën e Malësisë.