Këshilla për politikën

Nga At Zef Pëllumi

…Kështu vishin jo vetëm me u këshillue, por edhe me mujtë e me ma mbushë edhe mue menden për të krijue nji parti të re: ose nji parti demokristiane, ose ndonji parti tjetër të re, që t’u përshtatej kohnave post-komuniste. Në të vërtetë, këto kërkesa nuk vijshin vetëm prej miqve e shokëve të Tiranës, por edhe prej Shkodret, prej Vloret edhe prej anëve të tjera, si prej Durrësit, ku kisha miq e shokë burgu. I këshillova që mos të merrena ma me partitë e vjetra, as me ballin kombëtar, as me legalitetin. Ishin të kalueme, tashma. U dhashë mendimin me formue nji parti të re, e cila të përfshinte njerëz pa dallim fejet, me emnin BASHKIMI FETAR në Shqipni ose ALEANCA FETARE. Ky mendim u pëlqye prej të gjithve, pse në të mund të merrshin pjesë njerëz pa dallim fejet, pa dallim klasash, pa dallim partish të vjetra e të reja, d.m.th njerëz me fe e pa fe me çka kishin e me çka s’kishin. U paraqitën dy projekte, nji projekt statut i partisë demokristiane i bamë prej Nush Radovanit, me tendencë krejtësisht demokristiane, që pothuejse nuk dallonte prej partive demokristiane të Europës, e nji projekt tjetër, edhe nji statut tjetr, i bamë prej mejet. Plani em parashikonte që, me anë të rrotacionit, kryetari i asaj partie të ndërrohej vjetë për vjetë d.m.th nji vjetë me kenë mysliman, të dytën vjetë, ortodoks, të tretën, katolik, të katërtën bektashi, të pestën përfaqësuesi i atyne, që nuk besojshin fare. Mbas shum përpjekjesh e shum mbledhjesh që bame sa në Shkodër, aq në Tiranë, ia dolme me formue nji këshill të përbamë prej 9 a 10 vetësh edhe e paraqitme at program në gjykatë, pse duhej aprovue partia. Ketë punë e mori mbi vedi Mehmet Isufi. Ai e paraqiti në gjykatë edhe shkonte shpesh atje, për me marrë përgjigje, derisa nji ditë prej ditësh, Rustem Gjata, qi ishte kenë gjykatës dikur e që në atë kohë ishte kryetar i gjykatës kushtetuese, po na i thotë plakut të shkretë: “Ndigio këtu, more djalë; s’lojtëm nga mendtë, që t’ua lëshojmë pushtetin të burgosurve politikë. Prandaj mos u mundo kot. Kjo parti nuk do të miratohet kurrë!”. Ashtu tha e ashtu ndodhi. Me gjith mbledhjet, me të gjitha përpjekjet që u bane, prapseprap ajo parti nuk u aprovue kurr, deri në zgjedhjet e vjetit 1991. U aprovue vetëm mbas zgjedhjeve, që u bane në mars, ndërsa para zgjedhjeve të marsit erdh prej Italijet nji përfaqësues i partisë demokristiane. Pikoli e kishte mbiemnin. Ai i thirri në ambasadën italiane të gjith njerëzit, qi dojshin me u përfshi në politikë. Në ketë partinë e bashkimeve fetare kjenë thirrë Ruzhdi Çoba e Nush Radovani, por Pikoli ngulmonte që mos të formoheshin parti të tjera, përveç partisë demokratike. Thote se ata me këtë rrugë e kishin kundërshtue komunizmin në vjetin 1948, tue formue partinë demokristiane në Itali, si kundërshtare kryesore e partisë komuniste. Ai nuk e kuptote aspak se gjendja në Shqipni ishte krejt ndryshe. Si përfundim dikur, tue kenë se u larguen si Mehmet Isufi, ashtu edhe të tjerët, ajo parti degradoi edhe iu shndërrue emni në parti demokristiane, por në të vërtetë kje hajni e elementave të partisë demokratike. Kështu na e vodhën edhe partinë. E me të, mbaruene edhe këshillat e mija për politikën.